“Vrasja e anëtarëve të LDK-së, e vërteta do të del në pah”, analisti e ‘zbulon’ se kush nga eprorët akuzohet nga Specialja për likuidimin e tyre

Politika

“Vrasja e anëtarëve të LDK-së, e vërteta do të del në pah”, analisti e ‘zbulon’ se kush nga eprorët akuzohet nga Specialja për likuidimin e tyre

Nga: N. H Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 21:46
Nga e majta, Kolonel Tahir Zemaj, kushëriri i tij Hasan Zemaj njëherit edhe ish-kryetari i degës së Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan, si dhe Enis Zemaj, djali i Kolonel Tahir Zemajt. Të gjithë këta të vrarë në atentatin e 4 janarit të vitit 2003

Pas Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që është konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Selimi gjatë një fjale të mbajtur gjatë kësaj paraqitjeje tha se aktakuza ndaj tij “është e padrejtë”.

“E pash aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë. Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze, por mbi të gjitha shumë e padrejtë. E pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje, por e padrejtë edhe ndaj luftës së popullit tim dhe shteti prej nga vi unë”, tha Selimi.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Por, a do të zbardhë të vërtetët kjo gjykatë, rreth vrasjes së anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për këtë çështje ka folur njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se lidhur me vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më së shumti kjo çështje përmendet tek aktakuza e ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, ose ndryshe të njohur me shkurtesën SHIK.

Image
Faton Mehmeti

“Jo më kot, në leximin e aktakuzës ndaj z.Veseli u potencua vrasja e aktivistëve të LDK-së, duke lënë të kuptohet se pjesa dërrmuese e aktakuzës ndaj shefit të SHIK-ut është edhe vrasjet e ish zyrtarëve të lartë të LDK-së. Andaj, pritet që Gjykata Speciale të jep verdiktin edhe për këtë pjesë, për këtë plagë të shoqërisë shqiptare të Kosovës”, shprehet analisti Mehmeti.

Tutje, për “Bota sot, analisti deklaron se Specialja është organi i fundit që do t’i jep përfundimisht drejtim vrasjeve që kanë ndodhur pasluftës.

“Gjykata Speciale është organi i fundit, dhe e vetmja e cila do të jep vulën përfundimtare për vrasjet e pasluftës. Andaj, besoj shumë që kjo çështje do të trajtohet shumë, me shumë dëshmitarë dhe natyrisht se nga gjithë ky proces z. Veseli do të jetë i akuzuari me akuzat më të rënduara”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, ka theksuar vetëm me zbulimin e vrasjeve të zyrtarëve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe se kush i urdhëroi ato.

“Dua të besoj, se e vërteta do të del në pah, që përfundimisht të dihet kush i vrau, kush urdhëroi. Vetëm kështu, edhe familjarët e viktimave, por edhe shoqëria jonë do të jetë më e qetë”, tha analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat