Deklarata/ “Dëshmia në Speciale, Hashim Thaçi mohon ekzistimin e UÇK-së”

Politika

Deklarata/ “Dëshmia në Speciale, Hashim Thaçi mohon ekzistimin e UÇK-së”

Nga: P.R Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 20:41
13 mars 1999

Ishte viti 2014, kur Hashim Thaçi atëherë kryeministër kishte bërë distancimin e parë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur në një intervistë për Euronews kishte deklaruar se nuk kishte qenë në frontet e luftës, por larg tyre.

“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe”, kishte thënë Thaçi për Euronews në vitin 2014.

E një distancim ndaj UÇK-së e ka bërë edhe tani ish presidenti i Kosovës.

Sipas Kryeprokurori të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, në intervistat e tij dhënë Speciales, Thaçi është distancuar nga UÇK-ja.

“Në mënyrë të ngjashme, në intervistat e tij me ZPS-në, z. Thaçi hodhi poshtë çdo përgjegjësi për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, duke pohuar në mënyrë të përsëritur se në asnjë moment më 1998 ose 1999 ai, ose ndonjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, nuk kanë pasur ndonjë autoritet mbi UÇK-në. Siç u përmend në konferencën statusore, këto pohime më tej hedhin poshtë pretendimet nga mbrojtja se përgatitja dhe hetimi nuk mund të fillojnë deri diku pas përfundimit të zbulimit të të gjitha provave”, thuhet në dokumentin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

E lidhur me këto deklarime të Thaçit, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Mohimi i përgjegjësisë dhe autoritetit që kishte SHP mbi UÇK-në, është tentim i Thaçit për t’i ikë përgjegjësisë dhe kjo nuk është diçka e re, pasi të njëjtën taktikë kishin përdorur edhe Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj gjatë proceseve ndaj tyre në Gjykatën e Hagës për krime lufte. Kjo tregon apo e demanton jo vetëm Thaçin por edhe të tjerët, kur para çdo procesi në ballafaqim me drejtësinë për krimet e kryera gjatë periudhës së luftës dhe pas saj, deklarojnë se këta do ta mbrojnë UÇK-në, pra me të tilla taktika mbrojtëse ata po e mbrojnë vetën dhe jo UÇK-në”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në bazë të deklaratave të Thaçit, del se UÇK-ja nuk ka ekzistuar fare.

“Përtej kësaj, dhe jo vetëm në këtë proces gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por edhe në proceset e mëparshme, të deklarosh se UÇK-ja nuk ka pasur një hierarki komanduese, se komandantët kryesor nuk kanë pasur autoritet mbi grupe të ndryshme të armatosura, se SHP nuk ka pasur autoritet mbi UÇK-në, del se UÇK-ja nuk ka ekzistuar si një organizim kompakt ushtarak, por thjesht kanë qenë grupe të armatosura të cilat kanë vepruar të pavarura nga njëra-tjetra dhe pa një hierarki komanduese e organizative”, shprehet më tej Haziri.

Sipas tij, e gjithë kjo nuk do t’i ndihmojë aspak Hashim Thaçit.

“Megjithatë kjo taktikë mbrojtëse e Thaçit, por edhe të tjerëve nuk është se do iu ndihmoj shumë, pasi gjatë periudhës së luftës por edhe pas saj Thaçi por edhe të tjerët nga SHP i UÇK-së dhe komandantët e zonave kanë marrë përgjegjësi si udhëheqës të luftës dhe UÇK-së, të cilën e kanë materializuar çoftë përmes pushtetit politik, qoftë në forma të tjera të pasurimit të tyre. Andaj mohimi i UÇK-së, qoftë edhe në ballafaqim me drejtësinë, është vetëm ligështim i tyre, pa asnjë dinjitet prej një ushtari të lirisë siç kanë dëshirë ta quajnë vetën”, përfundon Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat