Petkoviq në Kosovë, provokoi shqiptarët – vizitoi Skenderajn, Bekim Jashari emocionohet!

Politika

Petkoviq në Kosovë, provokoi shqiptarët – vizitoi Skenderajn, Bekim Jashari emocionohet!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 dhjetor 2020 Në ora: 09:16
Bekim Jashari

Gjatë ditës hënë drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka përfunduar ditën e tij të parë të vizitës së tij në veri të Kosovës me një vizitë në manastirin e fshatit Bajë të Skenderajt.

Në manastirin e Bajës, Petkoviq bisedoi me peshkopin serb Teodosije. Të dy paralajmëruan investime të reja të Serbisë në kisha dhe manastire në Kosovë.

Kjo vizitë e Petkoviq ngjalli reagime të mëdha duke mos e parë të arsyeshme këtë vizitë në Republikën e Kosovës.

I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari u shpreh që nuk ka qenë në dijeni për këtë vizitë njëherit ka kërkuar falje nga qytetarët.

Sipas tij është dashur që zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të kenë koordinim me kryetarin e Skenderajt.

Jashari thotë se këto veprime janë shembull jo i mirë i qeverisjes, dhe kërkon që mos të përsëritën më.

Bajraj: Vizita e Petkoviqit legale, deklarata e Jasharit emocionale

Në lidhje me këtë temë njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që nuk duhet të dominojnë emocionet tek liderët e vendit pavarësisht arsyes.

Image
Fatmir Bajraj

Bajraj vazhdon të thotë që konform ligjeve pozitive të vendit në konsultim me zyrën e Kryeministrit Avdullah Hoti, ka dhënë leje për të hyrë në Kosovë Drejtorit të të ashtuquajturës: "Zyrë për Kosovë", pasuesit të Marko Gjuriqit, z. Petar Petkoviq.

“Arsyeja duhet të dominoj emocionet çastit, ngase shteti është projekt nacional i përhershëm dhe jo produkt emotiv dhe inkoherent! Konformë ligjeve pozitive të vendit, marrëveshjes së Brukselit dhe kompetencave kushtetuese të Qeverisë dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës të sanksionuare në Nenin 93 dhe 94, MInistria e Punueve të Jashtme, në konsultim me zyrën e Kryemnistrit Avdullah Hoti, ka dhënë leje për të hyrë në Kosovë Drejtorit të të ashtuquajturës: "Zyrë për Kosovë", pasuesit të Marko Gjuriqit, z. Petar Petkoviq. Pas vizitës që i bëri manastirit të Bajës së Skenderajt, për çfarë nuk ishte paralajmëruar Kryetari i Komunës z.Bekim Jashari, ky i fundit lëshoj një deklaratë publike dhe kërkim falje qytetarëve për vizitën e padëshiruar të zyrtarit serb : "Qytetarë të nderuar, ky nuk është shteti për të cilin luftuan e sakrifikuan dëshmorët e heronjtë tonë". Deklarata e z.Jashari është tepër emocionale dhe mund të quhet edhe akuzë e rënd ndaj mënyrës së qeverisjes dhe Qeverisë Hoti, e cila n'rastin konkret ishte në krye të detyrës dhe vendimi i koordinuar i z. Hoti me MPJD, ishte përgjegjësi ekskluzive kushtetuese e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, ku ligji themelor i saj është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila determinon dhe sanksionon qartë normat e sjelljes së Institucioneve, pushteteve të ndara dhe titullarëve, në të kundërtën; nuk do jemi serioz me vetveten dhe as me partnerët tanë strategjik dhe s'mund të trajtohemi si shtet”, u shpreh Bajraj.

Më tej, Bajraj potencon që është koha që Kosova të lë anash dhimbjen dhe të shikoj para e të mos mbetët peng i dhembjeve por jo të i harroj ato. Sipas Bajrajt është koha që vendi të filloj me respektimin e vetvets dhe ligjeve të BE-së në mënyrë që të jetë e hapur me vendet e tjera.

“Logjika tribale dhe bajraktareske në marrjen e vendimeve shtetërore duhet t'marri fund njëherë e mirë, ngase vendi nuk duhet të mbetet peng i emocioneve dhe politikes folkloriste në shërbim të turmave. Përkundër dhimbjeve, plagëve tona të cilat kullojnë gjak, tani e mbi dy dekada, plagë të cilat s'mund t'i dhe s'do t'i harrojmë kurrë, megjithatë vendit dhe të ardhmes së brezave i duhet prespektivë e qartë euro-perëndimore dhe veri-atlantike, dhe kjo bëhet dhe arrihet duke respektuar vetveten dhe të tjerët, duke përqafuar e promovuar vlerat e qytetërimit përndimor, duke filluar nga Ligjet e BE-së, marrëveshjet e nënshkruara nderkombëtare dhe obligimet e marra nga Bashkësia Ndërkombëtare. Moralizimet, tribalizmi dhe sjelljet kanunore, nuk kan vend në një shoqëri demokratike e cila pretendon integrimet perëndimore dhe absorbimin e vlerave të tyre. Presidenti historik Rugova, jo pa të drejtë në kontekstin historik kërkonte: "Një Kosovë të pavarur, e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, e integruar në BE dhe në NATO, dhe n'miqësi t'përhershme me SHBA-të" ! Kosova nuk mund t'i mbroj interesat e Kosovës Lindore poqëse nuk respekton serbet lokal dhe të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, u shpreh Bajraj për “Bota sot”.

Kelmendi: Për Serbinë, Republika e Kosovës nuk ekziston

Njohësi tjetër i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që qarkullimi i serbëve në Republikën e Kosovës na lë të kuptojmë që Serbia e konsideron ende Kosovën vend serb dhe nuk njeh asnjë normë juridike të shtetit të Kosovës, gjë që pamundëson funksonimin e shtetit tonë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova është bërë vend pa rregulla juridike dhe po duket tamam sikurse organet e shtetit te Republika mos të funksionojnë. Në Veri të Vendit dhe nëpër komuna me nga 100 banorë të krijuara nga Prishtina po qarkullojnë kriminelët serbë. Ata qëndrojnë dhe veprojnë duke mos iu nënshtruar normave juridike të shtetit. Për Serbinë, Republika e Kosovës nuk ekziston. Ata e konsiderojnë juridikisht Kosovën një vend serb. Këtu qëndron fakti i mos funksionimit të ri të shtetit”, thotë Kelmendi.

Në fund Kelmendi, u shpreh që Republika duhet të funksionojë për atë arsye ka edhe kufijtë e saj dhe se deklarata e Jasharit që nuk është në dijeni për këtë vizitë është e arsyeshme sepse nëse je në pushtet atëherë duhet të kesh përgjegjësi për këtë vizitë.

Kelmendi thotë që edhe për këtë vizitë duhet qeveria Hoti të jep përgjegjësi.

“Republika kërkohet dhe duhet të funksionojë. Kufinjtë ekzistojnë, ata janë kufijë shtetëror, kudo ruhen me forca policore dhe ushtarake. Mjafton një vizitë jo juridike të kapesh dhe të dënohet. Këtë duhet të bëj shteti i Kosovës. Nuk ka fare arsyetim ajo se e kam apo nuk e kam ditur! Pse je në pushtet? Çfarë bënë pushteti qendror? Pse lejon këto shitje në Republikë? Pse lejohen këto shetitje në Kosovë? Qeveria Hoti duhet të përgjigjet dhe të japi informata adekuate. Në të kundërtën nuk ka përgjegjësi dhe duhet të lëshoi rrugë”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat