A mund të lirohen Thaçi dhe të tjerët? Flasin ekspertët

Politika

A mund të lirohen Thaçi dhe të tjerët? Flasin ekspertët

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 nëntor 2020 Në ora: 07:59
Hashim Thaçi

Gjatë ditës së mërkurë është mbajtur seanca e radhës për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, ish-kryeparlamentarin, Jakup Krasniqin dhe deputetit të VV-së, Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale të Hagës.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk ndodheshin në sallën e gjyqit dhe përfaqësoheshin nga avokatët e tyre përmes lidhjeve live.

David Hooper, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që ky i fundit të lirohet me kusht.

Hooper ka thënë se nuk i pranojnë në asnjë moment kriteret për burgosjen e Thaçit.

“Çështja është një çështje shumë e rëndësishme, duke e marrë parasysh mbajtjen në burgimit të zotit Thaçi. Në seancën e parë, javën e parë, ne e thamë qartë se nuk i pranojmë për asnjë moment kriteret e nevojshme për burgosjen e zotit Thaçi, që parashikohet në nenin 41. Kështu që, në këto rrethana, është synimi i tij që të aplikojmë për lirimin e tij me kusht”, tha ai.

Pas kërkesës së avokatit të ish-presidentit Thaçi, gjykatësi i Speciales u shpreh që është e nevojshme të dorëzohet një kërkesë në baza ligjore për të kërkuar lirimin me kusht.

“Është e nevojshme të dorëzoni një aplikim, nuk është se e kemi mbyllur derën për këtë, por më duket se në bazë të kornizës ligjore, duhet të bëni kërkesë për lirim me kusht që të vijojmë me këtë proces”, ka thënë gjykatësi i Speciales, Nicolas Guilloi.

Ndër të tjera në këtë seancë, avokati mbrojtës i Thaçit, David Hooper dhe ai i Veselit, Ben Emmerson thanë se duhen të paktën 18 muaj që të kryejnë hetime në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen.

Ndërsa gjykatësi i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, tha se nuk do të caktohet data për fillimin e procesit të gjykimit, megjithëse Prokuroria kërkoi që hetimi të nisë në verën e vitit 2021, ndërsa në anën tjetër mbrojtja e konsideroi këtë afat si “absurd” duke kërkuar që gjykimi të nisë në vitin 2022.

Miftaraj: Kërkesa për lirimin me kusht varet se sa është në gjendje të argumentoj dhe dëshmoj prokurori i rastit

Ehat Miftaraj nga IKD-ja, i kontaktuar nga “Bota sot”, në lidhje me këtë temë u shpreh që në bazë të rregullave të brendshme të Gjykatës, avokatët mbrojtës duhet të parashtrojnë kërkesën të bashkangjitur me argumentet tek prokurori lidhur me ndryshimin e masës së sigurisë nga paraburgimi.

Image
Ehat Miftaraj

“Në bazë të rregullave të brendshme të Gjykatës, avokatët mbrojtës duhet paraprakisht të parashtrojnë kërkesë dhe argumente tek prokurori i çështjes lidhur me ndryshimin e masës së sigurisë nga paraburgim në masë tjetër që mund të jetë gjykim në gjendje të lirë, para se një kërkesë e tillë ti paraqitet gjykatësit të procedurës paraprake. Një gjë të tillë si duket deri më tani e kanë bërë vetëm avokatët mbrojtës në emër të Kadri Veselit”, u shpreh Miftaraj.

Më tej, Miftaraj tha që në lidhje me kërkesën e avokatit për lirimin me kusht të ish-presidentit Thaçi është e vështirë të japim një përfundim sepse këtë mund ta ketë vetëm vetëm prokurori dhe gjykatësi i rastit dhe pjesërisht avokatët mbrojtës që kanë informatat e nevojshme.

“Sidoqoftë, vendimi lidhur me ndryshimin e masës së paraburgimit varet nga fakti se sa është në gjendje të argumentoj dhe dëshmoj prokurori i rastit dhe avokatet mbrojtës nëse lirimi i Presidentit Thaçi apo të tjerëve mund të pengoj në administrimin e drejtësisë, ndërhyrjet eventuale ose jo në dëshmitarë, prova apo dëshmi. Sigurisht, se është e pamundur të ipet një vlerësim adekuat dhe i bazuar pa pasur informatat e nevojshme të rastit që aktualisht i kanë në tërësi vetëm prokurori dhe gjykatësi i rastit dhe pjesërisht avokatët mbrojtës në këtë fazë të procedurës gjyqësore”, përfundoi Miftaraj për “Bota sot”.

Gjoshi: Çdo person që privohet nga liria ka të drejtë të paraqesë ankesë lidhur me ligjshmërinë dhe kushtet e paraburgimit

Avokati Adrian Gjoshi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, është shprehur që çdo preson i cili privohet nga liria, ka të drejtë të paraqesë ankesë lidhur me ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe kushtet e paraburgimit dhe nëse paraburgimi nuk është i ligjshëm, urdhërohet menjëherë lirimi.

Image
Adrian Gjoshi

Gjoshi ndër të tjera shpjegoi edhe disa masa të tjera për ta parandaluar përsëritjen e kryerjes së veprës siç janë: Dorëzania me lirim në Kosovë, paraburgimi shtëpiak në Kosovë, ndalimi nga afrimi i vendeve apo personave të caktuar.

“Çdo person që privohet nga liria përmes arrestimit ose paraburgimit ka të drejtë që sipas Ligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar dhe sipas rregullave të procedurës dhe provave të paraqesë ankesë lidhur me ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe kushtet e paraburgimit. Për këtë ankesë duhet të vendoset me shpejtësi nga Dhomat e specializuara dhe nëse paraburgimi nuk është i ligjshëm, urdhërohet menjëherë lirimi. Përveç paraburgimit, Dhomat e specializuara mund t’i urdhërojnë edhe masat tjera për ta parandaluar përsëritjen e kryerjes së veprës apo për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale. Këto masa, ndër të tjera, janë: Dorëzania me lirim në Kosovë, paraburgimi shtëpiak në Kosovë (nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës), ndalimi nga afrimi i vendeve apo personave të caktuar”, tha Gjoshi.

Tutje, Gjoshi shtoi që kjo kërkesë nga avokati i Thaçit se sa është e bazuar vendos gjykata duke thënë që e tëra se çfarë mund të bëhet është vendimi të apelohet deri në Gjykatën Supreme të Dhomave të specializuara.

“Prandaj, personi i paraburgosur në çdo kohë mund të parashtrojë kërkesë për rishikimin dhe rivlerësimin e mbajtjes se të paraburgosurit në paraburgim. Se sa është e bazuar një kërkesë e tillë vendos gjykata, Përfundimisht, vendimi mund të apelohet deri në Gjykatën Supreme të Dhomave të specializuara”, u shpreh Gjoshi për “Bota sot”.

Burjani: Lirimi me kusht do të ishte mirë të ndodhë për të gjithë që plotësojnë kriteret e parapara

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, tha që lirimi me kusht për ish-presidentin e Thaçi varet nga prokuroria se si e vlerëson situatën dhe rrethanat tash kur edhe 200 dëshmitarë janë për këto raste siç e ceku edhe prokuroria.

Image
Blerim Burjani

“Kjo varet shumë nga prokuroria si e vlerëson rrethanat dhe situata tjera apo ndikimet tjera nëse ndodhë lirimi me kusht, pra prokuroria ka pas qëndrimin e saj ndaj ish-presidentit. Pra vlerësimi i rrethanave të shumta janë përgjegjësi e prokurorisë dhe kërkesave që ka dhe dëshmitarët që tash është thënë nga prokuroria që ka 200 dëshmitar për këto raste. Pra duhet pritur edhe pak në mënyrë që prokuroria të thotë sërish fjalën e saj, një gjë është e qartë prokuroria nuk është e përgatitur për këto raste dhe ka paralajmëruar se do të ketë deri një vjet për të mbledhë edhe provat e tjera”, u shpreh Burjani.

Burjani shprehët që është shumë e çuditshme që kjo prokurori nuk është e përgatitur për këto seanca pasiqë kërkuan që këto seanca të shtyhen deri në vitin 2021 përderisa pala mbrojtëse ishte më kritike se ky proces do të organizohet deri në vitin 2022.

Sipas Burjanit lirimi me kusht do të ishte më e mira të ndodhë për të gjithë ata që plotësojnë kriteret e parapara duke shtuar që këto raste gjykata nuk do të arrijë të I përmbyllë para tri vjetëve.

“Pra kjo është shumë e çuditshme që një prokurori të sillet në këtë mënyrë kur të bëhet konfirmimi i aktakuzës duhet të ketë fakte relavante për të organizuara seanca gjyqësore e jo me thënë se këto seanca do të shtyhen deri në verën e vitit 2021, përderisa pala mbrojtëse ishte më kritike se ky proces do të organizohet deri në vitin 2022. Këto çudira këtyre gjykatave i dalin gjithmonë këto janë gjykatë hibride artificiale dhe me kërkesë për gjatë procesit me gjet ndonjë akt për të shërbyer si provë. Lirimi me kusht do të ishte mirë të ndodhë për të gjithë që plotësojnë kriteret e parapara ato dihen cilat janë që i vlerëson gjykata me kusht prokuroria nuk është kundër mbrojtja në liri është e dobishme për këto gjykata që nuk nguten vetëm këto rastet kjo gjykatë nuk mund të i përmbyllë para tri vjetëve”, përfundoi Burjani, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat