Zotimet e binomit Kurti-Osmani

Politika

Zotimet e binomit Kurti-Osmani

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 19 janar 2021 Në ora: 17:03
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nga iniciativa ‘Guxo’ kanë bashkuar ‘forcat’ për zgjedhjet e 14 shkurtit. Para pak ditësh ata bën të ditur bashkëpunimin e tyre duke prezantuar kështu edhe zotimet e tyre për këtë marrëveshje.

Sipas kësaj marrëveshje, Kurti pretendon të bëhet kryeministër, ndërsa Vjosa Osmani presidente. Palët kanë zyrtarizuar marrëveshjen, në të cilën 15 kandidatë do të jenë nga lista e Osmanit, në listën zyrtare të VV-së.

Sipas kësaj, marrëveshje palët zotohen për:

1. Prioritizim të rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë me vettingun si pjesë integrale të këtij procesi, si dhe vendosmëri të plotë drejtë luftimit të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

2. Prioritizim të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, duke i orientuar investimet dhe planifikimin buxhetor kah sektori i shëndetësisë, mbrojtja e mjedisit, digjitalizimi, investimi në kapital njerëzor, nxitja e prodhimit vendor me qëllim të përqafimit të një koncepti zhvillimor ekonomik të qëndrueshëm inovativ.

3. Përkushtim të plotë që pengesat që do të udhëheqin dikasteret qeveritare të jenë të kualifikuar, kompetent dhe me integritet dhe se do të ketë pajtim në mes të palëve lidhur me emrat që do t’i udhëheqin këto dikastere bazuar në kriteret e mësipërme..

4. Rishikim dhe miratim të legjislacionit vendor si dhe zbatim me përgjegjësi të reformave të nevojshme në përputhje me standardet evropiane me qëllim të integrimit të Republikës së Kosovës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

5. Angazhim për përfaqësim të unifikuar dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrje në procesin e dialogut Kosovë-Serb.

6. Respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mos mbështetje të asnjë nisme që cenon rregullimin kushtetues, integritetin territorial, parimin e unitaritetit të shtetit dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

7. Rishikim të përfaqësimit dhe organizimit të shërbimit diplomatik me qëllim të përfaqësimit të dinjitetshëm të vendit në nivel ndërkombëtar;

8. Ruajtje dhe kultivim të aleancave me partnerët ndërkombëtarë dhe investim në zgjerimin dhe avancimin e aleancave të tashme dhe të ardhshme;

9. Synim të arritjes së përfaqësimit të barabartë gjinor në qeveri dhe në institucionet e tjera;

10. Vendimmarrje me konsensus dhe marrëveshje paraprake për proceset strategjike në vend.

Njohësit e ҫështjeve politike kanë komentuar zotimet e të dyja palëve Kurti dhe Osmani lidhur me këtë marrëveshje.

Mehmeti: Esenca duhet të jetë tek zbatimi i tyre

Kështu, analisti Faton Mehmeti thotë se zotime ka ҫdoherë, por është e rëndësishme që ato të zbatohen. Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që të zbatohen të gjitha zotimet.

Image
Faton Mehmeti

“Tani, është e natyrshme që të ketë zotime, ashtu siҫ kanë bërë të gjithë në të kalurën. Esenca duhet të jetë tek zbatimi i tyre, sa ka mundësi që ato zotime të zbatohen. Asnjëherë nuk ndodh që të gjitha zotimet të zbatohen, kryesore është që ato më të rëndësishmet të zbatohen e që janë: lufta kundërkorrupsionit dhe hapja e vendeve të punës. Pastaj të tjerat ndërrohen me ndërtimin e një sistemi ta pavarur të drejtësisë, i cili do t’i luftojë të gjitha fenomenet”, vlerëson Mehmeti.

Sipas Mehmeti, derisa Vjosa dhe Albini  kanë shumicën e qytetarëvë pas tyre, e kanë edhe përgjegjësinë më të madhe që t'i zbatojnë këto zotime, ose thënë më saktë ato më kryesore.

“Shpresa e qyetarëve është tek ata, shpresojmë të mos jenë si të tjerët që vetëm zotime sa për vota. Zotimet janë të mira, të duhura, sa do të zbatohen ato mbetet për tu parë, mirëpo nëse u përmbahen ata vetëm sa ja vazhdojnë vetëm edhe më shumë mbështetjen e qytetarëve. Mbetët për të parë, pasi shumë herë jemi dëshpëruar, shpresoj kësaj radhe të jetë më ndryshe”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

“Programi i Kurtit”

Ndërkaq, analisti politik, Leon Duhanaj thotë se kur flasim për zotimet, përjetësisht premtimet e politikës, e sidomos në kohë fushatash, duhet të jemi të kujdesshëm në vlerësimin real të tyre.

Image
Leon Duhanaj

“Megjithatë, ka disa standarde në të cilat, çështje programore analizohen në kritere matëse, vlerësohen dhe prezantohen para qytetarëve në formë oferte politike, gjithnjë në shkallë të madhe të bazuar mbi mundësitë reale, qoftë politike, apo ekonomike të realizimit të tyre. Tek ne, në masë të madhe, është instaluar një model kuturu i premtimeve, të cilat në masë të madhe, janë iluzore dhe të parealizueshme”, thekson Duhanaj.

Ai në këtë rast është treguar shumë kritikë si ndaj liderit të Vetëvendosjes, ashtu edhe ndaj Vjosa Osmanit. Duhanaj thotë se Kurti përfaqëson diҫka tjetër dhe proklamon diҫka tjetër.

“Z. Kurti, ka një problem thelbësor në atë çfarë përfaqëson në të vërtetë dhe atë çfarë herë pas here proklamon. Z. Kurti, që nga fillimi i ka shpallë luftë të pakompromis shtetësisë së Kosovës dhe ketë synim nuk është që e ka ndryshuar, veç se qasjen  ndaj tij. Z. Kurti, përderisa në fillim, luftën e bëri përmes rrugës, tashmë e ka nuhatur shansin që këtë plan ta realizojë përmes institucioneve, përkatësisht pushtetit absolut”, vlerëson ai.

Tutje Duhanaj thotë për ‘Bota sot’, se Vjosa Osmani është treguar e papjekur duke iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, që ai e quan si një konglomerat të ç'orientuar ideologjikisht e politikisht.

“Znj. Osmani në anën tjetër, është treguar shumë e papjekur politikisht, duke punuar dhe vepruat mbi baza diametralisht të kundërta me  vlerat dhe bazamentin politik mbi të cilin është rritur dhe, duke iu bashkuar një konglomerati  të ç'orientuar ideologjikisht e politikisht, të cilin është edhe vështirë ta shpjegojmë” thekson Duhanaj.

Ai thotë se nga një konglomerat i tillë, nuk mund të pritet program uniform politik, aq me pak kur dihet se Kurti nuk është i njohur për gatishmëri bashkëpunimi e kompromisi.

“Në ketë kontekst, mendoj unë, që edhe programi, edhe vizioni, edhe misioni edhe çdo gjë, është prerë në masë për bindjet dhe synimet e z. Kurti dhe mund të përkthehet si konglomerat oborrtarësh,në  shërbim të bindjeve politike të tij”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat