Analisti politik: Vjosa Osmani kalon pragun dhe i bashkohet Albin Kurtit

Politika

Analisti politik: Vjosa Osmani kalon pragun dhe i bashkohet Albin Kurtit

Nga: A.SH Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 22:09
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Sipas gjendjes politike në vend dhe deklaratave të krerëve politikë të vendit, gjasat më shumë janë që Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve.

Kurse u.d së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se do të garoj me listë të vet në zgjedhje e jo me LDK.

Analisti politik, Sulejman Mehazi për “Bota sot” ka thënë se, këto përplasjet mes partive politike do bëhen shkas për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ai thotë se, këto përplasje e mosmarrëveshje koalicionuese për president më së shumti ju konvenon dy personaliteteve politike Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, e cila me bindjet e saja politike do ta dëmtonte shumë ish-partinë e saj të LDK-së.

“Përplasjet e fundit të partive politike në Kosovë për president do bëhen shkas për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Mosmarrëveshjet e thella partiake kanë kapur kulmin, sa që asnjëra prej partive nuk mund të mbërri numrin e duhur të dy të tretave të votave në parlamentin e Kosovës për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Kosovës, shihet qartë se asnjëri prej liderëve nuk lëshon pe për presidentin e Kosovës, as Haradinaj ndaj të tjerëve, as Isa Mustafa, as PDK-ja, e mos të bisedojmë për principet e ashpra politike të Albin Kurtit që këmbëngulë për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare. Këto përplasje e mosmarrëveshje koalicionuese për president më së shumti ju konvenon dy personaliteteve të shquara politike Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, e cila me bindjet e saja politike do ta dëmtonte shumë ish-partinë e saj të LDK-së”, shprehet Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

 

Sipas tij, deklarata e Vjosa Osmanit se do dalë e vetme në zgjedhje është shumë sfiduese e sulmuese për LDK-në e Isa Mustafës dhe se qëllimi i saj është të dobësojë ish-partinë e saj të LDK-së dhe e ka kuptimin e një revanshizmi politik.

“Deklarata e Vjosa Osmanit se do dalë e vetme në zgjedhje është shumë sfiduese e sulmuese për LDK-në e Isa Mustafës. Edhe pse shumica mendojnë se gjatë zgjedhjeve Vjosa do të eliminohet nga skena politike dhe se fati i saj do jetë i njëjtë si i Dacit, Bukoshit e Limajt, po nuk do të ndodhë kështu, dallimi i Vjosës prej të lartpërmendurve është i madh, ajo gjatë zgjedhjeve të kaluara të tetorit ishte bartëse kryesore e kampanjës zgjedhore të LDK-së, mbi supet e saja LDK-së i erdhën mbi 150,000 vota, pastaj principet politike të paluhatura që nga kampanja e 6 tetorit e deri më tani e bëjnë Vjosën të besueshme për t'ia dhënë votën asaj. Kjo besueshmëri e qytetarëve ndaj Vjosa Osmanit do ta dëmtojë shumë LDK-në e Isa Mustafës me më pak 30% të votave për Vjosa Osmanin, aq sa grupi i deputetëve të Vjosës do ta kalonte pragun për të bërë grup të konsiderueshëm të deputetëve për të konkurruar në qeverinë e ardhshme të Kosovës së bashku me Albin Kurtin. Shkurt e qartë, qëllimi i Vjosa Osmanit është të dobësojë ish-partinë e saj të LDK-së dhe e ka kuptimin e një revanshizmi politik”, përfundon Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat