Lëvizja Vetëvendosje nuk i merr 51%, paralajmërohet koalicioni qeverisës me PDK-në dhe Vjosa Osmanin!

Politika

Lëvizja Vetëvendosje nuk i merr 51%, paralajmërohet koalicioni qeverisës me PDK-në dhe Vjosa Osmanin!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 dhjetor 2020 Në ora: 16:30
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Enver Haxhaj; foto ilustrim nga "Bota sot"

Të hënën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se përbërja e kabinetit qeveritar s’i kishte marrë votat e nevojshme, pasi që ky organ e cilësoi si të pavlefshme votën e ish-deputetit të dënuar me burgim, Etem Arifi.

Kësisoj, subjektet politike filluan menjëherë të mobilizohen për zgjedhjet e reja.

Vjosa Osmani veçse ka filluar bisedimet me Albin Kurtin për një koalicion parazgjedhor, PDK tashmë e ka konfirmuar Enver Hoxhaj si kandidatin e tyre për kryeministër, ndërsa LDK dhe AAK ende nuk i kanë konfirmuar kandidatët e tyre për kryeministër.

Njohësit e çështjeve politike e mirëpriten vendimin e Kushtetueses për mbajtjen e zgjedhje të reja. Shumica prej tyre e shohin Vetëvendosjen si fituese të zgjedhjeve, mirëpo shprehen skeptik se VV do arrijë të i marrë 51% të votave.

Analistët për gazetën “Bota sot”, komentuan situatën politike të krijuar pas vendimit të Kushtetueses, koalicionet parazgjedhore, fituesin e zgjedhjeve dhe mënyrën se si do të zgjidhet presidentit.

Qarri: PDK në koalicion me VV-në dhe Lëvizjen e re të Vjosa Osmanit

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, komentoi vendimin e Kushtetueses për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Qarri deklaroi se shpreson që zgjedhjet e reja do të i dërgojnë në pension të përjetshëm Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe shokët e tyre.

“Për aq më tepër, unë pres që edhe zgjedhjet e reja,përfundimisht ti s’postojnë viruset e pandemisë politike si Isa Mustafa e Hashim Thaçi me shokë, dhe dërgojnë ata përfundimisht në pensionim të përjetshëm, të cilët qysh moti, kanë plotësuar të gjitha kushtet për tu liruar nga të gjitha funksionet dhe çliruar skenën politike të vendit nga mbetjet vendore infektive të politikës mbi 21 vjeçare destruktive dhe skadencës sllavokomuniste të shekullit të kaluar”, tha Qarri.

Ai u shpreh se duke u bazuar në sondazhet, parashikimet e analistëve me përvojë, parashikimin e profesorit Daniel Serëerit, fitues të zgjedhjeve e sheh Vetëvendosjen, saktësisht koalicionin LVV-Lëvizja e re e Vjosa Osmanit.

“Ndërsa në zgjedhjet e reja të cilat pritet të mbahen në fillim të vitit 2021, të gjitha sondazhet dhe parashikimet e analistëve me përvojë, brenda dhe jashtë vendit, deri te analisti dhe profesori i mirënjohur amerikan, Daniel Server, favorizojnë LVV-në, gjegjësisht koalicionin, LVV-Lëvizja e re e Vjosa Osmanit, gjë që pas thellimit të vazhdueshëm të korrupsionit e krimit të organizuar në vend, është plotësisht e pritshme edhe të ndodhë”, theksoi Qarri.

Mirëpo, Qarri parashikoi se këtij koalicioni shumë lehtë mund të iu bashkohet edhe Partia Demokratike e Kosovës. Pasi nëse të akuzuarit e Hagës (Thaçi dhe Veseli) nga radhët e PDK-së shpallen fajtorë, atëherë këtë parti e pret një dështim dhe turpërim i madh elektoral.

“Madje këtij koalicioni, mund ti bashkohet fare lehtë edhe PDK, e cila nëse deri në fundshkurt të vitit 2021,kur parashihet të mbahen edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara dëshmohet se të akuzuarit nga radhët e PDK-së, që për disa vjet ishin në krye të kësaj partie, si Hashim Thaçi e Kadri Veseli, vërtetë gjatë dhe pasluftës, jo vetëm kanë dhënë urdhra, por kanë vrarë edhe vet shqiptar, kjo parti, do të bie tërësisht për toke”, nënvizoi Qarri.

Andaj, sipas tij, shpëtimi i vetëm i PDK-së varet nga koalicioni me partinë fituese apo të paktën mbështetjen e partisë së dytë opozitare (LDK-së). Përndryshe, nëse nuk vepron kështu PDK, analisti e parashikon një turpërim të pa imagjinuar elektoral për këtë parti.

“Kështu që shpëtimi i vetëm i saj, do të jetë koalicioni me partinë fituese të zgjedhjeve, apo të paktën, “njëjtësimi” dhe mbështetja në partinë e parë a të dytë opozitare si LDK-ja e shkërmoqur nga politika e Isa Mustafës, për koalicion të mundshëm parazgjedhor dhe qëndrueshmëri politike të pas zgjedhjeve, që të shpëtoi nga turpërimi i pa imagjinuar dhe dështimi i plotë elektoral,që si asnjëherë më parë, e pret këtë parti”, deklaroi Qarri.

Ai potencoi edhe manipulimet e ligjeve dhe shkeljet e Kushtetutës së Kosovës të cilat ndodhën gjatë zgjedhjes së presidentit dhe kryeministrit të vendit.

“Kurse sa i takon zgjedhjes së presidentit, duke pasur parasysh faktin, se si i kanë manipuluar ligjet e vendit dhe shkelur me të dy këmbët mbi Kushtetutën e Kosovës, Isa Mustafa duke detyruar, dashtë e pa dashtë deputetët e LDK-së, që medoemos ta votojnë Hashim Thaçin për president dhe Hashim Thaçi duke e keqpërdorur vendimin e Gjykatës kushtetuese dhe situatën e pandemisë me Covid-19 në vend, për katapultimin e kundërligjshëm të Avdullah Hotit edhe me votë antikushtetuese të deputetit të dënuar, në pozitën e kryeministrit, pa votat e elektoratit dhe pa fituar asnjë palë zgjedhje parlamentare, është koha e fundit që në Kosovë, kurrë më, të mos lejohen manipulime të tilla, për zgjedhjen e kryeministrit as atë të presidentit”, u shpreh Qarri.

Ndërsa, ai e cilësoi moment vendimtar mbajtjenn e zgjedhjeve për të i dhënë fund manipulimeve, veprimeve antikushtetuese dhe kurdisjeve partiake në vend.

“Ky është momenti vendimtar, që përfundimisht tu thuhet jo,manipulimeve të tilla a të ngjashme antikushtetuese, kurdisjeve partiake me 2/3, as numrin prej 61 deputetëve, por përfundimisht, presidenti i vendit, të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me shprehjen e vullnetit të popullit dhe votën e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët e dinë më së miri se çfarë presidenti, në gjendjen nëpër të cilën po kalojmë, i duhet vendit”, deklaroi Qarri.

Në fund, Qarri u shpreh optimistë se zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta spastrojnë politikë bërjen në Kosovë, nga figurat e skaduar dhe konflikt nxitëse.

“Me një fjalë, shpresojë shumë, se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme,do ta spastrojnë përfundimisht edhe politikbërjen kosovare nga figurat e skaduara e konflikt nxitëse dhe mendësitë e vjetruara, pasi që vetëm shkuarja e tyre nënkupton, kthimin pa ekuivokë të stabilitetit në vend dhe fillimin e shumëpritur të kthjellimit përfundimtar, të skenës politike në Kosovë”, përfundoi Qarri.

Jashari: Vetëvendosje nuk do arrijë të marrë më shumë se 45 deputetë

Image
Shemsi Jashari

Kurse, analisti politik, Shemsi Jashari, në një prononcim për gazetën “Bota sot” paralajmëroi se para zgjedhjeve të parakohshme do të shohim një valë të aderimeve të figurave të ndryshme në të gjitha partitë politike.

“Në zgjedhjet qe po vijnë siç është bërë e zakonshme do të shohim një valë të aderimeve të figurave me profile të ndryshme në të gjitha subjektet politike,si tendencë për të krijuar opinion se partitë janë të hapura për figura të reja që kanë përgatitje të mira dhe që janë të pëlqyra nga publiku”, u shpreh Jashari.

Ai fituese të zgjedhjeve parlamentare e parashikoi Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa tha se partitë e vogla do të tentojnë të hyjnë në koalicione parazgjedhore, me qëllim që të mbesin në skenën politike.

“Sipas matjeve të ndryshme del se LVV do të dalë partia e parë me numër të deputetëve nëse subjektet garojnë individualisht. Ndërsa, duke pas parasysh se për të formuar qeverinë duhen së paku 61 vota, unë pres që partitë e vogla të provojnë të hyjnë në koalicione parazgjedhore për të mbetur në skenën politike”, theksoi Jashari.

Analisti përmendi edhe koalicionet të cilat mund të arrihen, sipas tij Lista e Vjosës do të bashkohet me VV-në, Nisma me PDK-në dhe LDK me AAK do të garojnë të vetme.

“Kur flasim për koalicione parazgjedhore pres që Lista "Vjosa" të bëhët bashkë me LVV, Nisma të bëhët bashkë me PDK-në, derisa AAK dhe LDK-ja dontë shkojnë të vetme.

Koalicionet parazgjedhore mundësojnë që të mos shpërndahet vota dhe premton një stabilitet të punën e kuvendit të ri”, u shpreh Jashari.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve të VV-së për marrjen e 51% të votave, Jashari u shpreh skeptik. Ai deklaroi se VV nuk do arrijë të marrë më shumë se 45 deputetë.

“Sfidë mbetët zgjedhja e presidentit të vendit pasi do të jetë puna e parë e koalicionit të ri qeverisës pas zgjedhjeve të reja. Sa i përket pretendimeve të LVV-së se do të marrin 50% të votave unë nuk e besoj se do të ndodhë dhe maksimumi i deputetëve që LVV do ti marrë do të sillet prej 40 deri 45 deputet. Rezultati për subjekte politike do të varet shumë nga cilësia e kandidatëve që do të garojnë në listat e partive politike, përfundoi Jashari.

Ahmeti: Zgjedhjet e reja do të sjellin një realitet të ri politik

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” ndërrimin e pushtetit përmes zgjedhjeve të lira e vlerësoi si mundësi të mirë për demokracinë në zhvillim dhe verifikimin e vullnetit të sovranit.

“Mendoj se e shëndetshme për një demokraci në zhvillim është kur pushtetet ndërrohen për zgjedhjeve të lira, fer e demokratike. Çdoherë zgjedhjet duhet me u kontekstualizu si një mundësi e mirë për ta verifikuar vullnetin nga sovrani dhe për t’ia kthyer përcaktimin e legjitimitetit përmes votës së lirë”, u shpreh Ahmeti

Ai zgjedhjet i sheh si një lloj gjyqi për të gjitha subjektet politike të cilat kanë qeverisur viteve të fundit në vend.

“Zgjedhjet me njëfarë mënyrë janë një gjyq për qeverinë që ka udhëhequr deri me tani, pasi votuesi përmes instrumentit të zgjedhjeve përcakton vullnetin e tij përmes votës duke e legjitimuar qeverinë e vjetër apo duke ndërruar atë përmes votës”, tha Ahmeti.

Analisti tha se për të qenë sa më objektiv duhet të mbështetin sondazhet e fundit të cilat e shpallin fituese Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas, Ahmetit vetëm nëse analizojmë proceset politike dhe qeverisëse të pas luftës mund ta kuptojmë se Vetëvendosje favorizohet për të dal fituese e zgjedhjeve qendrore.

“Për të qenë sa me objektiv duhet të mbështetemi në sondazhet e fundit profesionale, të cilat e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si subjektin më të përkrahur nga votuesit potencial. Nëse e analizojmë procesin politik dhe qeverisës të mbas luftës, në realitetin praktik shohim probleme të shumta që janë akomular e që janë sinonim i qeverisjes së keqe që ka mbizotëruar nga qeverisjet e mbas luftës.

Në këtë aspekt favorizohet Lëvizja Vetëvendosje! si subjekt politik i pa testuar në qeverinë qendrore, pasi vetëm rreth 50 ditë qeverisje ju dha mundësi në qeverinë e kaluar”, theksoi Ahmeti.

Në vazhdim, Ahmeti deklaroi se fryma e keqe qeverisës e qeverive të kaluara kanë prodhuar një realitet të hidhur për qytetarët e vendit, të cilët do të i ndëshkojnë ata përmes votimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Mendoj se në shumë aspekte favorizohet VV-ja, pasi qeverisjet e kaluara kanë instalua një fryme të keqe qeverisëse duke prodhuar një realitet të pajetueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt mund të gjykohen qeverisjet e kaluara dhe çdoherë për ta ndëshkuar, qytetarët votën e tyre ia besojnë një subjekti i cili nuk ka qenë pjesë e pushtetit, ka proklamuar drejtësi dhe ka qëndruar konsistence ndaj parimeve politike dhe konceptit ideologjik”, nënvizoi Ahmeti.

Në fund, ai shpreson se zgjedhjet e reja do të formojnë një realitet tjetër politik, ku do të vendosin për pozitën e presidentit të ri dhe koalicionin e ri qeverisës. Ahmeti deklaroi se nëse arrihet koalicioni Vjosa Osmani – Vetëvendosje, atëherë nuk do të ketë nevojë për marrëveshje me ndonjë parti tjetër, pasi ata do i fitojnë shumicën e votave.

“Zgjedhjet e reja do të prodhojnë një realitetet të ri politik, i cili do të determinon një marrëveshje për pozitën e presidentit, por jo domosdo koalicionin qeverisës. Nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe subjekti e ri politik që do të përfaqësoj znj. Osmani arrijnë ta fitojnë shumicën e thjeshtë atëherë nuk është i domosdoshëm një koalicion qeverisës, por është e nevojshme për një marrëveshje me subjektet tjera politike vetëm për pozitën e presidentit”, përfundoi Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat