Heqja nga lista zgjedhore, paralajmëron profesori: Kurti do të rritet politikisht, tregon dy veçantitë e zgjedhjeve

Politika

Heqja nga lista zgjedhore, paralajmëron profesori: Kurti do të rritet politikisht, tregon dy veçantitë e zgjedhjeve

Nga: G.B Më: 20 janar 2021 Në ora: 16:24
Albin Kurti

47 kandidatë për deputetë që kanë probleme me ligjin, nuk do të kenë mundësi të garojnë në këto zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka pranuar përgjigjet nga disa institucione nëse kandidatët e partive politike për deputetë nuk do të mund të jenë pjesë e këtyre listave. për shkak se kanë dënime efektive nga gjykatat e Kosovës.

KQZ ka pranuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Ministria e Punëve të Jashtme; dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

E në mesin e atyre që nuk do të mund të kandidojnë, është edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo është një ngjarje e veçantë politike në Kosovë dhe këto zgjedhje do të kenë dy veçanti njëra ka të bëjë me eliminimin përmes Gjykatës Speciale të disa figurave qendrore të skenës politike të 20 viteve të fundit, kryesuar nga Hashim Thaçi dhe tjetra me vendimin e Kushtetueses për të mos u lejuar kandidimin atyre që janë dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë ose është në proces penal gjykimi.

“Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sipas vendimit, nuk do të mund të kandidojë për deputet. Bashkë me zotin Kurti nuk do të lejohen të bëhen deputetë gjithashtu 46 kandidatë të tjerë. Shumica dërmuese i takojnë Lëvizjes Vetëvendosja, AAK-së, PDK-së dhe Nismës. Kjo sepse të gjithë këta të kandiduar kanë probleme me ligjin. Kjo është një ngjarje e veçantë politike në Kosovë. Në këtë mënyrë zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 kanë jo një, por dy veçanti: Njëra ka të bëjë me eliminimin përmes Gjykatës Speciale të disa figurave qendrore të skenës politike të 20 viteve të fundit, kryesuar nga Hashim Thaçi. Tjetra lidhet me këtë lloj klauzole të Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor të Kosovës, sipas të cilit gjithkush që është dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë ose është në proces penal gjykimi, nuk mund të kandidojë për të qenë deputet i Parlamentit të Kosovës”, është shprehur ai.

Profesori thotë se në listën e të përjashtuarve për kandidim, atëherë dallojmë dy kategori të dënuarish: Kategoria e parë përfshin ata kandidatë për deputetë, të cilët janë dënuar penalisht për shkak të veprimeve të tyre politike dhe kategoria e dytë, e të dënuarve për korrupsion dhe vepra të tjera penale.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Por nëse vëmë re me kujdes listën e të përjashtuarve për kandidim, atëherë dallojmë dy kategori të dënuarish: Kategoria e parë përfshin ata kandidatë për deputetë, të cilët janë dënuar penalisht për shkak të veprimeve të tyre politike, pra për shkak të aksionit politik, por që kanë tejkaluar të drejtën e tyre, duke rrezikuar të tjerët. Kjo kategori politikanësh nuk rrezikojnë të dalin nga politika. Në fakt kushtetuta dhe ligji elektoral duhej ta bënin dallimin midis një hajni dhe një ekstremisti politik. Është absurde që klauzola të jetë e njëjtë midis këtyre dy kategorive të të dënuarve. Kategoria e dytë është ajo e të dënuarve për korrupsion dhe vepra të tjera penale, si mashtrimi, etj. Bëhet mirë që këta të kandiduar që nuk mund të jenë pjesë e legjislativit të Kosovës. Kjo masë për këta persona si dhe hetimet që po zhvillon Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë e pastrojnë politikën nga elementët kriminal ose që favorizojnë krimin”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, me këtë përjashtim të kandidatëve, dëshmohet se ligjin nuk mund ta bëjnë të fortët, derisa shton se ndryshimin e madh nuk mund ta ndalojë moskandidimi i Kurtit.

“Përjashtimi dhe ndalimi i kandidatëve të implikuar në vepra penale ordinere bën që partitë politike të vetëdijësohen se nuk mund të aplikohen në Kosovë standardet e së kaluarës, ku ligjin ta bëjnë të fortët dhe jo drejtësia. Kjo masë krijon një optimizëm të bazuar se epoka e pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do të jetë ndryshe, do të shënojë kthesën politike të Kosovës. Ndryshimin e madh nuk do ta ndalojë moskandidimi i Albin Kurtit. Madje kjo situatë duhet të kapërcehet pa i dhënë shumë rëndësi faktit nëse kreu i Vetëvendosjes lejohet ose jo për t’u kandiduar si deputeti i Kuvendit të Kosovës. Nëse ndodh kjo, atëherë jepet mesazhi se ndryshimi nuk lidhet me emrat, por me frymën dhe idetë e reja të zhvillimit të vendit”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se qytetarët e dinë pse Kurti dhe bashkëpartiakët e tij po pengohen të kandidojnë dhe se kjo bën që Kurti të rritet si politikan.

“Mendoj se qytetarët e Kosovës e kuptojnë dhe do ta vlerësojnë faktin që Kurti dhe disa bashkëpartiakë të tij, si dhe disa të tjerë të AAK-së pengohen të kandidojnë për shkak se kanë reaguar me gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës për të penguar ligjin për demarkacionin me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen për Asociacionin me Serbinë. Kjo bën që Albin Kurti të rritet si politikan, sepse shumica e qytetarëve të Kosovës nuk kanë qenë dhe nuk janë pro atyre vendimeve që parlamenti mori atëherë”, ka theksuar profesori.

Bytyçi përmend rastin e Xhavit Halitit për të kandiduar, që thotë se ia lehtëson pozitën PDK-së dhe se kandidimi i tij ishte nguti e partisë.

“Është tjetër rast vendimi për ta ndaluar p.sh Xhavit Halitin nga ky kandidim. Ndërkaq që jam i bindur se vendimi që zoti Haliti të mos kandidojë në zgjedhjet e ardhshme e lehtëson pozitën e Partisë Demokratike, po ashtu të rënduar nga fakti se dy ish-kryetarët e saj gjenden në qelitë e Hagës. Kandidimi i Xhavit Halitit ishte një nguti e PDK-së, ashtu siç e konsideroj absurd faktin që mbetet jashtë kandidimit ish-nënkryetari i kësaj partie, Profesor Hajredin Kuçi”, ka deklaruar ai.

Profesori mendon se ky vendim mund ta shqyrtohet në javën e ardhshme dhe disa prej tyre të lejohen të kandidojnë.

“Sidoqoftë mendoj se javën e ardhshme do të kemi zhvillime të reja. Ka mundësi që të rishqyrtoht vendimi i marrë sot për mos kandidim të 47 kandidatëve dhe disa prej tyre të lejohen të bëhen deputetë të Kosovës. Mundet që nga rishqyrtimi të mbahet parasysh shkaku dhe rrezikshmëria shoqërore e dënimeve që janë dhënë. Historia na mëson se hajni mbetet gjithmonë hajn, mashtruesi-mashtrues, tradhtari mbetet tradhtar, por ekstremizmi shumicën e rasteve moderohet. Kur janë reformuar ish-partitë komuniste të Lindjes, kur konsiderohet e reformuar PPSh në Shqipëri, pse nuk mund të pranohet që edhe disa ekstremistë në kushte ekstreme të vështira për vendin reaguan po ashtu ekstremisht?! Immanuel Kant thoshte se shoqëria duhet të funksionojnë bazuar në racionalen dhe logjiken. Edhe ligjet bashkë me kushtetutën duhen interpretuar sipas racionales dhe logjikës. Në këtë mënyrë pritet që vendimet e ditëve të ardhshme të sjellin ndryshimin e vendimit të sotëm, për ata që janë dënuar për shkak të aksioneve politike! Kjo do të ishte e drejta dhe njëkohësisht kontribut për paqen sociale në vend”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat