E pyet Vuçiqin: A iu ndalua vizita në Kosovë për shkak të varrezave masive?

Politika

E pyet Vuçiqin: A iu ndalua vizita në Kosovë për shkak të varrezave masive?

Nga: B.S. Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 12:04
Zoran Vuletiq

Kryetari i Forumit demokratik qytetar (GDF) Zoran Vuletiq e ka pyetur sot kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiq nëse vendimi i autoriteteve të Prishtinës për të ndaluar hyrjen e tij në Kosovë kishte të bënte me gjetjen e varrezës masive afër Rashkës, ku u gjetën mbetje mortore të njerëzve, për të cilët dyshohet se janë shqiptarë të Kosovës.

"Po pyes dhe pres përgjigje nga kryetari Vuçiq: A iu ndalua vizita në Kosovë atij dhe bashkëpunëtorëve të tij në lidhje me zbulimin e varrezës afër Rashkës", thitë Vuletiq në kumtesë.

Ai vlerëson se zbulimi i eshtrave, të cilat dyshohet të jenë viktima shqiptare nga Kosova, në një vend afër Rashkës, "dëshmon se e vërteta rreth konflikteve të viteve 1990 është fshehur sistematikisht dhe se nuk kishte vullnet për t'u përballur objektivisht me të".

"Është e qartë se ato varre u krijuan nga veprimet e forcave ushtarake, paramilitare dhe policore të Serbisë. Nuk mund të ketë dyshim se midis pjesëtarëve aktivë ose pensionistë të forcave të sigurisë ka nga ata që dinë se çfarë ndodhi në fund të viteve 1990, madje edhe se ku janë fshehur trupat e viktimave shqiptare nga Kosova, por mbrohen nga qeveria e cila nuk është e gatshme t'i bëjë publike faktet", tha Vuletiq.

Ai shtoi se varreza masive pranë Rashkës "nuk është i vetmi në territorin e Serbisë" dhe vlerësoi se kjo tregon "papërgjegjësi të vazhdueshme të shtetit dhe bashkëpunim të padyshimtë në krim".

"Të përkujtojmë vetëm Batajnicën, Peruçacin, Petrovo selon, Rudnicë, frigoriferin e zhytur në Tekijë. Jemi të bindur se progres në marrëdhëniet serbo-shqiptare nuk mund të ketë pa zbuluar të vërtetën e plotë për të gjitha viktimat dhe krimet, pa asnjë paragjykim. Kurrëfarë marëveshjeje e Brukselit, Uashingtonit ose marrëveshje të ngjashme nuk mund të zëvendësojnë të vërtetën, e cila do të sigurojë nderim ndaj viktimat dhe ngushëllim të dhimbshëm për familjet e tyre," tha kryetari i GDF-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat