Bytyçi, porosi Vjosa Osmanit: Kujdes me Albin Kurtin!

Politika

Bytyçi, porosi Vjosa Osmanit: Kujdes me Albin Kurtin!

Nga: A.Zh Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 18:27
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, foto ilustrim nga "Bota sot"

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka thënë se ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, duhet të tregojë më shumë maturi në debatin me kundërshtarët e saj.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka këshilluar Osmanin që të mos të identifikohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

“Nga Vjosa Osmani do të doja më shumë maturi, më pak karshillëk, më pak municion verbal për kundërshtarët e saj. Ajo e ka betejën të fituar sa kohë që si kauzë të saj ka luftën kundër korrupsionit dhe ruajtjen e interesave nacionale të shtetit e të vendit. Vetëm të bëjë kujdes të mos identifikohet me Albin Kurtin”, është shprehur Bytyçi.

Megjithatë, sipas tij, Kurti dhe Osmani duhet të bashkohen kur bëhet fjalë për çështjet kryesore.

“Sigurisht që në çështjet kryesore Vjosa Osmani dhe Albin Kurti bashkohen. Por, kreu i Vetëvendosjes është përpjekur ta zhvleftësojë rolin e figurën e saj, kur ka përmendur vazhdimisht Vjosën si të ishte anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Duhet të përcaktojë disa vija ideologjike ndarëse, edhe pse bashkohen në principet kryesore të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit”, ka thënë Enver Bytyçi.

Ai ka treguar edhe dallimin mes Osmanit dhe Kurtit.

“Vjosa kurrë nuk ka qenë kundër institucioneve të Kosovës, përkundrazi i ka dashur dhe respektuar ato maksimalisht, gjë që nuk ka ndodhur te Albin Kurti. Ky nuk është dallim i vogël midis tyre”, ka thënë profesori për “Bota sot”./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat