“Ethet” e Kushtetutes!

Politika

“Ethet” e Kushtetutes!

 Albulena Muji Nga  Albulena Muji Më 5 dhjetor 2020 Në ora: 08:33
Ilustrim

Gjykata Kushtetuese të mërkurën mbajti seancën dëgjimore për interpretimin e ligjshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi në ditën e kur u votua Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin.

Në këtë seancë u shpalosen argumentet dhe kundër-argumentet ndërmjet palëve të përfshira.

Ndërkaq, Kryetarja e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi, ka njoftuar se palët kanë kohë deri me datë 7 dhjetor të përcjellin me shkrim argumentet rreth këtij rasti.

Kurse, ajo nuk ka dhënë datë të saktë se kur mund të merret vendimi.

“Për njoftim do të njoftohen palët dhe publiku. Tash Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet edhe në ditët në vijim do të mblidhet në seancën për këshillim dhe votim ku do të vendosë për çështjen, Palët do të informohen me kohë”, tha ajo.

Ndërkaq, ekspertët kanë komentuar “Bota sot” sot se cili do të ishte  vendimi i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese në bazë të argumenteve të dhëna gjatë mbajtjes së seancës.

Burjani: Gjykata nuk verifikon mandatet e deputetëve

Njohësi  i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se duhet të pritet verdikti i Gjykatës Kushtetuese.

Por,  ka dhënë një mendim të cilin, sipas tij, mund të veproj Gjykata Kushtetuese në këtë rast.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është çështje e Gjykatës Kushtetuese, duhet të pritet verdikti i kësaj gjykate.

Gjykata mund të shpall veten jo kompetente në këtë rast për shkak dështimit të institucioneve tjera.

Në ndërkohë jeta institucionale dhe funksionet e Kuvendit kanë vazhduar pa pengesë të funksionojnë”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Më tej, ai ka treguar se cili mund të jetë objekti i Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata nuk verifikon mandatet e deputetëve. Dhe se objekt i kësaj Gjykate mund të  jetë vetëm humbja e mandatit për shkak mos ardhjes së një deputeti gjashtë muaj në seancë”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

Krasniqi: Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të qeverisë

Njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, në një prononcim  për “Bota sot”, ka komentuar seancën e mbajtur të mërkurën, ku të gjitha palët i kanë dhënë argumentet tyre në rastin e Arifit.

Image
Islam Krasniqi

“Në bazë të dispozitave Ligjore qeveria duhet të binte sepse  numrat për formimin e qeveris ia ka siguruar edhe deputeti i cili ishte i dënuar me aktgjykim të formës së prerë,  me më shumë së një vit në mbajtje.  Vet Gjykata Kushtetuese ka qenë ajo e cila ka kontribuar në formimin e kësaj qeverie duke mbyllur sytë karshi fituesit të zgjedhjeve, duke shkelur mbi afatet ligjore, për të gjunjëzuar edhe  sovranin dhe vullnetin e popullit. Kushtetuesja qysh dje në pyetjet e saj u vërejt së anon nga qeveria,  me pyetjen së në kuvend sa deputet kanë qenë, e jo në atë që është dashur të pyetet së sa vota i ka marrë qeveria me votën e Arifi, ku pa votën e tij s`do të kalonte”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Krasniqi ka treguar se cili do të ishte vendimi i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese.

“Nga të lartcekurat kuptojmë së Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të qeverisë sepse në të kundërtën do të nxjerr në opinion shumë çështje më të cilat duhet edhe shumë kohë për interpretimin e tyre, siç janë fati i mandatari të parë, fati i marrëveshjeve, vendimeve, duke e ditur se nëse  qeveria bie, duhet të kthehet  në pikën zero gjithçka”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

 Ahmeti: Duhet vlerësim brenda kontekstit të profesionalizmit

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se shpërfaqja e argumenteve juridike duhet të vlerësohet brenda kontekstit të profesionalizmit.

Image
Hidajet Ahmeti

“Seanca dëgjimore për interpretimin  ligjshmërisë së votës së deputetit, Etem Arifi në ditën e votimit të Qeverisë Hoti,  shpërfaqi argumente dhe kundër argumente në mes palëve , të cilat  ishin të natyrës politike e juridike.  Shpërfaqja e argumenteve juridike duhet të vlerësohet brenda kontekstit të profesionalizmit e jo të shfrytëzohen beshllëqet kushtetuese e ligjore  për keqpërdorim të argumenteve relevante. Vlerësimi i ligjshmërisë bazuar në  argument juridike mund të prodhoj një situatë të pa pafavorshme për Qeverinë Hoti, por nëse boshllëqet normative shfrytëzohen për qëllime politike”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për me tepër, Ahmeti deklaron se Gjykata Kushtetuese  mund të vlerësoj si të ligjshme e votën së Arifit.

“Gjykata Kushtetuese mund të vlerësoj si të ligjshme votën e zotit Arifi. Gjykoj se me e keqja do të ishte, nëse vlerësimi i ligjshmërisë bëhet duke përdorur argumente të natyrës politike, pasi do të krijohej një precedent shumë i keq për proceset politike në të ardhmen dhe do të vazhdohej me rritjen e mosbesimit në sistemin e drejtësisë. Është shumë relevante se pasojat që do të prodhon ky vlerësim i ligjshmërisë do të jenë shumë të mëdha, por mendoj se e vërtetë dhe e drejta duhet të mbrohen me fanatizëm nga  të gjitha institucionet, posaçërisht nga institucionet e drejtësisë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që politika të ndërhy në pavarësinë institucionale”,  ka deklaruar ai për “Bota sot’.

Gjithashtu, ai deklaron se Gjykata Kushtetuese duhet të do të mbroj mandatin kushtetues e ligjor me të cilin do të dëshmohet balanci në mes pushteteve

“Nëse gjykata vendosë  si të ligjshme votën së zoti Arifi, atëherë pasojat do të jenë afatgjate në precedentin që do të krijoj. Por, besoj se Gjykata Kushtetuese nuk do të lëshohet në lojërat politike, por do të mbroj mandatin kushtetues e ligjor që ka dhe vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një besim mbi këto institucione, por edhe do të dëshmohet balanci në mes pushteteve”, ka përfunduar  Ahmeti për “Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat