Analisti politik jep kalkulimet e tij se si të zgjidhet Presidenti

Politika

Analisti politik jep kalkulimet e tij se si të zgjidhet Presidenti

Nga: A.SH Më: 25 janar 2021 Në ora: 20:37
Presidenca

Analisti politik Skënder Mulliqi për “Bota sot” ka komentuar mundësinë për zgjidhjen e çështjes së Presidentit të Kosovës.

Sipas tij, për postin e presidentit të vendit po bëhet shumë bujë e madhe, sidomos pas shkuarjes në Hagë, të Hashim Thaçit.

“Shumë bujë politike u bë për postin e presidentit, fill pas shkuarjes në Hagë, të Hashim Thaçit. Kandidaturën për këtë post deri më tash e ka paraqitur lideri i AAK, Ramush Haradinaj, ndërsa nga partitë tjera politike ende nuk kemi kandidat. Kriza e koalicionit të qeverisë Hoti edhe kishte filluar me kandidaturën e Haradinajt të cilën kandidaturë e kishte kundërshtuar LDK-ja në krye me Isa Mustafën, duke thënë se posti i të parit duhet më shumë t’i takon PDK-së. Por rrjedha e ngjarjeve politike me Etem Arifin, bëri që Qeveria Hoti të bie nga pushteti”, ka thënë Mulliqi.

Por, ai shprehet se për këtë post, pavarësisht edhe kandidatit nga AAK, Ramush Haradinaj, Osmani ka shumë gjasa që do të ketë këtë post.

Ai shprehet se, ajo mund të jetë kandidate serioze për postin e presidentit të ri të Kosovës.

“Edhe posti i presidentit dihet se vendoset pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Se kush do të jetë president apo presidente për 5 vitet e ardhshme, do të varet se kush do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve, edhe pse për tu zgjedhur presidenti duhen 82 vota. Disponimi për të fituar zgjedhjet kësaj radhe shihet se është pro LVV dhe Listës të Osmanit. Me futjen e Vjosës në listë të përbashkët me listën e LVV, dëgjuam nga Kurti se Vjosa mund të jetë kandidate serioze për postin e presidentit të ri të Kosovës. Dhe, duket se Vjosa shumë do të ketë gjasa për këtë post, varësisht nga votat e fituara për parlamentin e ri. Zonja Osmani e ka veç tash bekimin e Kurtit për këtë post, dhe nëse partitë tjera garuese pësojnë humbje të madhe, në zgjedhje, çka edhe pritet, lehtë mund t’i vijnë në shprehje edhe pakënaqësitë nga radhët e deputetëve të këtyre partive, ku ata do të përcaktoheshin për Vjosën presidente”, shprehet Mulliqi.

Ai shprehet skeptik duke thënë se, ekziston edhe varianti më i keq i mundshëm, e që në këtë rast do të ishte mospajtimi i partive politike lidhur me këtë temë, dhe vendi të shkonte në zgjedhje, e kjo nuk do të ishte mirë për vendin.

“Kjo është njëra nga kalkulimet e mundshme politike, por që natyrisht ka edhe solucione tjera, të një koncenzusi të partive politike, apo edhe të një qëndrimi të përbashkët, që njeriu që do të zgjidhet për president, mund të jetë edhe jashtë partiak. Në garë për këtë post sigurisht do të kemi edhe figura tjera politike, pos Haradinajt. Varianti më i keq i mundshëm në këtë rast do të ishte mospajtimi i partive politike lidhur me këtë temë, dhe vendi të shkon në zgjedhje, kur dihet se edhe ashtu po kemi zgjedhje të shpeshta dhe të jashtëzakonshme, e shumë të kushtueshme për buxhetin e Kosovës të varfër”, përfundon Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat