“Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për vrasjen e anëtarëve të LDK-së”, Gjykata Speciale jep detajet

Politika

“Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për vrasjen e anëtarëve të LDK-së”, Gjykata Speciale jep detajet

Nga: P.R Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 17:31
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Gjykata Speciale në aktakuzën e ngritur ndaj ish presidentit Hashim Thaçi, ish kreut të PDK dhe shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish Ministrit të Brendshëm gjatë Qeverisë së Përkohshme, Rexhep Selimi, i akuzon të lartpërmendurit edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të njohura në Kosovë si vrasjet politike.

Por, në Kosovë nga shumë analistë janë ngritur pikëpyetje se me të vërtetë do të hetohen këto vrasje, të cilat kanë dështuar t’i zbardhin institucionet vendore edhe ato ndërkombëtare.

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar më Gjykatën Speciale për të marr më shumë informata lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep për “Bota sot” ka thënë se të gjitha vrasjet e ndodhura midis janarit 1998 dhe dhjetorit 2000 do të hetohen nga Gjykata Speciale.

“I takon Prokurorit të Specializuar të vendosë se cilat krime saktësisht do të hetojë zyra e tij për sa kohë që këto janë brenda mandatit të DHSK dhe ZPS. Si zëdhënëse e Dhomave të Specializuara, unë mund t'ju them se cilat krime janë brenda juridiksionit të DHSK. DHSK-ja ka juridiksion për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat pretendohen se filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë, midis janarit 1998 dhe dhjetorit 2000, dhe ku ose autori ose viktima ishte nga Kosova ose Republika Federale e Jugosllavisë”, ka thënë Angela Griep.

Më tej, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep ka treguar edhe personat të cilët mund të gjykohen në Speciale, por pa përmendur emra.

“Dhomat e Specializuara do të mbajnë përgjegjës vetëm personat për krimet që ata kanë kryer në mënyrë individuale, dhe nuk do të mbajnë përgjegjës ndonjë grup, organizatë apo komunitet. Kjo do të thotë se mund të gjykohen personat të cilët kanë planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose kanë ndihmuar në kryerjen e krimeve të luftës ose krimeve kundër njerëzimit, brenda kornizës kohore dhe fushëveprimit gjeografik të gjykatës. Kjo gjithashtu përfshin eprorët të cilët nuk i kanë parandaluar ose nuk i kanë ndëshkuar autorët që ishin vartës të tyre”, ka thënë në përgjigjen e saj dhënë për “Bota sot”, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

Në aktakuzën e publikuar, për pikën e akuzës për vrasje të figurave të LDK-së, Specialja, ndër tjerash përmend se zyrtarë të kësaj partie ishin arrestuar nga të apostrofuarit në shumë lokacione të Kosovës. Sipas akuzës, viktimat ishin rrahur e torturuar deri në vdekje.

Kujtojmë se në aktakuzën e Gjykatës Speciale, ndër tjerash në një nga pikat përmendet se Thaçi e Selimi kishin bërë disa veprime në frikësimin mbi njësitë që ishin të lidhura me LDK-në, duke iu referuar FARK-ut.

“43. Në disa raste, përfshirë atë në fillim të shtatorit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi kërcënuan dhe përdorën forcë mbi njësitet e lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) që lidheshin me Qeverinë në ekzil”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat