Serbia lëshon sinjale të qarta për Kosovën, ky është provokimi i ri serb

Politika

Serbia lëshon sinjale të qarta për Kosovën, ky është provokimi i ri serb

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 nëntor 2020 Në ora: 08:22
Ana Brnabiq

Serbia siç duket nuk e ka ndërmend të i ndaloj provokimet dhe deklaratat skandaloze ndaj Kosovës. Shteti serb, nuk po arrin në asnjë mënyrë të pranoj që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se Serbia nuk ka asnjë mundësi ta ndryshoj këtë fakt.

Pas kërcënimeve të ministrit të Jashtëm të Serbisë ndaj serbëve që tregojnë vendndodhjen e varrezave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, radha i erdhi kryeministres serbe të merret me Kosovën.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq e cila disa ditë më parë u emërua edhe njëherë kryeministre me 227 vota për dhe pesë kundër, e ka përmendur edhe Kosovën në momentin kur është bërë betimi para parlamentit.

Kjo e fundit me anëtarët e saj të kabinetit gjatë betimit lexuan një pjesë ku thuhej se do ta mbrojnë Kosovën e që u referoheshin me Kosova e Metohi.

"Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjësi dhe përkushtim do të përkushtohem në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë’.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që kryeministrja serbe e thotë publikisht se nuk e pranon Kosovën si shtet. Ajo kohë më parë në Forumin Evropian “Serbia në BE” të mbajtur në Berlin deklaroi se Kosova është Serbi dhe nuk do ta njoh asnjëherë pavarësinë e Kosovës.

“Kompromis është mes dy palëve. Por, nëse dikush insiston se Kosova është e pavarur dhe se Serbia do ta njeh, kjo nuk do të ndodhë, por Beogradi do të vazhdojë të insistojë se Kosova është Serbi”, deklaroi ajo në Berlin.

Ndërsa, deklarata e bërë gjatë betimit në parlamentin serb ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë, ku shumë persona e cilësuan si nxitje për konflikt mes këtyre dy vendeve.

Zyberaj: Kosova duhet të vendos sanksione ndaj zyrtarëve që betohen në kushtetutën serbe

Këshilltari i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se deklaratën gjatë betimit, Bërnabiqit ia ka lejuar Kushtetuta e Serbisë.

Sipas tij, Kosova ka dështuar në dialog me Serbinë, pasi nuk ka qenë në gjendje të heq atë nga kushtetuta serbe.

Image
Jetlir Zyberaj

“Ceremonia e betimit në Serbi është për shkak të kushtetutës së Serbisë e cila konsideron Kosovën një pjesë të Serbisë. Ky është në të vërtetë i gjithë problemi i dialogut, që Kosova ende nuk ka qenë në gjendje të ketë dialog për njohjen reciproke dhe heqjen e Kosovës nga kushtetuta e Serbisë”, deklaroi Zyberaj.

Ai tha se Kosova duhet të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve që betohen në kushtetutën serbe dhe të mos i lejojnë të hyjnë në Kosovë.

“Pasi që kjo duket se kërkon më shumë kohë, Kosova duhet të vendosë sanksione ndaj atyre zyrtarëve që betohen sipas asaj kushtetute, për të mos i lejuar ata të hyjnë në Kosovë, në mënyrë që të sfidojnë menjëherë fjalën e tyre”, nënvizoi Zyberaj.

Këto sanksione, i vendosin shtetet në mënyrë që ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Kjo është ajo që vendet bëjnë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial. Por qeveria e Kosovës ka heshtur dhe asnjë veprim nuk është ndërmarrë deri më tani”, përfundoi Zyberaj.

Jashari: Deklaratat e kryeministres serbe, sinjale serioze për zyrtarët shtetërore të Kosovës

Analisti politik, Shemsi Jashari në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” tha se deklarata e Ana Brnabiq se “Kosova Metohi” është një provokim i radhës i shteti serb ndaj vendit tonë.

Madje, deklaratën e kryeministres serbe e vlerësoi si paralajmërim të shtetit serb që nuk ka interes në normalizim të raporteve me Kosovën dhe se dialogun po e përdorë për të përfituar përkrahje nga BE-ja dhe ShBA-të.

Image
Shemsi Jashari

“Qasja dhe logjika e qeveritarëve serb asnjëherë nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën. Edhe sjellja e qeveritarëve të tanishëm të Serbisë është e njëjtë dhe armiqësorë ndaj Kosovës. Deklarimi i mandares për Kryeministre Brnabiq është një provokim dhe dëshmi e radhës se Serbia nuk dëshiron paqe e as normalizim të raporteve me Kosovën por dialogun e përdorë për të përfituar nga mbështetja evropiane dhe Amerikane në aspektin e integrimeve dhe aspektin ekonomik”, deklaroi Jashari.

Ai tha se udhëheqësit e vendit tonë duhet të marrin me seriozitet deklaratën e kryeministres serbe dhe të diskutojnë edhe me Bashkimin Evropian këtë temë, pasi kështu nuk arrihet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Zyrtarët shtetërorë të Kosovës duhet ta marrin si sinjal serioz deklaratën e znj. Brnabiq dhe të mos pranojnë presionin nga BE për lëshime në emër të normalizimit të raporteve, ngase nëse nuk detyrohet Serbia asnjëherë nuk do të ketë normalizim të raporteve Kosovë Serbi”, nënvizoi Jashari.

Zogaj: Betimi i Ana Brnabiq është dëshmi e shovenizmit serb

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, foli lidhur me qëllimet dhe ndikimet e deklaratës së kryeministres serbe gjatë betimit të saj para kabinetit qeverisës.

Zogaj deklaroi se shqiptarët duhet ta kenë të qartë se Serbia asnjëherë nuk do ta pranoj Kosovën si shtet, por do ta konsideroj gjithmonë si koloni të saj. Sipas tij, Kosova duhet të forcohet dhe mobilizohet ndaj Serbisë dhe ta mbështesë atë me “shpinë për muri”, derisa ta kuptoj se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Image
Skënder Zogaj

“Serbia kurrë nuk do tē mund të pajtohet që Kosova tē mos jetë koloni e saj, dhe ky fakt duhet të fiksohet mirē nga të gjithë shqiptarët, që duhet të mobilizihen dhe, të forcohen për vetëmbrojtje, të të gjitha llojeve! Deri tash kështu nuk kemi vepruar, prandaj po i vuajmë dobësitë tona kombëtare, duke menduar se Serbia ka mundësi të ndryshojë! Jo, kjo nuk do të ndodh, derisa, Serbia të mbështetet me shpinë për muri dhe, të jetë e detyruar të kuptojë se Kosovën e ka të humbur përgjithmonë”, nënvizoi Zogaj.

Ai tha se fjalimi i kryeminstres serbe, Ana Brnabiq gjatë betimit para kabinetit të saj qeverisës tregon shovinizmin serb. Ndërkaq, bëri thirrje që udhëheqësit e Kosovës të reagojnë tek partnerët ndërkombëtar, pas këtyre deklaratave tendencioze të Brnabiqit.

“Betimi i kryeministres Ana Bërnabiq me rastin e formimit të qeverisë së re, është një dëshmi e re e shovenizmit serb. Karshi kësaj deklarate udhëheqja e Kosovës duhet të reagojë tek partnerët ndërkombëtarë, duke i paralajmëruar se, deklaratat e këtilla janë të rrezikshme dhe mund të krijonë situata të pakëndshme”, deklaroi Zogaj.

Ndër të tjera, shtoi se Kosova duhet ta sensibilizoj edhe diasporën shqiptare, në mënyrë që të mos rrinë me duar në xhepa, por të i përcjellin me vëmendje zhvillimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pra, reagimet kosovare duhet të bëhen në planin ndërkombëtar dhe gjithsesi, institucionet më të larta të Kosovës duhet të sensibilizojnë diasporën shqiptare që të ndjek më me vëmendje zhvillimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të mos rrinë me duar në xhepa! Ky është reagimi i duhur, jo vetëm për Bërnadiqkën por ndaj provokimeve historike të Serbisë”, përfundoi Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat