Zgjedhjet pa Thaçin dhe Veselin, eksperti gjerman: Ja kur filloi shkatërrimi i tyre dhe çka duhet të bëjnë qytetarët e Kosovës

Politika

Zgjedhjet pa Thaçin dhe Veselin, eksperti gjerman: Ja kur filloi shkatërrimi i tyre dhe çka duhet të bëjnë qytetarët e Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 janar 2021 Në ora: 10:46
Bodo Weber

Në Kosovë, për herë të parë që nga periudha e pasluftës, do të mbahen zgjedhje të reja të përgjithshme, pa dy politikanët e vjetër në politikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët janë në paraburgim në Gjykatën Speciale.

Këtë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor Bodo Weber. Ai ka thënë se duhet pritur rezultatin e zgjedhjeve, për të parë se si do të ndikojë mungesa e Thaçit dhe Veselit në to.

Weber ka theksuar se votuesit edhe në zgjedhjet e fundit në tetor 2019, kanë ndëshkuar elitat politike, që sipas tij, kanë keqpërdorur miqësinë e Kosovës me SHBA dhe pandeminë për ta rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit.

“Votuesit që kur kanë hedhur votën e tyre të fundit në 2019 kanë parë se si një pjesë e madhe e elitave politike kanë keqpërdorur miqësinë e Kosovës me SHBA dhe pandeminë (kërkesa për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në mënyrë që të jenë në gjendje të imponojnë një bllokim në të gjithë shtetin - kërkesa e harruar shpejt në qershor të këtij viti) për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur”, është shprehur Weber për “Bota sot”.

Sipas tij, ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale ishte fillimi i shkatërrimit të brezit të politikanëve të kohës së luftës, por duhet pritur rezultatin e zgjedhjeve të reja për ta parë ndikimin e mungesës së tyre.

“Ata kanë parë fillimin e shkatërrimit të brezit të udhëheqësve politikë të kohës së luftës në kontekstin e akuzave të Gjykatës Speciale. Dikush mund të supozojë se e gjithë kjo do të ketë një ndikim të fortë tek votuesit, por ne do të duhet të presim rezultatin e zgjedhjeve për të parë se si duket ky ndikim”, ka thënë Weber për “Bota sot”.

Eksperti gjerman ka këshilluar votuesit në Kosovë që të kërkojnë nga politikanët të ndalojnë kaosin politik, të bashkohen në dialogun me Serbinë dhe të punojnë për një sistem të pathyeshëm politik.

“Ata nuk duhet të presin diçka, por t'u parashtrojnë kërkesa elitave të tyre politike – do të thotë: të ndalojnë kaosin politik dhe paqëndrueshmërinë, të bashkohen në negociatat me Serbinë dhe të fillojnë të mendojnë seriozisht dhe të punojnë se si të rregullojnë një sistem politik, që është thyer padyshim”, ka deklaruar për “Bota sot” Bodo Weber.

Zgjedhjet e reja në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të pavlefshme votën vendimtare të Etem Arifit për formimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti./BS

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat