A do ta rikthejë Kurti Task Forcën Antikorrupsion, e cila u shpërbë nga Avdullah Hoti?

Politika

A do ta rikthejë Kurti Task Forcën Antikorrupsion, e cila u shpërbë nga Avdullah Hoti?

Nga: N.SH Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 15:51
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, posa u emërua në detyrë, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, e kishte shuar Task Forcën për luftë kundër korrupsionit brenda Policisë së Kosovës.

Një vendim i tillë, ishte kritikuar mjaftë shumë nga shoqëria civile, analistët por edhe nga organizatat e drejtësisë. Mirëpo, tash kryeministri në ardhje, Albin Kurti, do të duhej të anulonte këtë vendim të Qeverisë Hoti.

Kurti ka thënë disa herë se Qeveria e tij, do ta lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe do të ua konfiskoj pasurinë e paligjshme të gjithë atyre që e kanë fituar në atë mënyrë.

Ehat Miftaraj nga IKD, thotë se, një ndër vendimet e para të Qeverisë Kurti do të duhej të ishte anulimi i Vendimit të Qeverisë Hoti lidhur më shpërbërjen e Task Forcës kundër Korrupsion.

Image
Ehat Miftaraj

“Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës e ka vënë në diskutim publik Draft Strategjinë për Sektorin e Sundimit të Ligjit, e cila strategji në mënyrë të detajuar ka bërë analizën e funksionimit të kësaj Task Force, problemet me të cilat ballafaqohet kjo Task Forcë dhe masat që duhet të ndërmerren për të përmirësuar efikasitetin, profesionalizmin dhe integritetin e saj në raport me ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive”, thotë Miftaraj për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se, çdo vendim lidhur me këtë Task Forcë duhet të jetë mirë e analizuar, dhe koordinuar edhe me institucionet tjera të zbatimit të ligjit por edhe me partnerët ndërkombëtare. Qeveria Kurti 2, pritet të formohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit nga KQZ-ja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat