Deklarata “flakë për flakë e me zë të ngritur” e Hotit kundër Vuçiqit

Politika

Deklarata “flakë për flakë e me zë të ngritur” e Hotit kundër Vuçiqit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 dhjetor 2020 Në ora: 08:17
Avdullah Hoti dhe Aleksandër Vuçiq

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetët një temë aktuale e cila nuk po mund të gjej zgjidhje edhe pse bisedimet mes dy shteteve po vazhdojnë.

Mirëpo ajo se çfarë zgjoi reagime kohët e fundit janë “grindjet në distancë” mes kryeministrit të vendit, Avdullah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ishte i pari i shtetit të Serbisë, Vuçiq i cili u shpreh që Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, transmeton "Bota sot".

“Deri në prill të 2022-s, kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, Beogradi sigurisht se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq i pyetur nëse e përjashton mundësinë e njohjes së Kosovës. “Pas kësaj vendos populli”, ka shtuar presidenti serb.

Kundërpërgjigja e Hotit

Kundërpërgjigje për këtë deklaratë padyshim që pati kryeministri Hoti i cili theksoi që, “nëse nuk ka njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë”.

Hoti shkroi tutje që “deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut ndërmjet dy vendeve”.

Kujtojmë që kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë më 4 shtator të këtij viti, ka nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Trump, një marrëveshje për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nuk ka filluar së zbatuari akoma, ndonëse pala nga Kosova thotë se ajo marrëveshje do të zbatohet.

Bajraj: Deklarata e Vuqiçit, test për interlocutorët

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që deklarata e Vuçiqit është patetizëm politik nga ana e tij dhe se njëkohësisht po është një testim për projeksionet e BE-së dhe presidentit Biden në lidhje me dialogun Kosovë Serbi.

Image
Fatmir Bajraj

Bajraj më tej, thotë që kjo deklaratë e tij është vetëm dëshpërim që ai po sheh në këtë dialog sepse fundi i këtij dialogu do të jetë njohje reciproke.

Përplasjet në distancë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit serb, A. Vuçiq, plotësojnë vakumin e krijuar në dialog nga ana e Vuçiqit, i cili në njërën anë,me patetizëm politik flet për konsum të brendshëm dhe në anën tjetër lëshon një blof-balon në ajër me të cilin teston projeksionet e BE-së karshi dialogut, Kosovë- Serbi dhe në anën tjetër, sfidon Administratën e Re në ardhje në Shtëpinë e Bardhë n'krye me Presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden. Në deklaratën e Vuçiqit, se nuk do njihet pavarësia e Kosovës deri në vitin 2022 me arsyetimin se deri sa ai të jetë president, “Kosova dhe Metohija” nuk do njihet si e pavarur. Eufemizmi i deklaratës së Vuqiqit, fsheh në vete dëshpërimin e tij në lidhje me kontekstin historik dhe gjeostrategjik të dialogut dhe ngushtimin e rrathëve për shtyrje në pafundësi të epilogut final nga ky dialog i cili do të ketë njohje reciproke dhe në kufijtë e shpallur e të pranuar nderkombëtarisht, si dhe një Kosovë unitariste dhe e integruar në BE dhe në NATO.

Përgjigja e Kryeministrit Hoti, e qartë dhe e fuqishme!

Analisti komenton edhe deklaratën e Hotit që iu përgjigj Vuçiqit duke e quajtur të qartë dhe të fuqishme, shkruan “Bota sot”.

Bajraj thotë që Hoti ka vepruar ndryshe nga Thaçi duke mos u shantazhuar nga regjimi kriminal i Serbisë dhe duke mos prekur interesat nacinal-shtetëtrore të Kosovës.

“Reagimi i Hotit ishte i pritshëm dhe i pa ekuivoke, ngase tanimë është e qartë se përmbyllja e e këtij procesi duhet të ndodhë pa humbur kohë, duke i vënë n'dijeni presidentit serb, Vuçiq se Kosova është n'dialog për njohje reciproke me parimet të cilat janë n'harmoni me Ligjet pozitive të vendit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare, sidomos pas aktgjykimit të GJND-së së 22 korrikut 2010. Kryeministri Hoti, për dallim nga pararendësi në Dialog, pra nga z. Hashim Thaçi, i cili ishte i shantazhueshëm dhe i shantazhuar nga regjimi kriminal i Serbisë, dhe i cili gati nuk firmosi ndarjën dhe copëtimin e Kosovës, vetëm për ta shpëtuar "lëkurën", z.Hoti nuk shantazhohet dhe nuk prek interesat nacional-shtetërore të Republikës së Kosovës, premtim kushtetues dhënë Parlamentit të Republikës së Kosovës, institucion para të cilët përgjigjet Kryeministri si drejtues i bisedimeve. BE, të ketë qasje e qëndrim balancues, ose të lëshoj "timonin", u shpreh Bajraj.

Në fund, analisti thekson që një dështim eventual i BE-së, për shkak të kompleksitetit kontekstual politik brenda unionit, detyron SHBA-të, që të ndërhyjnë më fuqishëm drejtë përmbylljes definitive të këtij procesi të dialogut me Serbinë të filluar në vitin 2011.

“Një dështim eventual i BE-së, për shkak të komleksitetit kontekstual politik brenda unionit, detyron SHBA-të, që të ndërhyjnë më fuqishëm drejt përmbylljes definitive të ketij procesi të dialogut me Serbinë të filluar në vitin 2011. Kosova dhe shqiptarët, kanë rrugën njëkahëshe ; atë të integrimit në BE, në NATO dhe n'miqësi speciale dhe ekskluzive me SHBA-të dhe Administratën amerikane, çdo qasje dhe orientim tjetër, është fatal për Kosovën dhe shqiptarët, për çfarë ka provuar edhe historia e jonë kombëtare në mbi një shekull”, përfundoi Bajraj për “Bota sot”.

Qarri: Deklarata e Hotit fsheh prapa vetes pafuqinë totale të Qeverisë

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar në lidhje me deklaratën që lëshoi Vuçiq dhe kundërpërgjigjen që dha kryeministri Hoti.

Image
Gani Qarri

“Vërtetë është shumë vonë dhe tepër hipokrizi, që tek tani z.Hoti të shprehet kaq fort i bindur se kinse sipas tij, dialogu paska rifilluar për marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke me Serbinë, kur vetëm pak kohë më parë, vet z. Hoti personalisht, ishte ai që hoqi dorë nga pika për njohjen reciproke, të cilën e kishte mbi tavolinë në Uashington. Për aq më tepër, ish ministri i informatave në qeverinë e Sllobodan Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq këto ditë njoftoi edhe një herë më tepër, se qëllimi i rifillimit të bisedimeve me Kosovën, nuk ka qenë njohja, por heqja e taksës për plasimin e mallrave serbe, në sasinë vjetore mbi 500-600 milion euro, pa asnjë metelik në tregun e Republikës tonë, kurse sa i takon njohjes së shtetit të Kosovës, ai tha se kjo nuk do të ndodhë as në prillin e vitit 2022, kur pritet të mbahen zgjedhjet për president në Serbi”, u shpreh Qarri.

Më tej, analisti thotë që deklarata e Hotit ishte me një “përmbajtje të ashpër e zë të ngritur” dhe “flakë për flakë” mirëpo që këtyre fjalëve është pak vështirë sepse në Uashington vetëm pritej për tu nënshkruar njohja reciproke nga të dy palët në Uashington, por vet hoqi dorë vullnetarisht prej saj

“Madje megjithëse në deklaratën më të re cinike të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se përderisa të jetë ai president, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, sërish erdhi edhe një përgjigja pompoze me "përmbajtje të ashpër e zë të ngritur" dhe "flakë për flakë" e kryeministrit “trim e të paepur”, të pakicës në shtetin tonë, Avdullah Hoti, se: Nëse nuk ka njohje për Kosovën, nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë, pas dështimit apokaliptik në Uashington dhe humbjes së çantës, plot dokumente sekrete kryeministrore, gjatë takimit me delegacionin serb në Bruksel, fjalëve të tij, është shumë vështirë, tu besojë më kush. Dhe megjithëse kjo ishte thënia më famoze për këtë vit,e kryeministrit të qeverisë minore, që z Hoti e mbanë me qykë të zorit në këmbë, duke pasur parasysh faktin se pavarësinë e Kosovës, Hoti e kishte mbi tavolinë, dhe vetëm pritej për tu nënshkruar njohja reciproke nga të dy palët në Uashington, por vet hoqi dorë vullnetarisht prej saj, për të kënaqur edhe ky, njëjtë si Hashim Thaçi, dëshirat e Vuçiqit, nuk ngelet më shumë vend për të shpresuar në fjalët e një njeriu, i cili ndryshe flet dhe krejt ndryshe vepron” potencoi Qarri.

Në fund, Qarri kujton edhe momentin kur Serbia u bë hisedarë në Ujman, gjë që sipas Qarrit deklarata e Hotit fsheh prapa vetes pafuqinë totale të z. Hoti personalisht dhe qeverisë që ai udhëheqë.

“Dështimi i qeverisës ishte katastrofal në takimin e Uashingtonit, ku vet ky, hoqi dorë nga njohja, madje e bëri Serbinë hisedare edhe në Ujman, dëshmon më së miri,se deklarata e tij më e re, është vetëm një hipokrizi rasti dhe asgjë më tepër, e cila fsheh prapa vetes pafuqinë totale të z.Hoti personalisht dhe qeverisë që ai udhëheqë të katapultuar në pushtet me vota të dyshimta dhe kurdisjet Thaçi-Mustafa”, u shpreh Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat