Pse u “çart” Rama me Vjosa Osmanin - a ishte kjo arsyeja që nxiti reagim të ashpër?

Politika

Pse u “çart” Rama me Vjosa Osmanin - a ishte kjo arsyeja që nxiti reagim të ashpër?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 dhjetor 2020 Në ora: 19:25
Edi Rama, Vjosa Osmani

Gjatë ditës së enjte kryeministri i Shqipërisë ka lëshuar një deklaratë drejtë ushtrueses së postit të presidentit, Vjosa Osmani.

Rama ka kritikuar ashpër presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmanit, ku tha se vizita e saj lidhet me përfitimin e votave në Kosovë.

“Unë mund të them që sigurisht objektivi ynë ka qenë dhe mbetet zero problemeve fqinjët. Por zero problemeve fqinjët nuk do të thotë fshehje e problemeve por zerim. Nuk është se ne kemi probleme, nuk kemi asnjë problem me Kosovën. Për fat të keq Kosova ka probleme me veten dhe nëse mund të bëj një përkufizim, prej disa kohësh politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe ajo e jashtme është bërë e brendshme. Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime të firmosin vullnetin e shtetit të Kosovës në shtëpinë e Bardhë për shengenin dhe një presidente në detyrë shfaqet në Shqipëri të bëjë politikë të brendshme me këtë”, është shprehur për media Rama për Osmanin.

Për të mos mjaftuar vetëm me këtë Rama është deklaruar edhe për ish-kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për të cilin tha se lufta e Kosovës nuk përfundon me Vjosa Osmanin presidente, e as Albin Kurtin kryeministër.

“Nuk ka më zi për një vend sesa përfaqësimi i vet ndërkombëtar të kthehet në politikë të brendshme, sepse vendi bëhet qesharak. Për sa i përket gjenocidit Partia Socialiste dhe Kuvendi ka kaluar 15 rezoluta, dhe Lufta e Kosovës për liri nuk fillon me Vjosa Osmanin presidente në detyrë, as me Albin Kurtin kryeministër në pritje, as me mua”, theksoi në konferencën e mbajtur Rama.

Kujtojmë që pak ditë më parë në vizitën e Osmanit në Tiranë, ajo u prit ftohtë nga kryeministri, jo sipas protokollit, ndërsa ajo mbajti një fjalim të fortë në foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar traun në Rrugën e Kombit dhe Minishegenin Ballkanik.

Mehazi: Fjalimi i hekurt i Osmanit nxiti deklaratën e Ramës

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që një deklaratë e tillë e Ramës është e pritshme pasi që ai është në një nivel me Vuçiqin e Serbisë. Sipas profesorit Kosova nuk ka probleme me vetën siç ka theksuar kryeministri Rama por me qeverinë e Shqipërisë dhe kjo bëri që fjalimi i hekurt i Osmanit ta hidhërojë e ta bëj të reagojë kështu kryeministri Rama.

“Çfarë mund të presim prej kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës përveç fjalëve armiqësore jo vetëm ndaj kryetares në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmanit, po edhe ndaj qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. Ndaj Vuçiqit të Serbisë përkulje e nivelit më të ulët lepe-peqësh, kurse ndaj Vjosa Osmanit nënçmues e ofendues. Vëllai Edi Rama i cili është kryeministër i Shqipërisë tha se "Kosova ka probleme me veten" hiç fare nuk e vëren se Kosova ka problem jo me popullin vëlla, po me qeverinë e Shqipërisë të udhëhequr nga ai. Fjalimi i hekurt i Vjosa Osmanit për traun në Rrugën e Kombit dhe Minishengenit me Serbinë e paskësh hidhëruar e trullosur shumë Edi Ramën sa që e ka futur në birë të miut shtatlartin të mbathur me adidaska”, u shpreh Mehazi.

Tutje, profesori shprehët që deklarata e Ramës drejtuar Osmanit është e pakuptimit pasi që votat ajo i ka fituar nga populli i saj e jo nga partia e tij. Duke shtuar Mehazi thotë që më mirë një mik të fortë sesa tre-katër miq të varfër të minishengeneve Serbi-Shqipëri-RMV.

“Më e keqja, deklaron, se Vjosa Osmani erdhi për të reklamuar e propaganduar veten për të fituar vota, po 150,000 votat gjatë zgjedhjeve të tetorit kush ia dha Vjosa Osmanit, mos partia socialiste e tij? E keqja e Kosovës erdhi nga miqtë e tu me karrierë kriminale politike në Kosovës, jo nga kundërshtarët tuaj Albin Kurti e Vjosa Osmani. S'është mbyllur Kosova, jo, i nderuar Edi Rama, ju jeni mbyllur me shlivovicat e Shumadisë, pasi nuk ju merr në dore BE-ja e SHBA-ja, mule me Minishengenin serbo-sllavë të egërsuar që kundërshton luftimet e NATO-s në Kosovë, kundërshton masakrat në Kosovë. Më mirë një mik të fortë sesa tre-katër miq të varfër të minishengeneve Serbi-Shqipëri-RMV. Kosova është miqësuar me fuqinë më të madhe e më të pasur në botë, SHBA-në, ju rrini me shlivovicat e Shumadisë”, tha profesori, për “Bota sot”.

Ahmeti: Veprimi i zotit Rama është prej një adoleshenti politik

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që gjuha institucionale nuk duhet të lëshoj deklarata të tilla në kontekstin e konturave politike dhe inatet që akumulohen për një kohë të gjatë mes liderëve.

Sipas kësaj gjuhe Ahmeti thotë që mund të kuptojmë që mungon një komunikim i mirë institucionale dhe ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Mendoj se gjuha institucionale nuk duhet të lëshohet në kontekstin e konturave politike dhe inatet të cilat janë të akumuluar për një kohë të gjatë në mes liderëve politik apo zyrtarëve të cilët përfaqësojnë koncepte të ndryshme politike. Institucionet duhet të përfaqësojnë gjuhë zyrtare e jo të flasin iracionalisht e të cilat potencialisht prodhojnë konfrontime politike. Gjykoj se në këtë kontekst nuk mund të kemi komunikim të mirë institucional dhe ndërshtetëror, e që më së paku i duhet Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Ahmeti.

Tutje, Ahmeti e gjykon që ky veprim i Ramës është prej një adoleshenti politike dhe në asnjë mënyrë nuk prodhon politika unifikuese afatgjata për shqiptarët e të dy vendeve për një bashkim kombëtar.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk duhet vetëm të personifikoj liderizmin e shqiptareve, por edhe të sillet ashtu, pasi vetëm me një komunikim të mirë mund të ndërtojmë një strategji afatgjate të bashkëpunimit dhe unifikimit në shumë politika të përbashkëta. Gjykoj se veprimi i zotit Rama është prej një adoleshenti politik dhe në asnjë mënyrë nuk prodhon politika unifikuese afatgjata për shqiptarët e dyja vendeve e potencialisht për një bashkim kombëtar në të ardhmen të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat