Kërcënimi i Serbisë me luftë – Kosova të përgatitë ushtrinë për t’i mbrojtur kufijtë

Politika

Kërcënimi i Serbisë me luftë – Kosova të përgatitë ushtrinë për t’i mbrojtur kufijtë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 dhjetor 2020 Në ora: 08:27
Tankat e Rusisë që i dhuroi Serbisë

Ditë më parë Serbisë iu dhuruan nga Rusia tanke dhe automjete të blinduara.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë “se qëllimi i këtij donacioni është që Serbia të forcojë edhe më tej ushtrinë dhe pozicionin e neutralitetit ushtarak, në mënyrë që të mund të parandalojë çdo agresor të mundshëm”.

Mirëpo, analistët vlerësojnë se armatosja e vazhdueshme e Serbisë për ne nuk është ndonjë qasje vullnetmirë andaj ne duhet që sa më shpejt të arrijmë marrëveshje me shtetet individuale të NATO-s.

Shala: Kosova sa më parë të fillojë arritjen e marrëveshjeve ushtarake me shtetet individuale të NATO-së

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot” ka thënë se, bazuar në marrëveshjen mes qeverisë ruse dhe asaj serbe, Serbia po kthehet në njëfarë Rusie të Ballkanit.

“Serbia gradualisht po kthehet në njëfarë Rusie të Ballkanit, bazuar në marrëveshjen mes qeverisë ruse dhe asaj serbe është arritur pajtimi që të nisin procedurën për hapjen e zyrës përfaqësuese të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes në Beograd”, thotë Shala.

Sipas tij, “ndihma” ushtarake nga Rusia është presion në konstalacionin e ri gjeopolitik në Evropë.

“Pra, nëse bëjmë një analizë se çka ka përfituar serbia "ndihma" ushtarake nga Rusia mund të konludojmë që ky armatim është presion në konstalacionin e ri gjeopolitik në Evrope që është duke ndodhur përmes rritjes së ndikimit rusë, kinez dhe brishtësisë së BE-së”, deklaron ai.

Por ai shton se, Kosova duhet sa më parë të fillojë arritjen e marrëveshjeve ushtarake me shtetet individuale të NATO-së që të jemi të gatshëm për çfarë do lloj rasti.

“Shteti i Kosovë duhet sa ma parë të fillojë arritjen e marrëveshjeve ushtarake me shtetet individuale të NATO-së (Shqipërisë, Turqisë, Amerikës , Kroacisë) që në rast të ndonjë tentim sulmi të jemi të përgatitur në dy drejtime atë të kuadrove profesional dhe pajisjeve ushtarake”, përfundon Shala për “Bota sot”.

Mehazi: Armatosja e vazhdueshme e Serbisë është provokim e kërcënim i rëndë për Kosovën

Image
Sulejman Mehazi

Analisti Sulejman Mehazi shprehet për “Bota sot” se, armatosja e vazhdueshme e Serbisë është provokim e kërcënim i rëndë jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për tërë rajonin dhe Evropën.

“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë është provokim e kërcënim i rëndë jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për tërë rajonin dhe Evropën, më e keqja është se këto armë të rrezikshme merren falas nga Rusia. Nëse bëjmë një përllogaritje se pse Serbia aq shumë është duke u armatosur dhe kundër kujt? Përgjigja do të ishte shumë e qartë, se Serbia e Vuçiqit dhe Brnabiqit armatoset vetëm për shkak Kosovës, po edhe të Bosnjë-Hercegovinës, e kurrsesi kundër fqinjëve tjerë të Serbisë: kroatëve, hungarezëve, rumunëve, bullgarëve e maqedonasve”.

Ai thotë se, filozofia politike e luftarake e serbëve është për të sulmuar e gllabëruar nëse jo tërë Kosovën, po pjesët më vitale të saj Mitrovicën së bashku me Trepçën e Ujmanin, Deçanin e vende të tjera strategjike në dobi të Vuçiqit

“Pra, filozofia politike e luftarake e serbëve është për të sulmuar e gllabëruar nëse jo tërë Kosovën, po pjesët më vitale të saj Mitrovicën së bashku me Trepçën e Ujmanin, Deçanin e vende të tjera strategjike në dobi të Vuçiqit për të krijuar një Serbi të madhe që nga Kosova e deri lart në Bosnjë-Hercegovinë të Republikës Serbe në këtë shtet. Ky kërcënim serb u pa edhe gjatë formimit të qeverisë së re Serbe para disa javëve, kur Brnabiq u betua para deputetëve e kushtetutës serbe për marrjen e Kosovës nën prehrin e qeverisë së saj”, thotë ai.

Ai hedh kritika edhe ndaj qeverisë së Kosovës duke thënë se ajo duhet të reagonte e alarmonte fuqitë e mëdha të BE-së e SHBA-së për veprimet luftënxitëse e provokuese të Serbisë ndaj Kosovës.

“Derisa Serbia me të madhe armatoset në anën tjetër qeveria e Kosovës hesht e as sesi të reagonte e alarmonte fuqitë e mëdha të BE-së e SHBA-së për veprimet luftënxitëse e provokuese të Serbisë ndaj Kosovës. Jo vetëm kaq, por edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Anton Quni, duhej të përgatiste sa më shumë Ushtrinë e Kosovës për të mbrojtur kufijtë e saj. Serbia kërcënohet hapur, kurse qeveria e Isës e Hotit merren me presidentin e Kosovës. Për t'u çuditur e habitur me pa aftësinë e qeverisë së Kosovës e cila para kohe është dorëzuar para kërcënimeve serbe”, përfundon Mehazi.

Duhanaj: Kur bëhet fjalë për Serbinë, ne si shqiptarë nuk presim ndonjë qasje vullnetmirë

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, për “Bota sot” shprehet se kur bëhet fjalë për Serbinë, ne si shqiptarë nuk presim ndonjë qasje vullnetmirë. Ajo çdoherë ka luajtur me dy karta, përveç në vitin 1999.

“Kur bëhet fjalë për Serbinë, ne si Kosovë në veçanti, e si shqiptarë në përgjithësi nuk është që mund të presim ndonjë qasje vullnetmirë. Serbia, çdoherë ka luajtur me dy karta dhe përjashto vitin 99, çdoherë edhe ja ka dalë të ketë sukses, pasi që Rusinë e ka aleat të natyrshëm, përderisa perëndim e shfrytëzon duke u bazuar në interesat gjeostrategjike të tyre.

Në vitin 1999, kjo nuk i doli mirë, pasi që Kosova dhe shqiptarët, kishin zhvilluar një fushatë të urtë dhe të menqur diplomatike e cila kur kulmoi edhe me kryengritjen e armatosur, kulmoj me fitore të shqiptarëve ndaj Serbisë”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, simpatia karshi shqiptarëve është venitur për shkak të disa sjelljeve të papërgjegjshme.

“Tani, situata paksa ka ndryshuar. Për fat të keq, simpatia karshi shqiptarëve është venitur, kjo si pasoje e sjelljeve të papërgjegjshme të shqiptarëve. Nën 1. Në raport me shtetndërtimin dhe nën 2. Në raport me aleancat e dyshimta që i ndërtuam pas luftës”, shprehet Duhanaj.

Ai me tej thotë se, ne duhet të kemi kujdes sepse aleancat proshqiptare asnjëherë përgjatë historisë nuk kanë dalë të jenë nga lindja por nga perëndimi.

“Kjo nuk do të thotë që situata është disfatiste, por që duhet të tregohemi të kujdesshëm, sepse aleancat proshqiptare asnjëherë përgjatë historisë nuk kanë dalë të jenë nga lindja por nga perëndimi, prandaj, duhet t'u qëndrojmë besnik aleancave historike Euro- Atlantike dhe, se bashku me ta, do t'i dalim në ballë suksesshëm çdo sfide”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat