Pas mesnatës Thaçi e Haradinaj i shkuan në shtëpi, bënë ‘pazar’, pinë çaj, por mundi u doli huq - Osmani ua prishi planet!

Politika

Pas mesnatës Thaçi e Haradinaj i shkuan në shtëpi, bënë ‘pazar’, pinë çaj, por mundi u doli huq - Osmani ua prishi planet!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 nëntor 2020 Në ora: 17:57
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, në qershor të këtij viti, në një kohë jo shumë të zakonshme, dikur pas mesnate, i kishin shkruar bashkë për “vizitë” në shtëpi Haxhi Shalës.

E vizitën dhe arsyen e saj nuk e mbajti të fshehtë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala i cili tha së arsyeja ishte vota për formimin e qeverisë aktual.

“Ata kanë ardhur së pari te unë si dy miq, si dy bashkëluftëtarë të mi. Kemi biseduar atë natë, si më kanë thënë se 60 vota janë, ose ti nuk duhesh të anosh nga pjesa tjetër se ky projekt është një projekt më i gjerë sesa ai i tjerëve, edhe në momentin që më tha 60 vota, i thash, në tash mund të vazhdojmë të pimë çaj për këtë votë më s'kemi qa të diskutojmë”, deklaroi Haxhi Shala.

Siç duket Shalës nuk i shkoi ‘huq’ vota e tij, pasi djali i tij, Flakron Shala vetëm disa muaj më vonë u emërua Konsull i Përgjithshëm në Pragë (Çeki), kjo pas rekomandimit të ministres së AAK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Nëpërmjet një shkrese të datës 28 shtator, ministrja Haradinaj i rekomandoi presidentit Thaçi që ta dekretoj djalin e deputetit Shala

“Duke shprehur konsideratën më të lartë për ju dhe punën tuaj, në bazë të nenit 84 (paragrafi 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 2 (paragrafi 7.10) të Ligjit Nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, iu drejtohem për të dhënë rekomandimin për emërimin e z. Flakron Shala, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë/Republika e Çekisë”, thuhet ndër të tjera në letrën e ministres drejtuar ish-presidentit.

E pa kaluar as një muaj, pra më 20 tetor, ish-presidenti Thaçi kishte nënshkruar dekretin në fjalë duke kërkuar nga MPJD që të marrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Mirëpo, ky emërim i djalit të deputetit Haxhi Shala, ngjalli shumë reagime në opinionin publik, ku disa prej tyre thanë se ky ishte pazari që bëri Shala bashkë me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, një natë para se të votohej Qeveria Hoti.

Basha: Emërimi i Flakron Shalës, shpërblim i pazarit të Hashim Thaçit

Image
Dimal Basha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha në një prononcim për gazetën “Bota sot”, komentoi emërimin si konsull në Pragë, të djalit të Haxhi Shalës, Flakron Shala.

Basha u shpreh i bindur se ky emërim ishte shpërblim i pazarit të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Sigurisht se emërimi i djalit të tij ne post ishte shpërblim i pazarit që kishte bërë me Presidentin Thaçi, i cili edhe e nënshkroi dekretimin e tij”, deklaroi Basha.

Shahu: Telenovela e emërimit të konsullit në Pragë, Flakron Shala

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” emërimin e Flakron Shalës, si konsull në Pragë, e cilësoi si një telenovelë.

Shahu tha se posti i një konsulli nuk është ndonjë post aq i rëndësishëm sa ta alarmoj të gjithë shtetin dhe shoqërinë.

Ai tha se ish- konsullit në Pragë nuk duhet të i referohemi nëpërmjet emrit të babit të tij, Haxhi Shalës pasi ai nuk është njeri i vobektë apo i sëmurë.

“Kjo më duket si telenovelë pasi posti i një konsulli në Pragë nuk është aq post sa të alarmojë shtetin dhe gjithë shoqërinë. Po dua të besoj se personi që është emëruar konsull ka emër dhe nuk besoj se është njeri i sëmurë apo i vobektë që ta thërrasin në emër të babës, derisa ai është bërë konsull besoj se e ka një curiculum vitae se edhe ata që emërojnë konsullin nuk besoj se janë aq të trashë sa ta marrin një bari dhensh e ta qojnë konsull të Kosovës në Pragë”, theksoi Shahu.

Shahu, e mbrojti Flakron Shalën, duke thënë se qortuesit e këtij emërimi pra se të vendosin alarm, duhet ta paraqesin biografinë e tij. Ai përmendi edhe faktin se në Kosovë nuk ka shkollë për konsuj.

“Qortuesit e këtij emërimi para se me vu alarmin e me thanë se djali i filanit u bë konsull, duhet ta paraqesin biografinë e djalit të filanit. Nëse ai është analfabet është gjë tjetër por nëse është i shkolluar është gjë tjetër. Në Kosovë nuk ka shkollë për konsuj dhe konsujt që janë në shumicë nuk kanë bërë shkollë për konsull”, tha Shahu, përcjell "Bota sot".

Në fund, ai potencoi se nuk dëshiron të marrë anë në këtë çështje, por duket gjë e vogël për tu marrë me të.

“Nuk po marrë anë në këtë histori, por më duket gjë e vogël për tu marrë me të politika e madhe e gazetaria e madhe”, përfundoi Shahu.

Bekteshi: 'Pazari i mesnatës' e emëroi konsull të Pragës, djalin e Haxhi Shalës

Image
Ramazan Bekteshi

Kurse, analisti politik, Ramazan Bekteshi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” tha se emërimi i Flakron Shalës është pazar i mesnatës nga klika politike.

“Pazari i pasmesnatës për të bërë Hotin KM dhe pazaret ndërmjet klikës politike për të zgjedh njerëz të pakualifikuar që të përfaqësojnë Kosovën jashtë, është një stil i njohur i PDK-së, AAK e LDK-së”, deklaroi Bekteshi.

Tutje, Bekteshi tha se ambasadat dhe konsullata po okupohen për nevoja personale dhe jo për nevoja shtetërore.

“Njerëzit e tyre vazhdojnë të okupojnë ambasadat e konsullatat jashtë, por vetëm për nevoja private e jo shtetërore. Ma thuani vetëm një veprim të vetëm që ka bërë kjo armatë ‘diplomatësh’ për të mirën e shtetit”, nënvizoi Bekteshi.

Këto emërime, Bekteshi i cilësoi si veprime mafioze nga politikanët, të cilat nuk i bëjnë nder shtetit.

“Veprimet në stilin mafioz të politikanëve tanë në mënyrë të përsëritur nuk i bënë nder shtetit. Pra kjo është seria e pafund e politikanëve tanë që abuzojnë me shtetin e me pushtetin”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, Bekteshi veprimin e Osmanit për shkarkimin e këtyre ‘super diplomatëve’ e cilësoi si veprim shumë kurajoz dhe të rëndësishëm për të ardhmen e shtetit.

“Veprimi i kryetares, Vjosa Osmani për tërheqje të këtyre ‘super diplomatëve’ të zgjedhur pas mesnate apo nëpër kafene është një veprim kurajoz me shpresë se në të ardhmen pushtetin do të kalojë në duar të politikanëve të pa korruptuar që synim kanë qytetarin e jo pasuritë e shtetit”, përfundoi Bekteshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat