Askush nuk u interesua për vrasjet e njerëzve të LDK-së, pse të tensionohet situata për Thaçin e Veselin?

Politika

Askush nuk u interesua për vrasjet e njerëzve të LDK-së, pse të tensionohet situata për Thaçin e Veselin?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 29 tetor 2020 Në ora: 21:53
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se mund të ketë tensione të mëdha në rast se konfirmohet aktakuza e ngritur nga Specialja për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Tensionet do të jenë të menaxhueshme pasi ne besojmë në drejtësi dhe e dimë që lufta jonë ka qenë e pastër dhe kjo është vërtetuar në shumë raste në Hagë. Ne nuk duhet t’i frikohemi drejtësisë por normalisht sa herë që kjo drejtësi tenton ta bëjë një lloj politike atëherë duhet të jemi të shqetësuar pasi që bërja e politikës me drejtësi është një lloj shkopi social që është vendosur mbi ne”, tha ai.

“Gjykata Speciale mund ta destabilizojë sigurinë e vendit”

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për "Bota sot", është shprehur se duke u bazuar në deklarimin e Ministrisë së Drejtësisë, ndonjë veprim i ngutshëm nga ana e Gjykatës Speciale mund ta destabilizoj sigurinë e vendit, prandaj duhet të përdoret një praktikë nëse vie deri tek arrestimi i tyre.

Image
Drizan Shala

"Bazuar në deklarimin nga ana e MD unë mendoj që ndonjë veprim i ngutshëm nga ana e Gjykatës Speciale mund ta destabilizoj sigurinë e vendit. Pra, duhet të përdoret një praktik nëse vihet deri te ngritja e aktakuzës dhe arrestimit të bartëseve të proceseve shtete formuese, të arrihet një ujdi që mos të kemi shfaqje teatrale nga ana e Gjykatës në procesin e arrestimit të tyre. Dhe e gjithë kjo punë të kaloj pa asnjë ekses", deklaroi Shala.

Pse ka nevojë tensionimi i situatës?

Ndërsa, ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes, Hajrullah Tërnava ka thënë se Gjykata Speciale është krijuar me insistimin e Thaçit, dhe në kohën që është iniciua kjo Gjykatë, Thaçi është akuzuar për vepra të rënda gjatë kohës së luftës.

"Kjo Gjykatë Speciale është krijuar nga parlamenti i Kosovës me insistimin e Hashim Thaçit, i cili bënte presion te deputetët e parlamentit që të miratohet kjo gjykatë në ato kohëra të vitit 2015. Edhe kur është iniciue kjo gjykatë nga Dik Marti, si deputet i parlamentit Evropian, atëherë është akuzuar Hashim Thaçi për vepra të rënda të transplantimeve të organeve ndaj viktimave të luftës të asaj kohe që janë kryer në shtëpinë e “verdhë” në Shqipëri gjatë vitit 1998-1999", ka thënë Tërnava.

Sipas tij, e mbeta e kësaj gjykate është se do të akuzohen vepërkryesit shqiptar që kanë kryer vepra krimi, por nuk do të jenë të përfshirë edhe vepërkryesit e krimeve të rënda ndaj popullatës shqiptare.

Image
Hajrullah Tërnava

"E mbeta e kësaj gjykate është se do të akuzohen dhe dënohen vetëm veperkryesit shqiptar që kanë krye vepra krimi në këto kohëra lufte dhe pas sajë, e që me këtë nuk janë përfshi edhe vepërkryesit e krimeve të rënda serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, e që ishte dashur të përfshihen edhe ata sepse Serbia ishte ajo që i ka kryer këto krime në territorin e Kosovës, dhe sipas të drejtës juridike, vepërkryesit dënohen atje ku i kanë krye veprat, që do të thotë se serbët janë ata që kanë bërë krime deri në masakra në Kosovë, e kur dihen që shqiptarët kanë qenë viktima të kësaj lufte në trojet e veta", ka thënë ai

Më tej ka shtuar se nëse konfirmohet aktakuza e Thaçit dhe Veselit a është e nevojshme që qytetarët me dalë protesta siç ka thënë edhe Ministri i Drejtësisë Selim Selimi.

"Nëse kjo gjykatë është formuar me dy të tretat e parlamentit të Kosovës, për pastrimin e luftës së UÇK-së, atëherë bahet pyetja se a ka nevojë që tani qytetarët e këtij vendi ta tensionojnë situatën nëse konfirmohet aktakuza e Thaçit dhe Veselit, dhe me dal në protesta ashtu si ka deklaruar Ministri i drejtësisë Selim Selimi. Popullata e ka parasysh dhe është në rrjedha se si është formuar kjo gjykatë, e sidomos me insistimin e Thaçit, e duke bërë presion ndaj deputetëve te parlamentit qe te miratohet kjo gjykate, tani pse ka nevojë një tensionim i situatës politikë në këto kohëra?", ka shtuar ai.

Askush nuk u interesua për vrasjet e LDK-së

Mirëpo, Tërnava nuk e sheh momentin që të tensionohet situata, përderisa situata në Kosovë në këtë kohë pandemie nuk është e mirë, varfëri e madhe, pak shpresa për të rinjtë që të jetojnë në këtë vend, dhe pakënaqësi të mëdha për udhëheqësit.

“Situata e cila është duke mbretëruar në Kosovë në këtë kohë te pandemisë e sidomos nga varfëria që e ka kapluar këtë popullatë, e kur kjo popullatë po e ka të qartë se si janë pasuruar këta prijës të shtetit duke e plaçkitur këtë vend, e duke ua humbur shpresën e popullit për të jetuar në Kosovë, sikur që të rinjtë ditë e për ditë po e lëshojnë Kosovën, për një jetë më të mirë në perëndim, dhe si të pakënaqur me këtë udhëheqësi, në rrethana të tilla as që pritet të tensionohet situata, edhe kur dihet se këta të akuzuar në të shumtën e rasteve do të përgjigjen për vepra të kryera ndaj popullatës së sajë, sikur që dihet se një numër i madh i aktivistëve te LDK-se, janë vra gjatë dhe pas luftës, e që deri me tani askush nuk ka treguar interesim për zbardhjen e këtyre rasteve, e që familjar të këtyre të vrarëve mbi 20 vite presin zbardhjen e këtyre vrasjeve”, tha ai

Tërnava më tej ka thënë se nëse do të ndodhë ndonjë tensionim, mund të shkaktohet nga kapsit e shtetit përmes njerëzve të tyre që janë pasuruar nga ta.

"Marr në tërësi nëse ndodhë ndonjë tensionim, ai nuk do të ndodhë në numër të madh, dhe këtë tensionim munden ta shkaktojnë kapsit e shtetit përmes njerëzve të tyre që deri më tani i kanë përjetuar gjitha të mirat nga shefat e tyre, sepse janë pasurua skajshëm, dhe në të ardhmen nëse të akuzuarit burgosen, edhe për këta nuk do të është më ashtu mirë, se nuk do të kenë më përkrahjen e tyre që deri më tani ua kanë pa hajrin, që edhe këta janë pasurua shumë në krahë të tyre. Por, në tërësi tani populli po i njeh mirë këta prijës të deritashëm dhe nuk është duke u mërzitur për ta sikur që disa po e hiperbolizojn këtë situatë", përfundoi Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat