“Vrasësi i Tahir Zemajt në LDK”, “shpërthen” veprimtari i kësaj partie: Ky është qëllimi i Florim Ejupit – ja kush e vrau kolonelin!

Politika

“Vrasësi i Tahir Zemajt në LDK”, “shpërthen” veprimtari i kësaj partie: Ky është qëllimi i Florim Ejupit – ja kush e vrau kolonelin!

Nga: N. H Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 17:41
Viktimat e vrasjeve politike në Kosovë

Florim Ejupi që akuzohet nga Aleksandar Vuçiq për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ditë më parë ka thënë se vrasësi i kolonel Tahir Zemajt është brenda LDK-së.

“Nuk është në interesin e Armend Zemaj ta zbulojë kush e vrau Tahir Zemajn sepse i dalin njerëzit e tij. Nuk po them njerëzit shumë afër tij, por larg nuk shkon. E kam fjalën për njerëzit e partisë së vet”, ka thënë Ejupi.

Florim Ejupi ishte arrestuar edhe në vitin 2014-të pas dëshmisë së të burgosurit Shkumbin Mehmetaj, që i ngarkonte atë dhe Bajram Kiçmarin për vrasjen e dy policëve: një polici të UNMIK-ut dhe një polici të Kosovës.

E, për të folur rreth këtyre akuzave të rënda të drejtuar drejt partisë së Isa Mustafës, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar veprimtarin e hershëm të kësaj partie.

Veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj, duke e komentuar deklaratën e Florim Ejupit, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky fundit në këtë kohë ndjehet i trazuar dhe i çekuilibruar, pasi sipas tij, Ejupit dhe “bosëve” të tij, po u vije fundi nga verdikti i Speciales.

Bajraj gjatë kësaj bisede thekson se komandanti i FARK-ut, Kolonel Tahir Zemaj, u vra nga falangat e krimit në Kosovë. Kurse, ka thënë se krejt kjo po ndodhë, për shkak të fillimit të funksionimit të Gjykatës Speciale, e cila, për veprimtarin Bajraj, u ka prishë rehatinë e autorëve të krimeve dhe i ka vënë në siklet, duke i detyruar të nxjerrin krye dhe të hajnë njëri-tjetrin.

“Akuzat e Florim Ejupit për autorët e vrasjes së Tahir Zemajt, sipas të cilit janë në LDK, nuk pijnë ujë më. Florim Ejupi, ndjeheni të trazuar dhe të çekuilibruar, gjë që vërehet nga deklarata e juaj si produkt i një gjendjes frustrimi e cila shpjegon ndjenjën e rrezikut për vete dhe bosët tuaj, të cilëve bashkë, po u vije fundi i shumëpritur nga drejtësia dhe verdikti i Gjykatës. Florim Ejupi, fillimisht produkt i NPK-së, e më pas edhe derivat i qarjes së saj në dy krahë, fakt ky që ndihmojë dekonspirimin e tij dhe të ndërmarrjes e cila kishte të njëjtin “mision”; luftën për pushtet me çmimin e vëllavrasjes dhe likuidimin e kundërshtarëve politik, alias LDK-në institucionaliste dhe eksponentë të saj në hierarkinë legjitime e legale të Republikës së Kosovës në krye me presidentin Rugova”, tha veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj.

Bajraj konsideron se gjeneza e këtij personi ishte LPK-ja, fillimisht në shërbim të vëllezërve Kelmendi e Xhavit Haliti, për t’u dalë dorës pastaj të parëve dhe për të përfunduar si argat i SHIK-ut.

“Florim Ejupi, një eksponent i një ndërmarrje kriminale, gjenezën në ish-LPK dhe më pas e inkorporuar në Shtabin e Rognerit dhe në strukturat e tij vëllavrasëse, pjesëtar i skuadriljes së ekzekutimeve me pagesë, fillimisht në shërbim të vëllezërve Kelmendi e Xhavit Haliti, për t’u dalë dorës të parëve dhe për të përfunduar si argat i SHIK-ut dhe për të vazhduar veprimtarinë kriminale; eliminimin dhe likuidimin e oponentëve të bosëve të lartpërmendur, me atentate politike, mënyrë që trasonte dobësimin e kundërshtarëve politik dhe ardhjen në pushtet. Florim Ejupi, kriminel i dresuar, i paguar dhe më pas edhe i detyruar nga bosët e krimit, të vazhdoj me misionin kriminal dhe anti-shtetëror, si një nga “dhëmbët” e “dhëmbëzoreve” të qarkut kriminal në luftën për pushtet të falangave të krimit, pjesë e së cilës, tani gjenden prapa grilave të Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë”, ka deklarua ai.

Po ashtu, ai ka thënë se vrasja dhe ekzekutimi i bashkëpunëtorëve të presidentit historik Rugova, zhdukja e dëshmitarëve, dhe më pas, edhe eliminimi dhe likuidimi i vetë autorëve të krimeve, njëri nga ta edhe Florim Ejupi, e nxjerrë këtë të fundit, të rrezikuar dhe ikja e tij spektakolare nga Bondsteel, gjë e cila, sipas veprimtarit, provon më së miri fajësinë e tij për krimet makabre dhe friken e bazuar se edhe likuidimi i tij ishte real dhe i parashikuar.

“Florim Ejupi kishte “nuhatë” fundin personal dhe i ishte përgjigjur “Dilemës Hamletiane” me arratisje nga Bondsteel me të cilën nuk kishte më çfarë të humbiste më. Logjika e mohimit të krimeve dhe hedhja e veprave makabre kriminale në anën tjetër, tani dhe kurrë nuk ishin bindëse dhe as kompatibile me realitetin objektiv të cilin e dinë mirë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti familjarët e viktimave të rreshtuar në Lëvizjen nacionale të shqiptarëve të Kosovës, në krye me arkitektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në projektin nacional; Kosova shtet sovran dhe demokratik”, ka thënë Bajraj.

Ai kujton se kolonel Zemaj në kohën e luftës, ishte paralajmëruar nga ish-drejtori i Drejtorisë Politike në Shtabin e Rognerit, Hashim Thaçi, me kërcënime të ndryshme.

Gjersa, konsideron se ish-komandanti i FARK-ut, u vra nga falangat e krimit.

“Kolonel Tahir Zemaj, u vra nga falangat e krimit. Kolonel Tahir Zemaj në kohën e luftës, ishte paralajmëruar nga ish-drejtori i Drejtorisë Politike në Shtabin e Rognerit, Hashim Thaçi, me kërcënimin, parafrazoj; “Me ty dhe sikur t’i, do të luftoj sikur me shkja”. Aludimi ishte i qartë; bashkëpunëtor dhe mbështetës të presidentit Rugova, përkatësisht institucionalistë të cilët i subordinoheshin Republikës së Kosovës dhe komandantit suprem të FARK-ut, alias Presidentit Rugova dhe nuk i nënshtroheshin vijës komanduese të falangave të krimit, alias Shtabit të Rognerit, i priste plumbi si përgjigje”, ka shtuar ai.

Veprimtari i hershëm i LDK-së, ka potencuar se vrasja e kolonelit ndodhi në Pejë pas çlirimit të atdheut, dhe se vrasësit katil dhe qyqar, si dhe urdhërdhënësit tinëzar, po i pret verdikti i drejtësisë.

“Megjithatë, lufta për pushtet e falangave të krimit dhe lufta kundër institucioneve legela e legjitime të Republikës së Kosovës, përfshi edhe kundër titullarëve të saj, vazhdojë me zell dhe vullnet të llahtarshëm, por mungojë ajo kundër Serbisë armike, së cilës realisht i hapej rruga e shfarosjes së shqiptarëve dhe zhbërjes së atdheut të tyre, fatkeqësisht. Kolonel Tahir Zemaj, kishte paralajmëruar me kohë, gjatë dhe pasluftës në Kosovë, parafrazoj; “Poqëse vritem në Dukagjin, pas vrasjes sime qëndrojnë falangat kriminale të Ramush Haradinaj, dhe nëse kjo ndodhë jashtë Dukagjinit, pas vrasjes qëndron Hashim Thaçi dhe tjerët nga Shtabi i Rognerit””, ka potencuar veprimtari Bajraj.

Krejt në fund, Bajraj paralajmëron Ejupin me shokë, që të mos ndjehet komod në Gjermani, dhe sidomos pas arrestimeve të bosëve të tij, të ndodhura nga Gjykata Speciale, dhe ato që priten të ndodhin në vijim për vrasjet politike dhe jo vetëm, ku Ejupi dhe skuadrilja vrastare e atdhetarëve të dëshmuar, bashkë më urdhërdhënësit dhe konstruktorët, ku sipas tij, do të gjendën në të njëjtën bankë të zezë për të marrë dënimin meritor nga drejtësia.

“Për vrasjen e Kolonel Tahir Zemaj dhe shumë heronjve tjerë të vrarë dhe e ekzekutuar me atentate politike gjithandej në Kosovën martire. Fillimi i funksionimit të Gjykatës Speciale, ua ka prishë rehatinë e autorëve të krimeve dhe i ka vënë në siklet, duke i detyruar të nxjerrin krye dhe të hajnë njëri-tjetrin. Familjet Zemaj, Kolonel Ahmet Krasniqi, Smajl Hajdaraj, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Ukë Bytyçi, e Komandant Drinit dhe shumë tjera, së kanë pse të nxitojnë sot, kur procesi i drejtësisë së vonuar po bije në binar dhe verdikti i saj do të jetë satisfaksion për viktimat dhe ndëshkim të turpshëm për argatët e “dreqit”, siç është Florimi me shokë”, tha në fund, veprimtari Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat