10%-shi i qeverisë vs ‘kredia’ e Besnik Bislimit, cila është zgjidhje e duhur për qytetarët

Politika

10%-shi i qeverisë vs ‘kredia’ e Besnik Bislimit, cila është zgjidhje e duhur për qytetarët

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 nëntor 2020 Në ora: 13:48
Qeveria e Kosovës

Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik, duke ndikuar në mënyrë negative në rritjen e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë dhe në botë në përgjithësi.

Që nga fillimi i paraqitjeve të rasteve të para me koronavirus, rimëkëmbja ekonomike u bë njëra ndër temat kryesore të diskursit publik në Kosovë dhe i dha drejtim hartimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Mirëpo, Komisioni për Buxhet dhe Transfere nuk i dha mbështetje Projektligit për Rimëkëmbje Ekonomike pasi, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës edhe pse ishin prezent nuk e votuan.

Deputetët e opozitës, Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nuk po e konsiderojnë të duhur, pasi sipas tyre ky projektligj nuk ndihmon në lehtësimi e kushteve ekonomike për qytetarët e vendit.

Andaj, ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi propozoi që t’i ofrohen kredi 900 euro pa interes nga bankat komerciale 350 mijë familjeve në Kosovë, duke e kundërshtuar idenë e tërheqjes së Trustit Pensional prej 10%, e propozuar në Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Secila prej këtyre 350 mijë familjeve do të mund të merrnin kredi me 0% interes për pesë vite deri në 900 euro pra sa dy paga mesatare në Kosovë. Pra masa e kredisë do të ishte e barabartë për të gjithë. Kostoja që shteti do të barte për të mbuluar interesin bankar do të ishte 20 milionë euro”.

Njohësit e çështjeve ekonomike dhe politike, e kundërshtuan idenë e ish-ministrit Bislimi, pasi sipas tyre kjo nuk u ndihmon qytetarëve, por vetëm i vështirëson kushtet e tyre ekonomike.

Beqiri: Trusti dhe kredia ‘aventura’ që ndihmojnë kategoritë e veçanta

Image
Lulzim Beqiri

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi propozimin e ish-ministrit të Financave, Besnik Bislimi dhe propozimet e institucioneve.

“Ditëve të fundit kemi dëgjuar për propozime të ndryshme nga institucione, ekspert e individ të caktuar se si ti dilet në ndihmë qytetarëve në këtë kohë pandemie e cila ka kapluar jo vetëm Kosovën por të gjithë botën”, tha Beqiri.

Beqiri nuk e pa të arsyeshëm dhe të realizueshëm propozimin e Bislimit për marrjen e kredive, ai këtë mendim e tha duke u bazuar në statistikat e papunësisë nga të rinjtë.

“Propozimi i ish Ministrit të Financave duket i parealizueshëm për më tepër jo i arsyeshëm sipas mendimit tim, sipas statistikave para pandemisë rreth 30% e rinisë ishin të papunë shto kësaj edhe pandeminë atëherë nuk mendoj se do përfitojnë qytetarët duke ia zbut gjendjen financiare”, theksoi Beqiri.

Ai propozimet për tërheqjen e 10% të Trustit dhe marrjen e kredive i cilësoi si ‘aventura’, të cilat nuk kanë qëllim të i ndihmojnë të gjithë qytetarëve të vendit, por vetëm disa kategorie të veçanta.

“Qytetarët kanë nevojë për punë dhe siguri në punë nuk kanë nevojë për kredi, ata kanë nevojë për krijim të politikave zhvillimore, përmirësim të situatës shëndetësore, rritjen e kapaciteteve spitalore, funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore, mbështetjen për ekonomi të lirë etj.

Prandaj personalisht nuk ju besojë aventurave të tilla si Trusti e kredia që ndihmojnë kategoritë e veçanta”, nënvizoi Beqiri.

Për fund, ai përmendi disa mundësi përmes të cilave Qeveria e Kosovës mund të i dal në ndihmë qytetarëve të saj.

“E vetmja mënyrë për ti mbështet qytetarët është krijimi i politikave zhvillimore, luftimi i nepotizmit, korrupsionit, jo dhënia e kredive e as mundësia e tërheqjes së mjeteve të trustit”, përfundoi Beqiri.

Kadrija: Deklarata e Bislimit provokim dhe nënçmim ndaj qytetarëve të vendit

Image
Mustafë Kadrija

Kurse, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrija gjatë një bashkëbisedimi më gazetën “Bota sot” tha se akterët politikë po nënçmojnë qytetarët të cilët janë të habitur nga abuzimet e udhëheqësve

“Duke marrë parasysh që kemi të bëjmë me qytetarë në komë dhe të habitur siç jemi ne për faktin që çdo ditë abuzohet dhe ne nuk kemi guximin të e ndalojmë këtë sjellje të tyre aspak të dinjitetshme ju kemi lejuar që akterët e politikës të na nënçmojnë çdo ditë”, deklaroi Kadrija.

Ai propozimin për marrje të kredive e cilësoi si provokim ndaj ndjenjave të qytetarëve, pasi ata presin dorën e shtetit për të tejkaluar këtë situatë të rëndë ekonomike.

Sipas, njohësi të çështjeve ekonomike politikanët në Kosovë bëjnë deklarata të pakuptimta, vetëm për të bërë lajme ditore.

"E them këtë, për faktin që një deklarim i tillë për gjoja se kredi deri në 900 euro është nënçmim, njëherit provokim me ndjenjat e qytetarëve për faktin që qytetari dhe biznesi në këtë kohë pret dorën e shtetit duke bërë që bizneset të tejkalojnë një vit të rënies së aktivitetit ekonomik njëherit duke ruajtur mirëqenien e qytetarit.

Politikëbërja në vend japin deklarata pa sense ekonomik por vetëm për të bërë lajm ditor pa marrë parasysh efektin negativ që mund të ketë si deklaratë", theksoi Kadrija, përcjell "Bota sot".

Po ashtu, sipas Kadrijajt nëse qytetarët marrin hua në bankë jeta e tyre nuk lehtësohet, por ajo veçse rëndohet më shumë. Ne fund, tha se politikbërësit nuk i përfaqësojnë interesat dhe perspektivën e shtetit të Kosovës.

“Pra nëse qytetari e sheh të arsyeshme të hyj në obligime mund të huazon tek ndonjë familjarë apo banke por si mundet me hy në obligime kur kemi një vit edhe më të keq se vitet tjera dhe si përfundim ajo vlerë duhet të kthehet, pra sipas kësaj logjike të ia rëndojmë dhe më shumë jetën qytetarit. Si përfundim vlerësoj që politikbërësit nuk përfaqësojnë interesat dhe perspektivën e shtetit të Kosovës", përfundoi Kadrijaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat