Thaçi nuk tha lamtumirë, reagon Bytyçi: Është gjynah te Zoti të mos ndëshkohet vrasësi i Xhemail Mustafës...

Politika

Thaçi nuk tha lamtumirë, reagon Bytyçi: Është gjynah te Zoti të mos ndëshkohet vrasësi i Xhemail Mustafës...

Nga: G.B Më: 6 nëntor 2020 Në ora: 14:25
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Hashim Thaçi dje dha dorëheqje nga posti i presidentit të shtetit, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Ai ka udhëtuar dje drejt Hagës, bashkë me Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Lidhur me këtë, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ai e ka ditur që do të arrestohej por donte të fitonte kohë dhe të vazhdonte provokimet ndaj gjykatës dhe ai do t’i bënte shërbim vendit, nëse do të jepte dorëheqje atëherë.

“Në çfarëdo rrethanë, Hashim Thaçi e kishte të konfirmuar akt-akuzën ndaj tij. Në momentin që është intervistuar në Hagë ai e ka ditur se do të arrestohej. Por donte të fitonte kohë, donte ta vazhdonte provokimin e tij ndaj kësaj gjykate, derisa mori në qafë edhe dy drejtuesit kryesorë të organizatës së veteranëve, të cilët sot ndodhen ende në Hagë për faj të kreut të shtetit të Kosovës. Duke e ditur se akt-akuza do t'i konfirmohej, Thaçi do t'i bënte një shërbim të mirë vendit, së paku në fundin e karrierës së vet, nëse do të jepte dorëheqjen që atëherë. Sepse në fund të fundit, përveç shëtitjeve nëpër vende të ndryshme të Kosovës dhe përveç hallallëkut në disa shtëpi që i vizitoi, nuk ka bërë ndonjë punë të hajrit”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, Thaçi dje u përpoq të dukej viktimë dhe nuk e dha lamtumirën por vetëm mirupafshim, por ai shprehet i bindur se me të do të ndodhë lamtumira.

“Megjithëse nuk e dëshmoi veten të përgjegjshëm për të dhënë dorëheqje në momentin e shpalljes së akt-akuzës nga prokurori, dje u përpoq të hiqej edhe si viktimë, edhe si hero. Si viktimë, sepse përsëri pretendoi që akuza kundër tij drejtohet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. D.m.th edhe në ikje tentoi të nxehte gjakrat dhe të krijonte situatë kaotike në Kosovë. Them si hero, sepse u shpreh se nuk po ju them lamtumirë, por po ju them mirë u pafshim. Me Thaçin jam i bindur se do të ndodhë lamtumira! Së paku për viktimat e dëshmorëve shqiptarë që ai ka shkaktuar për shkak të kundërshtive politike. Është gjynah te Zoti të mos ndëshkohet vrasësi i Xhemail Mustafës e të tjerëve intelektualëve të shquar të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prandaj për Hashim Thaçin nuk do ketë "mirë u pafshim"”, ka vlerësuar profesori.

Bytyçi ka shtuar tutje se konfirmimi i aktakuzës ndaj Thaçit nuk dëshmon se ai është aq i pastër sa paraqitet dhe po të jepte dorëheqje disa javë psë muaj më herët, të evitonte "damkosjen" e funksionit të tij si president i Kosovës dhe se ai shkoi me uniformën e presidentit, pavarësisht dorëheqjes në minutën e fundit.

“Konfirmimi i aktakuzës për Hashim Thaçin dëshmon për faktin se ai nuk është aq i pastër sa e paraqet veten e tij. Se nuk është i pastër shkojmë edhe përmes logjikës, sepse kompromiset e tij me Serbinë deri të ndryshimi i kufijve, kanë premisë faktin se ai ishte peng i Beogradit, në kuptimin se Vuçiç dhe Rama dinin për krimet e tij dhe i bënë presion për ta pranuar projektin serb të ndarjes së Kosovës. Por tani në fund zoti Thaçi mund të ishte më i përgjegjshëm. Në fund të fundit nuk kishte më se çfarë të humbte. Pra të dorëhiqej disa javë ose muaj më parë dhe të evitonte "damkosjen" e funksionit të tij si president i Kosovës. Ai shkoi në Hagë i veshur me uniformën e presidentit, pavarësisht dorëheqjes në minutën e fundit. Kjo dorëheqje nuk ishte arsye e mjaftueshme që gazetat, agjencitë e lajmeve dhe mediet e tjera në botë të komentonin faktin që "Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, është arrestuar nga policia për shkak të akuzës së Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë"”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sa i përket katër aktakuzave nga Specialja brenda dy ditëve, profesori thotë se është goditje e rëndë për Kosovën dhe për të enigmatike është sjellja ndaj Jakup Krasniqit dhe bastisja e shtëpisë së tij.

“Konfirmimi i katër akuzave në dy ditë është goditje e rëndë për të akuzuarit e tjerë, zotin Krasniqi, zotin Veseli dhe zotin Selimi, si dhe për familjet e tyre. Në veçanti për mua është enigmë pse duhej një sjellje e tillë kaq spektakolare në kontrollin e banesave të ish-kreut të parlamentit të Kosovës?! Dhe nuk kam pritur se Jakup Krasniqi mund të arrestohej për të tilla krime. Megjithatë është çështje e gjykatës dhe prokurorisë speciale kjo. Por vala e arrestimeve mund të krijojë konfuzion në Kosovë. Qytetarët e saj nuk janë të informuar, përveçse në rastin e Thaçit, me përmbajtjen e akt-akuzave. Janë në dilemë se duhet të solidarizohen apo jo me të akuzuarit dhe arrestuarit në fjalë. Kjo do të thotë se krahas Covid-19, Kosovës i shtohet edhe një telash tjetër jo i vogël”, ka theksuar ai.

Sipas Bytyçit, rol të veçantë ka PDK pasi ikën dy njerëzit kryesorë që e kanë drejtuar dhe tani në krye të saj mund të vijnë Hajredin Kuçi apo Vlora Çitaku.

“Ky moment mund të shërbejë për të kompaktësuar politikën e Kosovës, por ndoshta edhe për ta përçarë atë. Kjo varet nga sjellja e partive politike dhe liderëve politikë. Rol të veçantë ka Partia Demokratike e Kosovës, sepse nga radhët e saj ikën dy njerëzit kryesorë, të cilët e drejtonin atë. Nëse në këtë parti do të formësohen elementë radikalë, si deputeti Koci, atëherë Kosova mund të dëmtohen. Nëse në këtë parti vijnë në drejtim elementë të moderuar si Hajredin Kuçi, apo Vlora Çitaku, atëherë PDK mund të shërbejë si katalizator për unifikimin e politikës”, ka shtuar tutje.

Profesori thotë se duhet të ketë kompromise dhe vendimmarrje gjithëpërfshirëse pozitë-opozitë në pyetjet dhe dilemat që shtrohen pas kësaj dhe partisë së Hotit dhe vet atij i bie barra kryesore për të formësuar një qëndrim të përbashkët.

“Do të duhen kompromise dhe vendimmarrje gjithëpërfshirëse pozitë-opozitë në pyetjet dhe dilemat që shtrohen pas kësaj si p.sh: - Si do të vazhdojë më tej koalicioni qeverisës? - Si do të jetë formula, kompromisi dhe konsensusi për zgjedhjen e presidentit të ri? - A do të duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe nëse është e mundshme që edhe në zgjedhje të shkohet me konsensusin e të gjitha palëve. Partisë së zotit Hoti dhe vetë atij i bie barra kryesore për të formësuar një qëndrim të përbashkët, me qëllim që botës së jashtme t'i jepet mesazhi se edhe në rrethana të tilla të jashtëzakonshme, shteti i Kosovës dhe politikanët drejtues të tij dinë të sillen me përgjegjshmëri, me logjikën e sjelljes dhe jo sipas emocioneve të rastit”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat