Ja pse LDK-ja i humbi zgjedhjet në Podujevë, veprimtari e ‘zbulon’ shkakun - kush po rreshtohet nga Rexhep Qosja

Politika

Ja pse LDK-ja i humbi zgjedhjet në Podujevë, veprimtari e ‘zbulon’ shkakun - kush po rreshtohet nga Rexhep Qosja

Nga: N. H Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 20:34
Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qoja

Në zgjedhjet e mbajtura të dielën për kryetar komune, LDK-ja e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, humbi bastionin e saj të fuqishëm, të cilin e ka qeverisur që nga paslufta.

Veprimtari i LDK-së, Haki Latifi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, është shprehur se është e pakuptueshme humbja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë karshi Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, e habitshme po ashtu është se si një ish-deputet i LDK-së që kishte dezertuar nga radhët e saj me kauza të sajuara, arriti t’i fitojë zgjedhjet në këtë komunë.

“Kjo s’do koment. Bulliqi duke e mbrojtur kufirin me kauzat e sajuara kësaj partie për Çakorrin arriti të manipulojë opinionin, që në thelb ishte kundër interesave të Kosovës në integrimet euro-atlantike. Ky fakt tregon se e gjithë lufta politike zhvillohet jo për kauza të drejtë, por për puro pushtet të individëve dhe grupeve. Bulliqi duke e kritikuar LDK-ën edhe duke u thirr si Rugovist i përbetuar arriti të bëhet kryetar i Komunës së Podujevës. Kjo ndodhë vetëm me qytetarët e Kosovës. M’i thënë vetit Rugovist i përbetuar dhe me kandiduar për një parti majtiste siç është VV-ja, s‘ka kurrfarë logjike”, shprehet Latifi.

Latifi ka deklaruar se LDK-ja tash pas kësaj disfate, para vetes ka shumë punë për rikthim të besimit tek anëtarësia dhe votuesit besnik tradicional të saj.

Image
Haki Latifi

“Megjithatë, sovrani vendosi dhe rezultati duhet pranuar. Mendoj se kryesisë së LDK-së dhe degës së LDK-së në Podujevë, i duhet shumë punë për rikthim të besimit tek anëtarësia dhe votuesit besnik tradicional të saj. Sepse këta të fundit si duket ishin të zhgënjyer dhe të lënduar nga ikja e përgjegjësisë së ish-kryetarit, Agim Veliu. Kësaj radhe VV-ja me mjeshtri e shfrytëzojë thënjën e popullit; “Pyka e vet e shkyn lisin”, duke e përdorur ish-deputetin e LDK-së, kandidatin Shpejtim Bulliqi, i cili kishte ndërruar disa parti viteve të fundit, e shfrytëzojë këtë situatë si hakmarrje ndaj rivalëve dhe bashkëpartiakëve të mëhershëm”, tha Latifi.

Ai potencon se Lidhja Demokratike e Kosovës tash e 31 vite është parti me të cilën kanë kaluar procese të mëdha, dhe se kjo e fundit është aset i Kosovës.

“Votuesit llapjan kësaj radhe nuk votuan cilësinë e ndryshimit, por votuan siç është fjala; “për inati të resë më vdektë edhe djali”. Vota e llapjanëve duhet të jetë mësim i mirë për LDK-në, duke reflektuar në qasje dhe në seriozitetin e përvetësimit të porosisë, duke e përkthye në angazhim dhe qartësim të synimeve në interes të qytetarëve dhe të vendit. LDK tash e 31 vite është parti me të cilën kanë kaluar procese të mëdha. Fundja është aset i Kosovës, e cila tash duhet të reflektojë si parti, duke mos harruar nga filozofia e kryetarit historik të LDK-së dhe themeltarit të shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ai nuk ishte një njeri hakmarrës, por burrë shteti, i cili përpiqej t’i bëjë bashkë shqiptarët kundër Serbisë. Pavarësisht se çka mendon njëri ose tjetri. Ai na mësoi të identifikohemi si shqiptarë dhe të gjejmë te njëri-tjetri atë që na bashkon e jo ato që na ndajnë”, ka shtuar ai.

Latifi paralajmëron se LDK-ja është duke u dëmtuar shumë nga propaganda e shfrenuar në rrjetet sociale e të ashtuquajturve “Rugovist”, të cilët, sipas tij, më shumë përkrahin demagogjinë e Albin Kurtit se sa LDK-në në të cilën thirren si fryma Rugoviane.

“Andaj e gjithë anëtarësia e LDK-së së presidentit Rugova, me qellim të forcimit të saj si parti institucionale dhe anëtare e partive popullore evropiane duhet të reflektojë dhe që të gjitha pakënaqësitë, kritikat dhe vërejtjet qëllimmira t’i shprehin në kuadër të organeve të LDK-së. Hendikep tjetër është se LDK-në, është duke e dëmtuar edhe propaganda e shfrenuar në rrjetet sociale e të ashtuquajturve “Rugovist”, të cilët më shumë përkrahin demagogjinë e Albin Kurtit se sa LDK-në në të cilën thirren si fryma Rugoviane. Kjo kategori në emër të “Rugovizmit”, duke hedhur gurë e dru ndaj partisë së presidentit Rugova, duke përdorur fyerjet më të ulëta ndaj udhëheqjes së LDK-së me moton se kanë devijuar filozofinë Rugoviane, mbështesnin antirugovistin e përbetuar – Albin Kurti”, tha ai.

Ai është i mendimit se LDK-së i duhet kuadro të reja, për ta rifreskuar këtë subjekt.

Kurse, potencon se të gjithë ata anëtarë që po e vajtojnë Vjosa Osmanin, duke menduar se kështu nxjerrin hakun e saj duke goditur LDK-në, ai shprehet se e kanë gabim.

“Prandaj nuk është për t`u habitur se për çfarë arsye një numër kaq i madh i votuesve nuk kanë marrur pjesë fare në procesin e votimit. Poashtu, në tërë këtë amulli të krijuar nga vet “anëtarët” e LDK-së, një numër i konsiderueshëm i simpatizantëve dhe ithtarëve të LDK-së që kanë dalë në votime, mund të kenë votuar për kandidatin kundërshtar. Mendoj se udhëheqësia e LDK-së, pa humbur kohë, angazhimet duhet t’i orientojë se si të freskohet LDK me kuadra të rinj dhe çka u afron atyre në rrugën e prosperitetit - normalitetit. Ndërsa, të gjithë ata anëtarë që po e vajtojnë Vjosa Osmanin duke menduar se kështu nxjerrin hakun e saj duke goditur LDK-në, e kanë gabim. LDK-ja duhet të mbrohet, sepse nuk është parti as e Isa Mustafës as e Agim Veliut. LDK-ja është parti e dhjetëra-qindra mijë anëtarëve besnik të saj. LDK-ja nuk është e asaj kategorie, që duke iu gëzuar fitores së VV-së, po rreshtohen kah ideologu i saj Rexhep Qosja, i cili që nga themelimi i LDK-së , ka punuar dhe ka nxitur shkatërrimin e saj dhe dëmtimin e personalitetit të Dr. Ibrahim Rugova”, u shpreh veprimtari i LDK-së.

Krejt në fund, Latifi ka dhënë paralajmërimin e fundit se ata që rrinë e thonë gjithë kohën se falë meje mori kaq e aq vota LDK-ja, këta të fundit mund të shfrytëzohen përsëri në zgjedhjet nacionale nga Albin Kurti si pyka të radhës për ta shqyer lisin e quajtur LDK.

“LDK-në e mbanë gjallë anëtarësia e saj besnike shumë e gjerë që duhet nderuar e nuk duhet lënë mënjanë, të përbuzur e të shpërfillur. Është evidente se kjo parti viteve të fundit i ka lënë anash veprimtarët besnik nëpër nëndegët e saj, brenda dhe jashtë vendit, dhe ky anashkalim duhet korrigjuar. Ata duhet të thirren në skenë sepse janë qëndrestarët më besnik të cilët e mbajtën gjallë funksionimin dhe organizimin e LDK-së në kohët më të vështira. Ndërsa, parashutistët që kanë hyrë në LDK vetëm për përfitime personale në kurriz të saj, dhe ata që ikin kur shohin sherre, duhen larguar njëjtë si ata që bëhen copash e thyejnë karrige për poste, ata që çojnë bishtin përpjetë, ata që rrinë e thonë gjithë kohën se falë meje mori kaq e aq vota LDK-ja, ata/ato mund të shfrytëzohen përsëri në zgjedhjet nacionale nga Albin Kurti si pyka të radhës për ta shqyer lisin e quajtur LDK. Këtë nuk duhet mundësuar “, ka deklaruar në fund, veprimtari i LDK-së, Haki Latifi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat