“Borxhet politike” të PDK-së dhe AAK-së, profesori thotë se janë propaganda politike

Politika

“Borxhet politike” të PDK-së dhe AAK-së, profesori thotë se janë propaganda politike

Nga: A.Morina Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 22:31
Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhaj

Posti i Presidentit të Kosovës, po merret si shkas i shlyerjes  së “borxheve politike" në mes Partisë Demokratike të Kosovë (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ditë më parë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, publikisht i kërkoi votat PDK-së për postim e presindentit. Por, i menjëhershëm ishte reagimi i u. d. së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili tha se AAK i ka borxh PDK-së, pasi ata ia dhanë postin e kryeministrit kur u formua koalicioni PAN.

Kurse njohësi i çështjeve politike, Sylejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se shkak i rritjes së apetiteve për postin e presidentit është dorëheqja e Hashim Thaçit dhe shkuarja e tij në Hagë.

“Me dorëheqjen e Hashim Thaçit për shkak aktakuzave të Gjykatës Speciale, në çast, janë rritur apetitet e partive politike për t'u bërë president të Republikës së Kosovës e duke harruar e mos  përmendur fare hovin e gjëmës vdekjeprurëse të Covid-19”, tha Mehazi,

Mirëpo, interesante e mori profesori faktin se si AAK dhe PDK po këmbëngulin për postin e presidentit, kur ato në zgjedhjet e fundit dolën partitë e treta dhe të katërta.

“Interesant e për t'u çuditur, më të zëshëm e më këmbëngulës për postin e lartë të presidentit janë partitë e PDK-së dhe AAK-së,  PDK-ja doli fuqi e tretë, kurse e AAK-ja fuqi e katër gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Kurse në anën tjetër aq janë duke u akuzuar njëra me tjetrën për "borxhet politike" bëhen sikur të ishin dy parti të para fituese, sikur i kanë numrat e deputetëve e se ata vendosin se kush do bëhet president pa llogaritur fare numrin e madh të dy partive fituese të LVV-së e të LDK-së”, nënvizoi Mehazi

“Borxhet politike” të partive në fjalë, profesori i sheh më shumë propagandistike dhe të zhurmshme, sesa reale për president të shtetit.

“Zëniet e "borxheve politike" të AAK-së e PDK-së më shumë janë propagandistike e të zhurmshme sesa reale e realizuese për president shteti, si mund të bëhen dikush prej këtyre dy partive president kur të dyja  bashkë nuk kanë as gjysmën e numrave të deputetëve”, deklaroi Mehazi.

Në fund, ai tha se përpjekjet e prontove për t’u bërë president janë të kota, derisa i përmendi edhe votat e LDK-së dhe LVV-së

“Pa hanxhinjtë e dy partivë të mëdha të LVV-së dhe LDK-së kurrë nuk mund të bëhet president Haradinaj apo ndonjëri nga PDK-ja pas shkuarjes të Veselit në Hagë. Të kota janë përpjekjet e prontove për t'u bërë president, për shkak se dinakëria politike e Isa Mustafës është më e madhe sesa përpjekjet e AAK-së dhe PDK-së për president të Kosovës”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat