Lëvizja Vetëvendosje ka tri opsione, njëra prej tyre bojkotimi i zgjedhjeve!

Politika

Lëvizja Vetëvendosje ka tri opsione, njëra prej tyre bojkotimi i zgjedhjeve!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 janar 2021 Në ora: 21:12
Albin Kurti

Tash e sa muaj, Kosova po kalon në një situatë të rëndë politike me shumë zhvillime dhe përplasje politike mes partive dhe institucioneve të pavarura të vendit.

Që nga dita kur Gjykata Kushtetuese, solli vendimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti, duket sikur çdo ditë po ndodhin zhvillime të cilat po nxisin tension të mëdha politike në vend.

Disa ditë më parë, pas një mbledhje maratonike me shumë debate dhe tensione, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i certifikoi listat zgjedhore me emrat për deputetë të subjekteve politike, Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit. Kjo për faktin që në listat e këtyre partive politike figuronin akoma emra që kanë probleme me ligjin, apo janë të dënuar me formë të shkallës së prerë në tri vitet e fundit.

Natyrisht që kjo gjë shkaktoi pakënaqësi të mëdha tek subjektet politike të lartpërmendura, të cilat u shprehen të revoltuara me vendimin e KQZ-së.

Madje, u përfol për një bojkotim të zgjedhjeve parlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, si shenjë revolte për vendimin e KQZ-së.

Por, subjektet e pakënaqura nuk e lanë me kaq, ato dërguan menjëherë ankesat në Panelin Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtesa.

Mirëpo, PZAP mori vendim që të refuzohet pjesërisht ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos certifikimin e listës së kandidatëve për deputetë si pasojë e pesë kandidatëve të dënuar me vendim të prerë të gjykatës në tri vitet e fundit.

Pas vendimit të sotëm të PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë kohë deri më 31 janar që t’i drejtohet Gjykatës Supreme ku e njëjta obligohet që ta interpretojë edhe njëherë vendimin e institucionit të PZAP-së dhe arsyetimet ligjore të LVV-së.

Në rast të refuzimit të ankesës së VV-së në Gjykatën Supreme, atëherë sabotimi i zgjedhjeve po bëhet edhe më i mundshëm. Ku në këtë mënyrë, vendi do të mund të përballej më njërën nga krizat më të rënda politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve dhe mosrespektimin e vendimit të KQZ-së nga ana e Lëvizjes Vetëvendosjes, e kanë komentuar për gazetën “Bota sot” njohësit e çështjeve politike dhe kushtetuese.

Ata paralajmëruan edhe veprime të rrezikshme nga ana e Vetëvendosjes, në rast të mospërfilljes së ankesës së tyre.

Kelmendi: Mos certifikimi i subjekteve politike, krijon rrethana për veprime të rrezikshme

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, ka komentuar situatën e krijuar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për refuzimin e pjesshëm të ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin KQZ-së për mos certifikimin e listës së kandidatëve për deputetë.

Kelmendi tha se mos certifikimi i subjekteve politike, jo vetëm që mund të krijojë pakënaqësi, por edhe mund të krijojë teren për veprime të rrezikshme.

“Është e vetëkuptueshme se mos certifikim i ndonjë subjekti krijon pakënaqësi dhe teren për veprimtari të rrezikshme. Megjithatë, nuk është në rregull bojkotimi i zgjedhjeve dhe as përjashtimi i subjekteve nga zgjedhjet”, deklaroi Kelmendi.

Juristi është i pajtimit që të bëhet spastrimi i listave në norma kushtetuese, mirëpo jo të penalizohen edhe kandidatët të cilët nuk kanë dënime. Pra, listat duhet të certifikohen duke i larguar personat me aktakuza dhe dënime.

“Normale është që listat të spastrohen në bazë të normave kushtetuese dhe ligjore. Nuk besoj se të gjithë kandidatët e VV-së apo të Nismës janë të nxjerra nga lista e kandidateve. Lista nuk duhet të mos certifikohet. Ajo pastrohet në bazë të ligjit dhe ka mundësi që me afate shtesë e njëjta të plotësohet apo e njëjta pa plotësinë të certifikohet dhe të shkon në vota”, theksoi Kelmendi.

Ai, tutje u shpreh se Vetëvendosje dhe Nisma kanë shkallë juridike në të cilat mund të ankohen dhe çështja mund të shqyrtohet.

“VV dhe NISMA kanë edhe shkallë juridike ku mund të ankohen, ku mundet çështja të shkojë për të u shqyrtuar. E shqyrtimi duhet të jetë shumë urgjent dhe në favor të zgjedhjeve dhe subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje”, nënvizoi juristi.

Në fund, Kelmendi theksoi se bojkotimi i zgjedhjeve nuk është në të mirën e askujt, pasi krijohen rrethana për sjellje të rrezikshme të partive.

“Bojkotimi nuk është i mirë për askënd. Këtë duhet organet ta dinë. Me mos certifikim vetëm krijohet rrethana për veprime të rrezikshme të partive. Këtë duhet ta ketë parasysh PZAP, VV dhe NISMA duhet të certifikohen”, përfundoi Kelmendi.

Bajraj: Viktimizimi i Vetëvendosjes dhe rrezikimi i rendit kushtetues dhe demokracisë

Image
Fatmir Bajraj

Ndërsa, veprimtari dhe analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Kosova dhe institucionet e saj të pavarura nuk duhet të dorëzohen para presionit agresiv të Albin Kurtit.

Ai mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve nga ana e Vetëvendosjes është dezertim nga përgjegjësitë politike për luftën për pushtet

“Shteti i Kosovës dhe demokracia nuk guxojnë të dorëzohen para presionit agresiv, ego-centrist dhe frymës populliste të turmo-kracisë Kurtiane, përkatësisht anarkisë, çmimi i së cilës do të ishte; zëvendësimi i demokracisë me autokraci! Bojkotimi i zgjedhjeve është abstenim nga procesi dhe dezertim nga përgjegjësitë politike kontekstuale në luftën për pushtet duke luajtur viktimën dhe synuar pushtetin absolut”, deklaroi Bajraj.

Veprimtari tha se mos certifikimi i subjekteve politike nuk duhet të përdoret si arsye për bojkotim të zgjedhjeve, pasi që as Valdete Daka, as KQZ-ja nuk e kanë bërë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Mos certifikimi i Listës zgjedhore të LVV, AAK, dhe NISMA, nga ana e KQZ-së, mund të përdoret si alibi, por assesi si arsye e bojkotimit të zgjedhjeve nga ana e VV-së dhe NISMA-së, për faktin se KQZ dhe as Valdete Daka, nuk kanë bërë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe as Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili parandalon emrat e përveçëm të Listave Zgjedhore të cilësuar në KGJK-së, por vetëm kanë zbatuar atë në përpikëri dhe konform kompetencave dhe detyrimeve kushtetuese, në të kundërtën do të tërhiqnin konsekuencat penale”, nënvizoi Bajraj.

“Presioni i VV-së, ndaj KQZ-së, dhe Dakës, sadist dhe i frikshëm!”

Në vazhdim, Bajraj reagimet e ashpra të adresuara nga kampi i Vetëvendosjes drejtuar KQZ-së dhe Valdete Dakës i cilësoi si një orkestrim të frikshëm, shkaku i fushatës elektoral dhe qëllimeve të liderit të VV-së, Albin Kurti.

“Reagimi në kor i LVV-së, përmes z. Konjufca, znj. Osmani, znj. Nagavci dhe znj. Gërvalla, flet më së miri për një orkestrim të fushatës kundër sistemit, ku KQZ-ja është vetëm një hallkë dhe znj. Valdete Daka, titullare e kësaj hallke (KQZ), të gjithë sistemit, i atakuar së fundmi nga LVV-ja përmes eksponentëve të saj, përfshirë edhe instrumentalizimin e zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, të cilën u.d, Vjosa Osmani e përdorë për fushatë elektorale dhe në shërbim të liderit të vet, z. Albin Kurti”, shpjegoi Bajraj.

Në rast, se Vetëvendosje nuk respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas analistit do të krijohej një situatë e cila do ta rrezikonte seriozisht rendin kushtetues dhe demokracinë e vendit.

Ndërsa, logjikën se institucionet dhe organet e pavarura të shtetit duhet të u nënshtrohen "vullnetit të popullit për ndryshim", Bajraj e vlerësoi si mohim të shtetit të Kosovës.

“Mosrespektimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili prodhon efekte juridike edhe për z. Kurti dhe 46 tjerët me precedentë gjyqësore, bënë një rrezik serioz për rendin kushtetues, demokracinë dhe vetë ekzistencën e shtetit, për çfarë konsekuencat janë të paparashikueshme. Logjika se institucionet e shtetit, organet e pavarura dhe vetë sistemi, duhet t'i nënshtrohet "vullnetit të popullit për ndryshim", nuk është asgjë tjetër, përveç se sabotim i sistemit dhe mohim i shtetit të Kosovës, të cilin z. Kurti në krye te lëvizja së tij anarkiste (LVV), e ka bërë që nga ngjizja e Republikës së Kosovës dhe deri në fund të ditës...!”, potencoi Bajraj.

“Për LVV-në, pushteti i Kurtit mbi të gjitha!”

Lidhur me çështjen e mos certifikimit të listës zgjedhore, Bajraj përmendi tri opsione në bazë të të cilave duhet të veprojë Vetëvendosje në këtë rast:

“LVV, ka tre opsione në sipërfaqe;

- Të respektoj verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, dhe organeve të pavarura i cili i lë jashtë kandidimit për deputetë 47 kandidatë përfshirë edhe z. Kurti, duke hyrë në garën e 14 shkurtit 2021,

- Të bojkotoj zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, duke sfiduar legalitetin e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e të zgjedhurve të sovranit, si dhe ;

- Të tentoj të prish gjithë procesin zgjedhor, duke penguar atë me mjete jokonvencionale; të dhunës dhe agresivitetin mbi organet, institucionet dhe gjithë sistemin konstitucional të Republikës së Kosovës, e gjithë kjo në emër të "popullit" dhe kultit të liderit Kurti!”, u shpreh Bajraj.

Tutje, Bajraj tha se Albin Kurti nuk di dhe nuk dëshiron të qeverisë me vendin, ai vetëm po dëshiron sundimin Kosovës. Ai akuzoi liderin e VV-së, duke thënë se po tenton ta marrë pushtetin vetëm për ta kapur shtetin.

“Z. Kurti, s'di, s'do dhe s'mund të qeverisë me vendin, kjo është provuar katërçipërisht kur abstenoj nga qeverisja dhe dezertoj nga detyra e kryeministrit dhe përgjegjësitë kushtetuese, ai do sundimin mbi Kosovën dhe jo vetëm! Kurti ka obsesion kapjen e shtetit, derisa pushtetin vetëm si mjet në funksion të kapjes, por kjo e fundit nuk i duket e arritshme pa qenë vetë në maje të pushtetit dhe mësymjes e cila është e rrezikshme për shtetin dhe e frikshme për shoqërinë”, deklaroi Bajraj.

Analisti tha se Vetëvendosje po viktimizohet para vendimit të KQZ-së, prandaj po shqyrton mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve. Kështu, ai paralajmëroi një shpërthim të revolucionit të tipit të Shqipërisë së viteve 97.

“LVV, pa Kurtin kandidat për kryeministër në njërën anë, dhe përballë proceseve kruciale të cilat e presin vendin në të ardhmen e afërt, si opsion mund të zgjedhë bojkotin në zgjedhje të përgjithshme dhe kështu duke u viktimizuar të luajë me kartën e popullzimit dhe rritjen e pakënaqësisë "popullore" deri në shpërthim të një revolucioni të tipit të Shqipërisë 97, por nuk duhet harruar se komperacioni nuk qëndron as për së afërmi, kur dihet se Kosova fatbardhësisht ende mbikëqyret fort dhe fuqishëm nga sponsorët e lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, në krye me SHBA-të, të cilat nuk do lejonin një aventurë të tillë në një kreacion autentik, siç jemi ne, si Republikë e Kosovës”, u shpreh Bajraj.

Në fund, veprimtari përmendi edhe Nismën dhe situatën e saj politike të krijuar nga vendimi i KQZ-së. Ai shtoi se Nisma ka vetëm një arsye për të bojkotuar procesin zgjedhor dhe kjo është “nuhatja” e saj se nuk do ta arrijë ta kalojë pragun zgjedhor.

“NISMA ka vetëm një arsye për të zgjedhur bojkotin në vend të procesit zgjedhor, përkatësisht nënshtrimit të vullnetit të sovranit me 14 shkurt 2021, dhe kjo arsye është ; "nuhatja" se kjo e fundit ka humbur mbështetjen dhe besimin elektoral si pasojë konsumimit të kauzës së ndarjes nga PDK-ja, dhe mbi të gjitha, edhe e momentumit politikë brenda vendit pas procesit të Gjykatës Speciale, përkatësisht të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, fakt ky që ka dëmtuar "Krahun e Luftës" dhe ka shtrënguar votuesit që të gjejnë strehë më të sigurt të këtij "krahu", ku NISMA nuk llogaritet më si e tillë, andaj i duhet një alibi e cila i hap derën strategjisë dalëse të Nismës nga "loja", dhe e cila e nxjerrë me një çik dinjitet politik, përndryshe do mund të mënjanonte nga lista ata të cilët i ndalon Ligji Zgjedhor dhe Aktgjykimi i Kushtetueses, dhe të provoj të marrë mbështetje elektorale që do t'i mundësonte kalimin e pragut, gjë që do të ishte në interes të pluralizmit politik të vendit, sidomos në këto zgjedhje të jashtëzakonshme dhe në rrethana të jashtëzakonshme nga kompleksiteti kontekstual”, përfundoi Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat