Kërkohet shkarkimi i Driton Selmanajt

Politika

Kërkohet shkarkimi i Driton Selmanajt

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 nëntor 2020 Në ora: 19:08
Qeveria e Kosovës

Të enjten që lamë pas është mbajtur seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës. Njëra ndër pikat që u diskutua në këtë seancë ishte edhe tema e të pagjeturve, e që padyshim ngjalli reagime të mëdha mes deputetëve të Kuvendit.

Gjithçka filloi me deklaratën që Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selamanaj i kishte kthyer Komisionit Parlamentar për çështjen e të pagjeturve, duke u shprehur që është konsumuar kjo temë.

Ishte deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, e cila kur doli në foltore përmendi këtë përgjigje të Selmanajt e cila iu drejtua që duhet të turpërohet para se të dalë dhe të flasë në foltoren e Kuvendit për çështjen e të pagjeturve.

“Ti nuk ki drejtë me dalë foltore dhe me fol ma për këtë çështje”, i tha ajo.

Sipas Bogujevcit një përgjigje e tillë e kthyer nga Selmanajt që kjo temë është konsumuar ka prekur atë personalisht mirëpo edhe familjet e të pagjeturve të tjerë.

Pa replikuar nuk mbeti Selmanajn, i cili tha se në Qeverinë ku ai është zëvendëskryeministër, tema e të pagjeturve nuk do të konsumohet derisa të gjendet edhe viktima e fundit dhe se deklarata e tij është keqinterpretuar.

Ai ka akuzuar deputetët e VV-së se po bëjnë politikë me viktimat, derisa në fund iu drejtua me fjalët: “Edhe mos dishim ne me ja u kthy, Zoti ka me ju kthy”.

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, Selmanaj ishte i ftuar në njërin ndër televizionet e vendit i cili ka folur për deklaratën e tij lëshuar drejt Komisonit Parlamentar duke u shprehur që Bogujevci nuk e ka lexuar përgjigjen e plotë që ai kam kthyer.

Selmanaj u shpreh që në asnjë moment nuk ka thënë që është konsumuar tema e të pagjeturve por është konsumuar instrumenti i kësaj teme, sepse sipas tij ditë më parë ka raportuar kryeministri i vendit dhe nuk ka pranuar të flasë përsëri për këtë temë. Ai gjithashtu u shpreh që Bogujevci ka abuzuar skajshmërisht me temën e të pagjeturve, u deklarua Selmanaj, përcjellë “Bota sot”.

Pas gjithë këtyre reagimeve nuk ka mbetur pa u deklaruar as deputetja Bogujevci e cila u pyet nëse pret një kërkim falje nga Selmanaj.

Deputetja u shpreh se nuk pret kërkim falje nga Driton Selmanaj, por ka thënë se ai duhet të kërkojë falje për përgjigjen që i ka kthyer Komisionit Parlamentar ku i është kërkuar raportimi mbi çështjen e të pagjeturve dhe kjo temë ishte konsideruar “e konsumuar”.

“Për këtë çështje duhet të kërkojë falje Driton Selmanaj, për përgjigjen që i ka kthyer komisionit dhe temën e të pagjeturve e ka konsideruar si të konsumuar”, ka thënë ajo.

Kjo temë ngjalli reagime edhe tek deputetët, liderët e shumë zyrtarë të vendit, të cilët nuk e arsyetonin aspak një përgjigje të tillë nga ana e zv/kryeministrit Selmanaj.

Sipas tyre nëse një temë duhet të jetë gjithmonë në tryezën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë atëherë padyshim duhet të jetë çështja e të pagjeturve.

Nga VV kanë kërkuar dorëheqjen e Selmanajt duke u shprehur që nuk i duhet Kosovës një zëvendëskryeministër i tillë dhe që sa më parë duhet të jap dorëheqje vetë apo të shkarkohet.

Selmanaj ka thënë se fushata e VV-së ndaj tij është e turpshme dhe e pamoralshme. Mirëpo, nuk ka dhënë përgjigje se a do të jep dorëheqje apo jo.

Deliu: Z.Selmanaj mendoj duhet t’i kërkojë falje znj. Bugujevci

Image
Blerta Deliu

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që zëvendëskryeministri Selmanaj është ngutur si pasojë e klimës së tensionuar që u krijua nga tema e të pagjeturve.

“Të gjithë e kem të njohur vuajtjen e znj. Bugujevci dhe komunikimi me persona që kanë kaluar përjetime të tilla kërkon ndjeshmëri dhe kujdes të veçantë. Zëvendëskryeministri Selmanaj është ngutur shume dhe besoj ka reaguar më shumë në mënyrë refleksive si pasojë e klimës tensionuese që u krijua gjatë debatit për personat e pagjetur. Ky debat gjithmonë shkakton tensionim për shkak të ndjeshmërisë dhe shpesh ndikon që të nxis shpërfaqjen e temperamentit te deputet të caktuar”, u shpreh Deliu.

Më tej, deputetja tha që pa dashtë të arsyetoj sjelljen e Selmanajt ai duhet të kërkoj falje nga deputetja Bugojevcit sepse historia e saj është e trishtë.

“Sidoqoftë, nuk dua të arsyetojë asesi sjelljen e z.Selmanaj ndaj koleges sonë. Megjithatë, Z.Selmanaj mendoj duhet t’i kërkojë falje znj. Bugujevci sepse historia e trishtë e saj është histori e Kosovës”, tha Deliu për “Bota sot”

Basha: Ofendimet e Selmanajt ndaj të pagjeturëve janë ofendim për secilin qytetarë

Image
Dimal Basha

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh që çështja e të pagjeturve nuk i përket një subjekti politik por lidhet me plagën e gjithë popullit shqiptarë.

Më tej, Basha u shpreh që Selmanaj nuk përfaqëson qytetarin por vetëm kulmin e turpit të kësaj qeverie.

“Çështja e të pagjeturve nuk është çështje e një subjekti politik, as e një individi, por lidhet me dhimbjen dhe plagën e gjithë popullit shqiptarë. Selmanaj nuk përfaqëson qytetarin, por vetëm kulmin e turpit të kësaj Qeverie”, u shpreh Basha.

Tutje, Basha thotë që Selmanaj duhet të shkarkohet sepse ofendimet e tij ndaj të pagjeturve janë ofendim për secilin qytetarë.

“Ofendimet e tij ndaj të pagjeturve janë ofendim për secilin qytetarë, dhe thirrja e tyre për shkarkimin e tij duhet respektuar sa më parë”, tha Basha.

Mehmeti: Hoti duhet të shkarkoj Driton Selmanajn

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, i kontaktuar nga “Bota sot”, u shpreh që Selmanaj nuk e meriton pozitën e zv .kryeministrit pasi po dëmton edhe punën e kryeministrit Hotit jo vetëm për deklaratën nda Bugojevcit por edhe në përgjithësi për deklaratat e tij skandaloze.

“Driton Selmanaj edhe një herë tregoj se nuk meriton të jetë zv.kryeminstër, pasi si i tillë po e dëmton edhe punën e kryeminstrit. Hoti duhet të shkarkoj Dritonin jo vetëm për deklaratën ndaj deputetes Bogujevci, por edhe në përgjithësi deklaratave të tija skandaloze”, tha Mehmeti.

Në fund, Mehmeti krahason deklaratën e Selmanajt me atë të Jabllanoviqit, duke u shprehur që çdo ditë e qëndrimit të tij në qeveri sipas Mehmetit i sjellë kokëçarje qeverisë Hoti.

“Dritoni duhet shkarkohet, pasi deklaratat e tija janë njësoj si të Jabllanoviqit, dhe çdo ditë e qëndrimit të tij në qeveri i sjellë kokëçarje z.Hoti dhe qeverisë në përgjithësi. Driton Selmananaj është fatkeqësi për qeverinë dhe popullin, pasi është njeri pa asnjë ndjesi publike dhe përçarës”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat