Deklaratat fyese të Ivica Daçiqit si pasojë e politikës së keqe të Hashim Thaçit, e që tash gjendet prapa grilave

Politika

Deklaratat fyese të Ivica Daçiqit si pasojë e politikës së keqe të Hashim Thaçit, e që tash gjendet prapa grilave

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 dhjetor 2020 Në ora: 13:04
Hashim Thaçi

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daciq ditë më parë ka thënë se presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja Madeleine Albright “kanë gënjyer se serbët kryen masakra e vranë civilë”.

Daçiq ndër të tjera ka përmendur Engel duke thënë se të gjithë janë të kënaqur që ai nuk do të jetë më në Kongres dhe se paraqitja e ish-Sekretares Madeleine Albright ngjalli reagime të mëdha tek shteti i Serbisë, sepse ajo ishte në administratën e Bill Clintonit që “vranë njerëz këtu për Shqipërinë e Madhe”, duke vazhduar të thotë që “Clinton dhe Albright gënjyen se serbët kryen masakra, vranë civilë dhe në fund doli se asnjëra s’ishte e vërtetë”, u shpreh Daçiq.

Kjo deklaratë vjen menjëherë pas asaj që Vuçiq kishte thënë se “masakra e Reçakut ishte e “inskenuar”, shkruan “Bota sot”.

Ndaj kësaj deklarate reagoi ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila u shpreh që është jonjerëzore dhe e neveritshme që udhëheqësit serbë mohojnë krimet e luftës sërish.

Osmani tha se “kur presidenti Clinton dhe sekretarja Albright folën për Kosovën ata zgjodhën të vërtetën para gënjeshtrës, njerëzoren para jonjerëzores dhe se zgjodhën mbrojtjen e jetëve, dinjitetin dhe të drejtën për të ekzistuar të njerëzve të Kosovës”, u shpreh Osmani ndër të tjera.

Të kontaktuar nga “Bota sot”, njohësit e çështjeve politike u shprehën që kjo deklaratë nuk është befasi më për vendin tonë mirëpo ajo se çfarë është për tu çuditur është që ndaj kësaj deklarate nuk kanë reaguar liderët e tjerë por vetëm ushtruesja e postit të presidentit, Vjosa Osmani.

Ata kërkuan që ndaj kësaj deklarate të mos heshtin as ndërkombëtarit sepse nëse vazhdojnë këto lloj deklarata atëherë nuk do të ketë kuptim as vazhdimi i dialogut.

Qarri: Ndaj deklaratës së Daçiqit reagoi vetëm Osmani

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që Kosova nuk ka qeveri stabile dhe për këtë arsye mundësi për të ecur përpara dhe zhvilluar është e vështirë.

Image
Gani Qarri

Qarri përmend që Kosova deri tash që ishte në krye me Thaçin ka bërë që Serbia të kalojë në avantazh edhe publikisht të i akuzojë për “shpifje” miqtë e mëdhenj ndërkombëtar, si Klinton e Albright.

“Duke parë se Kosova nuk ka Qeveri stabile dhe udhëheqës si duhet të cilët do të dinin ta mbronin nga sulmet e jashtme dhe të punonin si duhet për ecjen përpara dhe zhvillimin e brendshëm të saj, si dhe faktin se Kosova tash e mbi një dekadë udhëhiqet nga ish punëtor hekurudhash në perëndim si Hashim Thaçi, roje të lokaleve të natës si Haradinaj dhe politikbërës tjerë amator e aventurier si “baushtellci” Fatmir Limaj deri te jugonastalgjikët dhe bashkëpunëtorët e devotshëm të Rrahman Morinës e Sllobodan Millosheviqit si Isa Mustafa me shokë, Serbia ka kaluar avantazh dhe nisur sulmet e hapura kundër Kosovës dhe miqve më të mëdhenj të saj, siç e pat edhe sot Serbia shoviniste dhe pushtetarët e saj, të luajnë në mënyrën më të paskrupullt me Kosovën, duke akuzuar publikisht për “shpifje” edhe miqtë e saj më të mëdhenj ndërkombëtar, si Klinton e Albrieght”, u shpreh Qarri.

Tutje, Qarri potencon që këto deklarata nga shteti i Serbisë vjne fal ish-presidentit Thaçi i cili dhe kërkoi të ndahej Kosova e kështu duke iu jepur mundësia edhe Daçiqit të i akuzojë shpëtuesit e Kosovës me propaganda të tilla.

“Duhet kujtuar mijëra kidnapimet e djemve tanë më të mirë, trupat e vrarë të të cilëve vazhdojnë të zbulohen edhe sot, mbi 21 vite pas lufte, nëpër varrezat masive kudo në Serbi, por falë sharlatanëve politik si Thaçi i cili pak para se të shkonte atje ku gjendet sot, kërkonte edhe ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë, Aleksandër Vuçiq e solli punën deri aty, sa vet Thaçi me shokë të gjenden të arrestuar, për krime lufte e krime kundër njerëzimit, në Hagë, dhe në vend që Serbia të marrë përgjegjësinë për krimet dhe gjenocidin e shkaktuar ndër vite prej saj, në Kosovë, ti vije radha edhe Daçiqit, ti akuzojë shpëtuesit e Kosovës dhe të shqiptarëve nga shfarosja, si Klinton e Albright, për shpifje dhe "propagandë" Kështu që, krejt kjo dëshmon se politikbërsësit aventurier me kuislingun Hashim Thaçi në krye”, thotë Qarri.

Më tej, analisti thekson që arrestimet nga Specialja i kanë mundësuar Daçiqit qe të mohojë krimet e luftës të Serbisë dhe të ketë mundësinë të akuzojë edhe Clintonin dhe Albright se kinse kanë gënjyer botën. Kjo deklaratë është e patolerueshme dhe kundërnjerëzore e që për këtë deklaratë ka reaguar vetëm ushtruesja e postit të presidentit Vjosa Osmani.

“Derisa u arrestuan nga Gjykata Speciale në Hagë, duke i dhënë mundësi Daçiqit, që jo vetëm ti mohoj krimet e luftës të shkaktuara nga shteti okupator serb në Kosovë, por të akuzojë edhe ish Presidentin Bill Clinton dhe Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright, se kinse ata gënjyen botën, pse paraqitën para opinionit botëror, historinë e gjenocidit të kryer nga Serbia më ‘99, në Kosovë, gjë që vërtetë është plotësisht e pa tolerueshme, e neveritshme dhe tërësisht kundërnjerëzore. Për aq më tepër, është edhe për të ardhur keq, se përveç Ushtrueses të Detyrës së presidentit, zonjës Vjosa Osmani, duket se nuk reagoi pothuajse askush seriozisht, nga zyrtarët e lartë shtetëror dhe ajo ishte ndër të paktat, nëse jo edhe e vetmja nga strukturat e larta të vendit, që reagoi me kohë dhe si duhet, kundër deklaratave cinike të pasardhësve të kasapit Millosheviq, vogëlushit sharlatan e sahanlëpirës Ivica Daçiq, i cili ofendon hapur shtetin e Kosovës dhe miqtë tanë më të mëdhenj ndërkombëtar”, u shpreh Qarri për “Bota sot”.

Ahmeti: Deklarata e Daçiqit shpërfaqë logjikën propaganduese të shtetit të Serbisë të krimeve ndaj Kosovës

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që deklaratat e tilla dëshmojnë që Serbia nuk janë të pjekur për vazhduar rrugën për anëtarësim ndërkombëtar.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas Ahmetit deklarata e Daçiqit ka shpërfaqur logjikën propaganduese të shtetit të Serbisë për të amnistuar krimet gjenocidiale ndaj Kosovës e që edhe njëherë tregon që mendësia politike hegjemoniste serbe nuk ka ndryshuar.

“Deklarata të tilla dëshmojnë se Serbia dhe udhëheqësit e saj akoma nuk janë të pjekur për të vazhduar rrugën për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë. Por, njëkohësisht kjo deklaratë e Ivica Daçiq kinse ish-presidenti “Bill Clinton dhe ish-sekretarja Albrighet kishin gënjyer se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë” shpërfaqë logjikën propaganduese të tyre me tendencën për të amnistuar krimet gjenocidiale që ka shkaktuar Serbia ndaj popullatës të pafajshme shqiptare në Kosovë. Mendësia politike hegjemoniste serbe nuk ka ndryshuar dhe akoma deklaratat e tyre prodhojnë logjikën e urrejtjes dhe assesi nuk ndihmojnë drejtë paqes , stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë”, thekson Ahmeti.

Tutje Ahmeti thotë që klasa politike shqiptarë në Kosovë duhet të ndryshojë strategjinë e dialogut e jo të vazhdojë me logjikën që ka ndjekur që nga viti 2011. Sipas analistit ndaj kësaj deklarate duhet reaguar në mënyrë që të i bëhet me dije edhe BE-së se nuk ka kuptim dialogu nëse vazhdohet kjo mënyrë e komunikimit.

Gjithashtu Ahmeti potencon që Kosova si viktimë duhet ta padisë Serbinë për krimet që ka kryer ndaj popullatës të pafajshme shqiptare.

“Mendoj se, edhe klasa politike shqiptare në Kosovë duhet të ndryshoj strategjinë e dialogut e jo të vazhdojë me logjikën nënshtruese, të cilën e kanë ndjekur që nga viti 2011. Elita politike në Kosovë duhet të reagoj ndaj kësaj deklarata, por njëkohësisht t’ia bëj me dija Bashkimit Evropian se, nëse agresori vazhdon me këtë gjuhë të komunikimit atëherë dialogu nuk ka kurrfarë kuptimi, vetëm sa afron Serbinë ndaj BE-së, por nuk stabilizon raportet e as nuk sjellë paqe në rajon. Kosova, si viktimë duhet patjetër të padisë Serbinë për krimet që ka shkaktuar ndaj popullatës të pafajshme shqiptare, vrasjet, dhunimet, maltretimet, dëmet ekonomike, të pagjeturit etj., përndryshe Serbia do ta luaj rolin e viktimës në raport me ndërkombëtarët dhe do të përsërisë në vazhdimësi deklaratat e tilla të rrejshme”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat