“Këto janë dy zgjidhjet e vetme”, Kosova në krizë të madhe politike

Politika

“Këto janë dy zgjidhjet e vetme”, Kosova në krizë të madhe politike

Nga: P.R Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 20:53
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Situata politike në Kosovë, çdo ditë e më shumë po shkon drejt tensionimit, ku tanimë në Kuvendin e Kosovës nuk mungojnë as përplasjet fizike mes deputetëve.

E krejt kjo, sipas analisti politik, Nexhat Haziri, tregon se vendi është në një krizë të madhe politike.

“Kosova veç është në krizë të madhe politike, dhe jo vetëm, por edhe morale për shkakun e një klase të papërgjegjshme politike, e cila edhe kësaj radhe na tregoi se është e pa aftë për të prodhuar alternativë qeverisëse për të menagjuar sfidat me të cilat po përballët Kosova tash 12 vite qe nga shpallja e pavarësisë”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, tanimë partitë politike në Kosovë nuk e shohin njëra-tjetrën si aleate për të bashkëqeverisur.

“Lufta e egër politike për pushtet, duke mos zgjedhur formë e as mjete për të arritur qëllimin, një diskurs primitive i komunikimit në mes partive politike që ka quar në një polarizim të skajshëm politik, ku më askush me askënd nuk mund të bashkqeverisë, ku partitë politike në vend se ta shohin njëra tjetrën si konkurrentë programesh, alternativash, e vizionesh mbi qeverisjen e vendit, tashmë sikur e kanë vën njëra-tjetrën në nishanin e dhunës duke e cilësuar si armik për vdekje, dhe kjo ka bërë qe të vritet çdo shpresë te qytetarët se ky vend mund të bëhet”, thekson Haziri.

Analisti Haziri ka shtuar se institucionet në Kosovë, janë shndërruar në fushë beteja politike.

“Lirisht mund të themi se as pesimistët më të mëdhenj nuk kanë mundur ta parashikojnë një degradim aq të madh të shoqërisë tonë, çfarë na bënë si të paaftë në sytë e të tjerëve për të qenë një shoqëri e organizuar që ndërton një shtet funksional. Sot kemi institucione që nuk funksionojnë dhe të cilat sipas kushtetutës së vendit do të duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, ato janë shndërruar në fushë beteja nga ku luftohen kundërshtarët politik. Një kuvend që nuk po arrin të ketë kuorum as për çështje jetike që prekin drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve, një qeveri pa një shumicë parlamentare dhe me divergjenca të mëdha mes partnerëve të koalicionit dhe një UD e presidentit të vendit, nuk japin aspak shpresë për dalje nga kjo krizë politike, dhe jo vetëm, sidomos në këtë gjendje të rënd edhe me pandeminë Covid-19”, thekson Haziri për gazetën “Bota sot”.

Për fund, Haziri deklaron se janë dy zgjidhje që të dilet nga kjo krizë politike.

“Andaj unë shohë dy zgjedhje, që mund të provohet për të dalë nga kriza, e që nuk garantojnë po ashtu se prodhojnë zgjidhje, e që LDK-ja duhet t’i vëjë në tavolinë me subjektet e tjera politike. E para është ri konfigurimi i koalicionit qeveritar që hap mundësinë e zgjerimit të tij dhe për të arritur një shumicë të konsoliduar në Kuvend, dhe e dyta nëse dështon e para, të iniciojë marrëveshjen me subjektet politike për datën zgjedhjeve të parakohshme. Unë se paku nuk shohë tjetër mundësi dalëse nga kjo krizë e rënd politike e institucionale”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat