Major Nazif Ramabaja i kundërpërgjigjet Florim Ejupit, tregon pse u vra Tahir Zemaj

Politika

Major Nazif Ramabaja i kundërpërgjigjet Florim Ejupit, tregon pse u vra Tahir Zemaj

Nga: P.R Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 19:17
Major Nazif Ramabaja dhe Florim Ejupi, foto ilustrim nga "Bota sot"

Florim Ejupi, i përmendur në vrasjen e kolonel Tahir Zemaj, ka thënë se vrasësi i Tahir Zemajt është brenda LDK-së.

“Nuk është në interesin e Armend Zemaj ta zbulojë kush e vrau Tahir Zemajn sepse i dalin njerëzit e tij. Nuk po them njerëzit shumë afër tij, por larg nuk shkon. E kam fjalën për njerëzit e partisë së vet”, tha Ejupi gjatë një intervistë dhënë mbrëmë.

Lidhur me pretendimet e Ejupit, gazeta “Bota sot” ka folur me Major Nazif Ramabajën, njeriun dhe bashkëpunëtorin e afërt të kolonel Tahir Zemajt.

Ramabaja thotë se deklarimet e Ejupit janë një përpjekje për ta fshehur të vërteten e vrasjes së Tahir Zemajt.

“Florim Ejupi për mua është i panjohur, e për deklarimin e tij se vrasësit e kolonel Tahir Zemajt duhet kërkuar në partine e vet, duke ju drejtuar Armend Zemajt, ky është një tentim që jo vetëm të fshihet vrasja makabre e kolonelit, por të gjuhet guri e te fshihet dora. Me fjalë të tjera kjo është një akuzë e rëndë, sepse koloneli si institucionalist dhe përkrahës i vazhdueshëm i Presidentit Rugova, s’kishte armiqësi me LDK-në, e kundërta e kësaj ishte i respektuar përtej mase sa që ishte në përcjellje të presidentit kudo që shkonte në fushatë gjatë kohës elektorale të zgjedhjeve nacionale me 2001 e më vonë”, thotë major Ramabaja për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se posedon edhe fakte për vrasjet që kishin ndodhur në Kosovë, e ku cak ishin njerëzit e LDK-së dhe të afërt me Ibrahim Rugovën.

“Unë posedoj fakte të pa kontestueshme se persona nga SHP i UÇK-së kishin dhënë urdhër për likuidimin e eprorëve të lartë ushtarak të cilët vepronin në ZORRD. Pos kësaj kishin caktuar edhe personat se kush duhej ta kryente atentatin dhe pse duhet të vritej personi i caktuar (Eprori i lartë) me urdhër të ish SHP famëkeq, ndërsa si arsye kryesore apo motivi ishte se X personi është i rreshtuar në vijën institucionale dhe është përkrahës i Presidentit historik dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe pse ne njohëm Presidentin Rugova për komandant suprem të Forcave te Armatosura të Republikës së Kosovës. Të gjithat dokumentet zyrtare të cilat i kem përpiluar gjatë luftës në ZORRD dhe pas figurojnë me titullin: REPUBLIKA E KOSOVËS, Ministria e Mbrojtjes, Njësitë Operative të UÇK-së”, thekson Ramabaja.

“E kjo ju pengonte tejmase shokëve siç e quanin vetën anëtaret e ShP, e që mund t’i numëronin në gishta, duke e zgjedhur njeri-tjetrin, pa kritere profesionale e ushtarake, por që kishte përfaqësim familjar e klanor, por edhe ideologjik Marksista, Leninista që për idol kishin xhaxhin Enver, për këtë Richard Hollbruku ju kishte thënë: ”Te largohet fotografia nga muri, fjala ishte për fotografinë e Enver Hoxhes, të përshëndeten me dorë të shtrirë si shumica e ushtrive në botë, e jo me grusht dhe të angazhohen zhvillimin e demokracisë””.

Ai shton se mund të detyrohet që faktet që i posedon edhe t’i bëjë publike.

“Tentimi për ta njollosur subjektin politik te cilin e krijoi dhe udhëhoqi për 17 vite duke qenë kryetar i LDK-së, mund të kuptohet si vazhdimësi e radhës për tu munduar që ta barazojnë me subjekte të tjera për të cilat është e njohur dhe ditur se kanë histori të keqe, bile edhe kishin zëvendës ministra në qeveri të cilët ishin në drejtorinë e informimit ne SHP të UÇK-së, të cilit kishin urdhëruar për tu vrarë eprorë të caktuar dhe pas luftës ishin në forume të larta të PDK-së. Të gjithë ata të cilët nuk pajtohen me këtë konstatim timin dhe qojnë pluhur, mund t’më detyrojnë t’i bëjë publike këto që thashë, por që do të jetë tejet e hidhur dhe me siguri dikush do të prangoset për të dalur para drejtësisë dhe përgjigjur për të bëmat e tyre, gjatë dhe pas luftës e kjo do të ndodhë gjithsesi tani apo më vonë. Drejtësia vonon por nuk harron”, deklaron Nazif Ramabja, bashkëpunëtor i Tahir Zemajt.

Për fund, Ramabaja ka treguar edhe arsyet që sipas tij, quan në vrasjen e kolonel, Tahir Zemajt.

“Kolonel Tahir Zemaj u vra për arsye se ishte i vendosur në rrugëtimin e tij institucional, e donte Kosovën të lirë pavarur dhe demokratike, shkuajti dy libra për ngjarjet e luftës dhe pas saj, mori pjesë në gjykimin e grupit të Dukagjinit me 2002, ishte afër emërimit nga presidenti Rugova përgjegjës për siguri, ishte i pëlqyer në Kosovë e Mergatë. Me punën dhe veprimtarinë e vazhdueshme ishte cak dhe therr në sy për ata të cilët Kosovën e konsideronin pronë private të tyre e jo vend i të gjithëve”, përfundon për gazetën “Bota sot” major Nazif Ramabaja, bashkëpuntori i kolonel, Tahir Zemajt.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat