Listat me kandidatët për deputetë, analisti me kritika për Kurtin e Osmani – ja kush po sillet sikur i di të gjitha!

Politika

Listat me kandidatët për deputetë, analisti me kritika për Kurtin e Osmani – ja kush po sillet sikur i di të gjitha!

Nga: G.B Më: 18 janar 2021 Në ora: 23:09
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Tashmë të gjitha partitë kanë publikuar listat zgjedhore, me kandidatët për deputetë.

E kandidatët me probleme me ligjin, sidomos të akuzuar për korrupsion, nuk munguan as në këto zgjedhje.

Kjo po kritikohet nga shoqëria civile dhe analistët.

Lidhur me këtë, publicisti dhe ish gazetari Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Kosova nuk e meriton të ketë kandidatë të nivelit kaq të ulët dhe se këto lista kanë qenë goditje për qytetarët, duke u sjellë dëshpërim.

"Niveli dhe cilësia e kandidatëve të partive politike që u shpallën para publikut në Kosovë, ka shkaktuar një goditje, një huti të përgjithshme në elektorat. Po u ngjallin neveri qytetarëve. Nuk meriton Kosova të ketë këtë nivel të ulët e të dyshimtë kandidatësh për deputetë pasi Kosova ka elitë në gjirin e saj. Në vend që publiku të përjetonte entuziazëm nga këto lista, ato i sollën gërdi, depresion e dëshpërim", është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, në lista ka kandidatë të akuzuar e dënuar, ata që do të duhej të ishin ajka, më të zgjedhurit e publikut.

"Në listat e kandidatëve për deputetë për në Kuvendin e Kosovës ka njerëz të dyshimtë, të përfolur, mjaft të dënuar e të akuzuar. Bëhet fjalë për 100 njerëz që duhet të ishin ajka, më të zgjedhurit e publikut dhe nuk bëhet fjalë për të mbledhur e për të kapur kap çfarë të kapësh e të krijosh parlament me të dënuar. Mendoj që në krye ka funksionuar korrupsioni politik, trafikimi i ofruar si model nga politikanët kryesorë, etja për kandidim me çdo kusht e me çdo çmim, duke besuar se të jesh në parlament është një biznes i mirë politik, ekonomik e financiar, pasi përvoja ka treguar se të qenit deputet sjell përfitime ekonomike të mëdha për një pjesë deputetësh. Ky model lakmohet", ka vlerësuar Shahu.

Ai përmend dhe kalimin e Vjosa Osmanit në listë zgjedhore të VV-së, që thotë se kaloi në partinë më kundërshtare të LDK-së, ish partisë së saj, duke shtuar se shoqëria këtë herë priste të shpëtonte nga degradimi i listave të tilla.

"Trafikimi i niveleve më të larta për poste në krye të shtetit sjell në publik dhe tek të gjithë kandidatët heqjen e çdo cipe morale. Vjosa Osmani kalon lehtësisht në një parti tjetër, në partinë me kundërshtarët e ish partisë së saj, të cilën ajo synoi ose ta marrë vet ose ta vdes, ta shuajë për llogari të Albin Kurtit, i cili ka kontribut rrënimin e shtetit ose kapjen e tij nga vet ai me bordet e tij. Kështu në lista shihen kandidatë që hidhen sa nga një parti në tjetrën dhe kjo nuk është për arsye morali por për arsye biznesi politik që të fitojë mandat në parlament. Shoqëria priste kësaj radhe të shpëtonte nga degradimi moral dhe partitë politike me zgjedhjet e disa të akuzuarve, cubave, anonimeve funksionale, të fortëve, të dënuarve e thelluan edhe më shumë dëshpërimin dhe e rritën zhgënjimin e qytetarëve tek politika", ka theksuar Rexhep Shahu për "Bota sot".

Shahu ka kritikuar Kurtin dhe Osmanin, derisa thotë se Kurti sillet sikur i di të gjitha se ka të drejtë në të gjitha, derisa vet është i dënuar dhe del mbi ligjin.

"Agresivë në rrënimin e shpresës dhe të shurdhër me qëllim për këtë dëm që ia bëjnë Kosovës janë Albini dhe Vjosa. Albin Kurti hiqet se i di të gjitha se i di më mirë se të gjithë të gjitha dhe se ka të drejtë në të gjitha, edhe në caktimin e të dënuarve si deputetë. Ai vetë personalisht është i dënuar dhe del mbi ligjin me arrogancë dhe këtë frymë përcjell në publik, gjë e cila thotë se po vjen me forcë në pushtet, me paligjshmëri e dhunë ndaj ligjit. Ai do të diktojë gjykatat dhe sillet sikur nesër në qeveri do të ketë në dorë çelësat e burgjeve, të fus e të nxjerrë nga burgu kë të dojë", ka shtuar ai.

Sipas tij, nëse shkelet ligji dhe lejohen të kandidojnë të dënuar, atëherë ky është atentat ndaj Kosovës dhe se etja për pushtet u ka errësuar sytë të gjithëve, duke shtuar se Osmani ka hallin e karrierës, që do të mbetet si peshku pa ujë.

"Nëse do të shkelet ligji dhe do të kalojnë e të lejohen të kandidojnë njerëz që janë të dënuar, që kanë shkelje ligjore, atëherë ky do të ishte një atentat i rëndë ndaj shtetit të Kosovës dhe as Serbia nuk do t’ia bënte këtë shërbim kaq të keq Kosovës. Etja për pushtet dhe karrierë ua ka errësuar sytë të gjithëve që duhet t'i kenë hapur. Presidentja e përkohshme ka hallin e karrierës sepse do mbetet si peshku pa ujë dhe nuk ndërhyn të mbrojë ligjin dhe kushtetutën. Ajo hesht se i kanë premtuar se do të bëjnë presidente, kur në fakt vetëm për këtë heshtje e shkelje të ligjit, ajo edhe sikur të jetë presidente, duhet shkarkuar", ka deklaruar Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat