Oferta ndaj VV-së dhe PDK-së, Ramush Haradinajt i vjen ‘goditja’ e fortë

Politika

Oferta ndaj VV-së dhe PDK-së, Ramush Haradinajt i vjen ‘goditja’ e fortë

Nga: P.R Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 20:20
Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se i ka bërë ofertë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike në mënyrë që t’ia japin votat për President.

“Unë e kam dhënë një ofertë për të marr edhe besimin e PDK-së. Këtë do t’ia kthejë me votë kësaj partie për ndonjë post të një figure të tyre, qoftë president kryeparlametar, kryeministër. Këtë mund ta bëj edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Pra, që ata të më japin votat tani dhe ne t’ua kthejmë kur atyre t’iu duhen. Ata mund të votojnë edhe pa marrë pjesë në Qeveri, por pjesëmarrja e tyre do të krijonte stabilitet. Ne po japim premtim në parim. Është vendim i tyre. Ata mund të thonë s’po ia duam votën tuaj pastaj, por nëse e kërkojnë është një borxh politik”, ka thënë Ramush Haradinaj.

E ndaj Haradinajt ka reaguar ashpër analisti politik, Nexhat Haziri, i cili në një prononcim për “Bota sot” tregon arsyet pse lideri i AAK-së nuk e meriton postin e të parit të vendit.

Image
Nexhat Haziri

“Fillimisht Ramush Haradinaj nuk është personalitet adekuat që të zgjidhet për president të vendit, për shumë arsye, e njëra nga to janë siç e di edhe vet Haradinaj ai nuk gëzon mbështetje as nga qytetarët e vendit e as nga partnerët ndërkombëtar. Haradinaj nuk do të mund të përfaqësonte unitetin politik e qytetar të vendit e as të garantonte funksionim demokratik të institucioneve për shkak se ai më së paku e kupton demokracinë dhe sundimin e ligjit. Tutje ai akoma nuk I ka përmbyllur çështjen me Gjykatën Speciale, dhe është njëri nga ata që në ditët e ardhme mund t’i konfirmohet aktakuza”, thotë Haziri për “Bota sot”.

“Kosovës nuk i duhet një president i tillë i cili është i izoluar dhe i injoruar në rrafshin ndërkombëtar, kur vendi po ballafaqohet me një imazh negativ në opinionin ndërkombëtar”, shprehet Haziri.

Më tej, ai ka thënë se vendi më para duhet të shkojë në zgjedhje, se sa Ramush Haradinaj të zgjidhet president.

“Ndërsa sa i përket ofertave të tij për PDK dhe LVV-në që t’ia mundësojnë zgjedhjen e tij për president në formë të një tygjarllëku të votave, sot ti mua, e unë nesër ty, tregon më së miri se ky njeri përpos ambicies për tu bërë president i vendit, ka mungesë themelor të dijes së tij se si duhet të zgjidhet, çka përfaqëson një president i vendit. Andaj është shumë më mirë që vendi të shkoj në zgjedhje se sa të zgjidhet për president një njeri si Ramush Haradinaj, me çka Kosova do të vazhdonte të vuante imazhin e keq ndërkombëtar si rezultat i zyrtarëve të saj të lartë me të kaluar të dyshimtë”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat