Florim Ejupi akuzoi LDK-në për vrasjen e Tahir Zemajt, vjen kundërpërgjigja nga Krasniqi: E ‘zbulon’ nëse kjo parti ka gisht, ky ishte qëllimi i Ejupit

Politika

Florim Ejupi akuzoi LDK-në për vrasjen e Tahir Zemajt, vjen kundërpërgjigja nga Krasniqi: E ‘zbulon’ nëse kjo parti ka gisht, ky ishte qëllimi i Ejupit

Nga: N. H Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 11:19
Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja e Tahir Zemajt, Enis Zemajt, dhe Hasan Zemajt

Florim Ejupi, i përmendur në vrasjen e Tahir Zemajt, është rishfaqur pas shumë vitesh, ku ndër tjerash ka folur edhe për vrasjen e komandantit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), duke aluduar se personat që e vranë Zemajn janë brenda LDK-së.

“Nuk është në interesin e Armend Zemaj ta zbulojë kush e vrau Tahir Zemajn, sepse i dalin njerëzit e tij. Nuk po them njerëzit shumë afër tij, por larg nuk shkon. E kam fjalën për njerëzit e partisë së vet”, ka deklaruar Florim Ejupi.

Florim Ejupi ishte arrestuar edhe në vitin 2014-të pas dëshmisë së të burgosurit Shkumbin Mehmetaj, që i ngarkonte atë dhe Bajram Kiçmarin për vrasjen e dy policëve: një polici të UNMIK-ut dhe një polici të Kosovës.

E, lidhur me këto pretendimet të Ejupit, ka folur publicisti i njohur në Kosovë.

Autori i librave të Tahir Zemajt, Sefedin Krasniqi, në një prononcim ekskluziv dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka asnjë gisht në vrasjen e komandantit të FARK-ut.

Krasniqi shpjegon se përkundër se në këtë parti ka pasur karrieristë që janë munduar ta pengojnë Zemajn, shumica absolute e kësaj partie e kanë adhuruar komandantin e zonës operative të Dukagjinit.

Por, ai në këtë bisedë, tregon se ka pasur prej tyre që janë frikësuar të hypin në të njëjtën veturë me të, gjë kjo, që sipas tij, ka ndodhur edhe me ish-deputetin Gani Geci.

Image
Sefedin Krasniqi

“Florim Ejupin nuk e njoh, por nga bisedat që kam pasur me Tahir Zemajn në asnjë sekondë nuk mendoj që në vrasjen e tij ka gisht Lidhja Demokratike e Kosovës, madje në asnjë vrasje të pasluftës. Në LDK ka pasur disa karrieristë që janë munduar ta pengojnë Zemajn, të marrë ndonjë pozitë politike afër Rugovës. Anëtarët e LDK-së e kanë adhuruar Tahirin, por nga ana tjetër ka pasur të tillë që janë frikësuar të hypin në të njëjtën veturë me të. Kështu ka ndodhur edhe me Gani Gecin. E kam shikuar emisionin me Florimi Ejupin, dhe qëndrimi i tij ndaj gazetarëve nuk më ka habitur, por më ka habitur gazetari Panduri që i ka dhënë hapësirë një personi me të kaluar ‘kushtimisht’ kriminale, i cili dukej qartë se kishte nevojë të arsyetohej para fëmijëve të vet, se nuk është kriminel apo ish-kriminel”, ka thënë publicisti Krasniqi.

Autori i librave të kolonel Zemajt, deklaron për gazetën “Bota sot” se të gjithë ata që thonë se vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm i ka vrarë LDK-ja, bëjnë pjesë në grupin e kriminelëve që kanë frikë nga lidhja me krimin.

“Si duket Florimi jeton me ankthin e dëshmisë së Shkumbin Mehmetit, cili duket se i di të gjitha krimet që i ka bërë “Grupi i Llapit”, dhe nga bosët e tyre, për të humbur gjurmët, janë shpallur edhe hero. Të gjithë ata që thonë se vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm i ka vrarë vetë LDK-ja, bëjnë pjesë në grupin e kriminelëve që kanë frikë nga lidhja me krimin. Pothuajse, të njëjtë janë edhe ata që thonë se këto vrasje i ka bërë Serbia. Florim Ejupi e di që Gjykata Speciale e Hagës e ka mandatin për vitet 1998-2000, prandaj e ndjen veten të paprekshëm, pasi disa vrasje janë realizuar më vonë. Ajo që duhet theksuar, dhe që e kam thënë vazhdimisht se gjithë kohën dhe kudo, LPK-ja ka folur dhe është kërcënuar me vrasje, por për t’i përpi më lehtë opinioni, këto vrasje ia kanë përshkruar UÇK-së. Kështu, atë që lindi nga shpirti i popullit, SHIK-u (Fatos Klosit) në bashkëpunim me UDB-në e shndërruan në rregëzinë”, tha ai.

Tutje, Krasniqi ka shtuar se sikurse të ishin të vërteta pretendimet e Ejupit, dhe sikur Lumezi të ishte një prokuror sikur Smith, do të kërkohej ekstradimi i Ejupit nga Gjermania, për një rigjykim në Kosovë, për faktin se ai ka njohuri se kush nga LDK-ja e ka ekzekutuar kolonel Zemajn.

“Emisioni me Florim Ejupin ka qenë krejt i dështuar për fajin e gazetarëve të cilët gabimisht ia ngritën autoritetin (para familjes), sepse thirreshin në deklaratat e Vuçiqit se Florimi qenka apo paska qenë “agjent i CIA-s”. E cili do të ishte interesi i CIA-s të kërkojë shkatërrimin e një autobus të mbushur me civilë? Cili paska qenë interesi i CIA-s të organizojë vrasës të politikanëve apo gazetarëve më pro-amerikanë? Gjithë teatrin tragjikomik të vrasjeve politike në Kosovë do ta zbulojë Gjykata Speciale. Pas kësaj paraqitje të Florim Ejupit për t’iu shitur mend ish-eprorëve të vet të dikurshëm, sidomos opinionit publik shqiptar, sikur Lumezi të ishte një prokuror sikur Smith, do të kërkonte ekstradimin e Florim Ejupit nga Gjermania për një rigjykim në Kosovë, për faktin se ai paska njohuri se kush nga LDK-ja e ka ekzekutuar Tahir Zemajn me të birin dhe kushëririn”, ka shtuar publicisti.

Krejt në fund, ai thekson se bazë dhe fija fillestare e zbulimit të vrasjes së trefishtë, ku humben jetën kolonel Tahir Zemaj, i biri i tij Enisi dhe kushëriri i tij, Hasani, është vetura nga e cila është shtënë.

“Pse ajo veturë përfundoi në lumin Dri? Kur e nxori policia nga lumi, pasi e lexoi emrin e pronarit në librezën e veturës, pse e lëshuan prapë në Dri?”, ka pyetur krejt në fund, publicisti dhe autori i librave të Tahir Zemajt, Sefedin Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat