Lufta e Ramës me agjendë serbe, profesori zbulon emrin e autorit të kasetës së Krushës që ua dha BBC-së – ja njeriu ndërlidhës i Vuçiqit

Politika

Lufta e Ramës me agjendë serbe, profesori zbulon emrin e autorit të kasetës së Krushës që ua dha BBC-së – ja njeriu ndërlidhës i Vuçiqit

Nga: N.Sh Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 14:09
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Një fushatë e paparë deri më tani ka filluar të bëhet ndaj liderit të opozitës në Shqipëri, Lulzim Bashës.

Akuzat ndaj ti rëndojnë për kinse se në kohën kur ishte duke punuar në UNMIK kishte mbledhur informacione kundër UÇK-së dhe kishte hulumtuar për “Shtëpinë e verdhë”.

Këto akuza i ka komentuar profesor dr. Enver Bytyçi.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, me shkuarjen e Hashim Thaçit në Hagë, papritmas filloi një fushatë linçuese kundër kreut të opozitës shqiptare, Lulzim Basha.

“Është i njohur fakti se Edi Rama ka të zhvilluar mjeshtërinë e fushatave të tilla. Shqiptarët nuk kanë parë ndonjëherë një lider politik të këtij kalibri, kur gjithë talentin dhe energjinë e tij e kanalizon në luftën për përçarjen e shqiptarëve dhe në përpjekjet për miqësi me serbët e Millosheviçit e të Vuçiqit! Nuk kanë parë kurrë një kryeministër si Edi Rama, i cili në vend të shpenzojë energji për vendin e tij, ka investuar kaq shumë për zhbërjen e popullit e të kombit shqiptar!”, thotë profesori.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

Ai shton se, në këtë strategji bën pjesë gjithashtu fushata denigruese me shpifje dhe akuza të rreme ndaj Lulzim Bashës.

Ai flet edhe për kasetën e cila tashmë është bërë temë diskutimi.

“Ajo që bie në sy ka të bëjë se Rama nuk tërhiqet nga lufta imagjinare kundër Bashës, edhe pse autori i kasetës, Dash Peza (njëkohësisht mik i Edi Ramës), thotë se atë kasetë (të Krushës së Madhe) e ka marrë vetë Dashi dhe ua ka dhënë gazetarëve të BBC-së. Nuk tërhiqet Edi Rama, edhe pse tashmë është e provuar se kreu i opozitës shqiptare, dikur pjesë e UNMIK-ut në Kosovë, nuk ka marrë pjesë në asnjë proces hetimi dhe gjykimi të pjesëtarëve të UÇK-së, përveç procesit të Millosheviçit”, thekson ai.

Megjithatë, sipas profesorit kryeministri e furnizoi beniaminin e tij, Lorenc Vangjeli me një video, në të cilën pyetet Adnan Mervoci, nëse e njeh Lulzim Bashën.

“Intriga e kësaj video kishte hilen e saj. Ajo u interpretua sikur adresa ishte ndonjë proces për Merovcin, kur në fakt bëhej fjalë për procesin e Millosheviçit. Kjo dëshmon se Edi Rama edhe pse jo fizikisht, mendërisht dhe përmes SMS-ve është prezent në emisionet televizive, për vetëm një qëllim: Të manipulojë opinionin publik”, deklaron Bytyçi.

Ai thotë se nuk e shqetëson aspak fakti që kryeministri i vendit sulmon kreun e opozitës.

“Mua më shqetëson shumë fakti se kemi një kryeministër mostër, i cili ditët më të këqija të këtij vendi, merret me shpifje, intriga, akuza dhe inskenime, në ven që të punojë për të shëruar plagët e Covid-19 të tërmetit të nëntorit 2019. Njerëzit shkojnë në amshim me shumicë, me qindra jetojnë në çadra dhe aty do ta kalojnë dimrin e dytë të tyre, ndërkaq Edi Rama ka tjetër agjendë, agjendën e denigrimit të kundërshtarëve politikë dhe përçarjes së faktorëve politikë në Shqipëri dhe në Kosovë. Në fakt agjenda e Edi Ramës është njëkohësisht agjendë e Beogradit kundër shqiptarëve. Nuk ka aksion politik të kryeministrit të Shqipërisë, në të cilin nuk angazhohet edhe Baton Haxhiu. Ai është njeriu ndërlidhës midis Vuçiç dhe Ramës e disa detyra të “vockla”, të cilat nuk i kryen dot Rama, i merr përsipër t’i realizojë Batoni, me ndihmën e Blendi Fevziut. Pastaj vijnë ca pilifrucka të tjerë, si Vangjeli, Luarasi e plot lavjerrës jeshilë në muret me myshk të bunarit të Edi Ramës!”, shprehet Bytyçi.

Profesori pohon se, shqiptarët duhet të distancohen nga politikanët që fantazojnë ngjarje të pandodhura asnjëherë për llogari të Serbisë.

“Shqiptarët duhet të distancohen ndaj Edi Ramës, i cili, pikërisht kur në Hagë u varros akuza e Dick Marty-it, atë e ringjalli në Tiranë kryeministri i Shqipërisë.  E kam ndjekur politikën pro-serbe të Edi Ramës nga 1 prilli i vitit 2013 e deri më sot, ditë për ditë. Përfundimisht jam njëmijë përqind i bindur se kryeministri i vendit tim punon kundër interesave të vendit të tij. Ai kurrë nuk e ka dashur Kosovën. Dhe nëse i do dhe i respekton disa bashkëpunëtorë të Beogradit në Prishtinë, kjo nuk do të thotë se e do Kosovën. Nëse emëroi dy ministra nga Kosova në kabinetin e tij, këtë e bëri për shkak të ndikimit të Sorosit dhe jo se ai është i dashuruar pas kosovarëve. Ai është tallur me kosovarët gjithë jetën e tij dhe në fund është tallur dhe i ka fyer si askush tjetër në botë, liderët politikë të Kosovës. Kurrë, asnjë lider politik i Serbisë, nuk e ka emëruar ndonjë kryeministër, president apo ministër të Kosovës me shëmtinë e fjalës “Gomar”! Kurrë, asnjë udhëheqës shqiptar në të gjitha kohërat, nuk ka tentuar të japë territore vendit fqinjë armik të shqiptarëve, edhe pse territoret shqiptare janë copëtuar! Por nuk ka ndodhur që të copëtohen me firmën e ndonjë politikani shqiptar, siç tentoi të bënte Edi Rama dhe Hashim Thaçi me territorin e Kosovës!”, thotë profesori.

Bytyçi shton se, Edi Rama më në fund duket se ka kuptuar se gjendet në fondin e zi të historisë së shqiptarëve, ndaj dhe kërkon të ngushëllojë veten me akuza të rreme kundër Lulzim Bashës!

“Megjithatë shpifjet iu kthyen në bumerang! Ato plasën si flluskë sapuni brenda një jave. Kjo do të thotë se kryeministrin e Shqipërisë nuk e ndihmojnë më trillimet, mashtrimet, sajesat, shpifjet, manipulimet, demagogjitë. Në mungesë të një bilanci punësh e arritjesh, ai ka një bilanc të pasur trillimesh e rrenash. Në mungesë të dashurisë për atdheun, ai dëshiron që t’i shohë gjithë të tjerët në skalionin e vet anti-shqiptar!”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat