Nis “gjuetia” e Vjosa Osmanit – profesori tregon sa deputetë do ia marrë LDK-së

Politika

Nis “gjuetia” e Vjosa Osmanit – profesori tregon sa deputetë do ia marrë LDK-së

Nga: A.Morina Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 17:39
Vjosa Osmani

Përplasjet politike në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vjosa Osmanit, kohëve të fundit kanë filluar të shpeshtohen.

Osmani vetëm pak ditë më parë deklaroi se në zgjedhjet e reja do të garoj me listën e saj zgjedhore dhe jo me LDK-në.

“Në zgjedhje garoj me listën time, LDK-së i ka mbetur vetëm logoja”, u shpreh Osmani.

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, komentoi ambiciet politike të Vjosa Osmanit. Ai tha se Osmani me listën e saj në zgjedhjet e ardhshme do të jetë konkurruese dhe sfiduese ndaj të gjitha partive politike në vend.

“Deklarata e Vjosa Osmanit, se, gjatë zgjedhjeve do garoj me listën e saj, është e mirëpritur e do jetë mjaft konkurruese e sfiduese jo vetëm për ish-partinë e saj të LDK-së, por edhe ndaj partive tjera konkurruese në Kosovë”, deklaroi Mehazi.

Profesori vlerësoi se deklarata e Osmanit ndaj LDK-së nuk është fyese, pasi ajo në zgjedhjet e 6 tetorit e pasuroi LDK-në me numër të madh të votave.

“Lista e deputetëve në krye me Vjosa Osmanin do gëzonte shumicën e votuesve të LDK-së e kurrsesi të fyente për shkak principeve jo devijuese të saja politike, principe që janë të përshtatshme me votuesit e LDK-së që nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, ku ajo e pasuroi LDK- në me një numër goxha të madh votash”, nënvizoi Mehazi.

Profesor Mehazi përmendi edhe disa veti të Osmanit, duke e cilësuar të pathyeshme, pozitive me frymëmarrje të re politike. Ai u shpreh se nuk beson se nuk do ta pret fati i njëjtë si i PSD-së, pas largimit të saj nga LDK-ja.

“Vjosa Osmani është kategori e politikes së re kosovare, me plotë energji pozitive dhe me principe të pathyeshme e të hekurta politike që së bashku me LVV-në e Albin Kurtit do i japin Kosovës një frymëmarrje të re politike, partia e Vjosa Osmanit kurrsesi nuk mund të përfundonte sikurse PSD-ja e partitë tjera në zhdukje, theksoi profesori, përcjell "Bota sot".

Ai mendimin e ti e mbështeti bazuar në votuesit e Kosovës, ku sipas tij, ata kanë mentalitet të opozitës, të cilën e dëshmuan në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“E themi këtë për shkak se votuesit e Kosovës dallojnë prej shqiptarëve në Shqipëri e Maqedoninë Veriore që votojnë çdoherë pozitën, përkundrazi qytetarët e Kosovës kanë mentalitetin e opozitës, kjo u dëshmua me fitoret e partive opozitare të LVV-së e LDK-së gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të tetorit”, nënvizoi Mehazi.

Në fund, profesori paralajmëroi Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se Vjosa Osmani do të ia merrte 6 ose 7 deputetë të grupit parlamentar.

“Partia e re e Vjosës do ta dëmtonte LDK-në me më pak 6-7 deputetë  për të bërë  grupin e saj parlamentare e për të konkurruar në qeverinë e ardhshme të Kosovës. Kosova deri më tani asnjëherë nuk ka pasur politikane aq bindëse, titanike e të hekurt sikurse Vjosa Osmanin. Albin Kurti e Vjosa Osmani do mbeten përfaqësuesit e avangardës shpresë dhënëse politike të Republikës së Kosovës”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat