Lëvizja Vetëvendosje i kthen përgjigje LDK-së për koalicion

Politika

Lëvizja Vetëvendosje i kthen përgjigje LDK-së për koalicion

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 dhjetor 2020 Në ora: 20:22
Isa Mustafa, Albin Kurti

Edhe pse qeveria aktuale po e vazhdon mandatin e saj, që nga fillimi i saj është kërkuar shkarkimi i kësaj qeverie, për shkak se është quajtur si jolegjitime. Madje, Lëvizja Vetëvendosje që ishte në qeverisje paraprake, ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për të vlerësuar kushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe votimit të deputetit Etem Arifi në seancën ku u votua për qeverinë në krye me Avdullah Hoti.

Që nga ajo kohë vazhdimisht është kërkuar rrëzimi i kësaj qeverie dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja. Kësisoj janë përmendur disa herë edhe mundësitë për koalicione të ardhshme dhe bashkëpunime ndërmjet partive.

Derisa në qeverinë paraprake të udhëhequr nga Albin Kurti, në një bashkëkoalicion me LDK-në, u bë shkak që ajo qeveri të përfundonte mandatin pas 50 ditësh qeverisje, nuk dihet nëse këto të dyja do të bashkëpunonin sërish.

Gazeta ka kontaktuar disa nga deputetët e të dyja partive për të parë qëndrimet për një koalicion të mundësh.

Ditë më parë, deputeti dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se mund të bëhen bashkë sërish me Vetëvendosjen. Këtë deklaratë Gashi e dha duke iu kundërpërgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Liburn Aliu. Ky i fundit e akuzoj LDK-në që po bëhen bashkë gjithmonë me PDK-në.

“Jemi ba bashkë edhe me ju dhe ndoshta do të bëhemi bashkë edhe në të ardhmen. Në politikë koncepti kurrë nuk ekziston. Gjithçka është e mundshme. Ideja parashkollore se le te kallet vendi se ne s’bëhemi bashkë, s’ekziston te ne e nuk duhet të ekzistojë as te ju. Do t’i japim votat tona që qytetarët të marrin pakon fiskale”, ka thënë Gashi.

Bislimi: Nuk besoj se LDK do të bëjë ndonjë koalicion parazgjedhor me ndonjë subjekt tjetër politik

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi në një prononcim për “Bota sot” thotë se, ndonëse vendimet për koalicione merren nga forumet drejtuese të partisë, nuk beson që LDK-ja do të bëjë ndonjë koalicion parazgjedhor.

Image
Faton Bislimi

“Personalisht nuk besoj se LDK do të bëjë ndonjë koalicion parazgjedhor me ndonjë subjekt tjetër politik, edhe pse këto janë vendime partiake dhe merren në forumet përgjegjëse e drejtuese të partisë”, thekson deputeti Bislimi.

Ai tutje thotë se LDK-ja ka kapacitete të mjaftueshme për të dalë e vetme në zgjedhje e radhës. Mirëpo ai e përsërit se LDK-së i duhet një ribrendim politik. Deputeti Bislimi thotë se ky ribrendim është një mundësi për LDK-në dhe një përkushtim për Kosovën.

“Nuk kam dyshim se LDK ka kapacitete të mjaftueshme që të dalë para qytetarëve e vetme si parti në zgjedhjet e radhës. Por, sic e kam thënë edhe në parti, por edhe publikisht tanimë, unë besoj se LDK-së i duhet një ribrendim politik i bazuar në kohezion të brendshëm dhe marrje të përgjegjësisë. Suksesi ynë në zgjedhje varet nga oferta jonë për elektoratin, dhe nga ajo se kush e prezenton këtë ofertë, dhe kush i prinë partisë. Ribrendimi politik është mundësi per LDK-në dhe përkushtim për Kosovën. Andaj, si e tillë, LDK do të rikthehet fuqishëm për t'i shërbyer Republikës dhe qytetarit, përtej interesit vetanak partiak. Kjo është frymë që i bën hajr edhe politikës sonë edhe shtetit tonë!

Limani Hajnuni: Ҫështjen e koalicioneve e vendosin organet e LDK-së

Ndërkaq deputetja e LDK-së, Vlora Limani Hajnuni në prononcim për “Bota sot” thotë se ata janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që mbahen. Ndërkaq sa i përket koalicioneve për atë vendosin organet e LDK-së dhe si Grupi Parlamentar i kësaj partie.

Image
Vlora Limani Hajnuni

“LDK është e gatshme për zgjedhje kur do që mbahen ato. Ҫështjen e koalicioneve e vendosin organet e LDK-së, përfshirë edhe Grupi Parlamentar i LDK-së. Njëjtë siҫ është vepruar edhe herave të kaluara”, thotë deputetja e LDK-së.

Batusha: Nuk bëjmë koalicion me parti tjera, as me LDK-në

Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha në një përgjigje për “Bota sot” ka folur për mundësinë e një koalicioni me LDK-në. Ai ka thënë se Vetëvendosja do të jetë fituese e zgjedhjeve të ardhshme me një diferencë të madhe ndaj partive tjera. Sipas deputetit Batusha, ata që kanë tradhtuar votën e qytetarëve, nuk të drejtë të flasin në emër të tyre.

Image
Agon Batusha

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë fituese e zgjedhjeve të ardhshme Parlamentare, me diferencë të madhe ndaj partive të tjera. Ata që tradhëtuan besimin e qytetarëve të dhënë me 6 Tetor 2019 përmes votës, nuk kanë aspak të drejtë të flasin në emër të atyre që i tradhëtuan”, thotë deputeti Batusha. 

Tutje, deputeti i Vetëvendosjes thotë se qeverinë do ta bëjnë vetë me përkrahjen e subjekteve minoritare joserbe dhe deputetëve individual.

“Aleanca jonë do të jetë vetëm me qytetarët e Republikës sepse është e vetmja garancë për ndryshime substanciale në Kosovë. Besojmë që qeverinë e ardhshme do të bëjmë vetë, eventualisht me përkrahjen e subjekteve minoritare joserbe dhe atyre deputetëve individual që kanë vullnetin të bëhen bashkë me vullnetin e qytetarëve për të bërë një qeveri që lufton krimin dhe korrupsionin, e poashtu bënë reforma dhe sjellë zhvillim për vendin”, thekson deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat