Thirrjet për formimin e institucioneve, Kosova brenda limiteve kohore për kryeministrin dhe presidentin

Politika

Thirrjet për formimin e institucioneve, Kosova brenda limiteve kohore për kryeministrin dhe presidentin

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 shkurt 2021 Në ora: 19:57
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të shpallë në fillim të javës së ardhshme rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ku sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm me rreth 48 për qind të votave.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se presin që deri të premten të përfundojë rinumërimi i 494 vendvotimeve.

“Procesi i rinumërimit të vendvotimeve është duke vijuar sipas dinamikës së paraparë në QNR. Janë gjithsej 28 tavolina pune ku po zhvillohet procesi i rinumërimit të vendvotimeve. Besojmë që do të përmbyllet deri të premten në mbrëmje dhe pastaj gjatë vikendit besojmë që do të mund të fillojmë me procesin tjetër të numërimit të fletëvotimeve me kusht dhe votave nga jashtë vendit. Rezultati i tyre do t’i bashkëngjitët rezultatit të vendvotimeve dhe gjatë fillimit të javës së ardhshme pa specifikuar një ditë të saktë besojmë që do të mundet që KQZ të dalë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve", ka thënë ai.

Lidhur me procesin e numërimit, rinumërimit të votave dhe vonesën që po bëhet për shpalljen përfundimtare të rezultateve, rrjedhimisht të certifikimit të tyre, që do t’i hapnin rrugë formimit të institucioneve, për gazetën “Bota sot” kanë folur njohësit e çështjeve politike dhe juridike.

Cakolli: Procesi zgjedhor po shkon drejt përmbylljes

Image
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti për Demokratik i Kosovës, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se procesi po shkon drejt përmbylljes edhe pse ka pasur gabime të qëllimshme, gjatë bartjes së votave të kandidatëve.

“Sikur edhe në procese tjera zgjedhore, në fakt Kosova edhe kësaj here duket se ka kaluar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve sidomos në lidhje me pjesën e votave të kandidatëve, që është treguar të jetë një prej hallkave të dobëta të procesit të numërimit, shpeshherë për shkak të gabimeve njerëzore por pa përjashtuar rastet e gabimeve të qëllimshme gjatë bartjes së votave të kandidatëve”, është shprehur ai.

Sipas Cakollit, vonesat e deritanishme janë ngase proceset janë të lidhura njëra me tjetrën dhe janë të ndërvarura, pra asnjëra nuk mund të përmbyllet pa u kompletuar procesi paraprak dhe pa u siguruar që të jenë në linjë njëra me tjetrën.

“Ajo çfarë vërehet në këto zgjedhje është një trend i daljes, përkatësisht i pjesëmarrjes së votuesve jashtë vendit në procesin zgjedhor që ka bërë të ketë më shumë nevojë dhe kohë për t’i verifikuar aplikacionet, për t’i futur të njëjtat në databazën e të dhënave mirëpo edhe për procesimin e votave me kusht. Duke qenë se të gjitha proceset janë të lidhura njëra me tjetrën dhe janë të ndërvarura, pra asnjëra nuk mund të përmbyllet pa u kompletuar procesi paraprak dhe pa u siguruar që të jenë në linjë njëra me tjetrën, atëherë vonesat e deritanishme, janë kryesisht si rezultat i rregullimit ligjor të procesit të certifikimit të shpalljes së rezultateve përfundimtare. Pra deri më tani, përpos që mund të rriten kapacitete për procesimin e të dhënave, KQZ nuk ka pothuajse asgjë në dorë për të bërë më shumë, për shkak se ka qenë numri i madh i aplikacioneve jashtë vendit si dhe një trend i lehtë i rritjes së votave me kusht, ajo që ka bërë që të ketë nevojë për më shumë kohë për t’u procesuar kjo çështje”, ka deklaruar Cakolli.

Sa i përket formimit të qeverisë, ai thotë se Kosova ndodhet tashmë brenda limiteve të fundit kohore brenda së cilave duhet të përmbyllë procesin e formimit të qeverisë e institucioneve, me theks të veçantë zgjedhjen e presidentit të ri, meqenëse jemi në proces të përmbylljes të afatit gjashtë-mujor brenda të cilit mund të ushtrohet mandati nga ana e u.d së presidentit.

“Sa i përket formimit të qeverisë, Kosova ndodhet tashmë brenda limiteve të fundit kohore brenda së cilave duhet të përmbyllë procesin e formimit të qeverisë e institucioneve, me theks të veçantë zgjedhjen e presidentit të ri, meqenëse jemi në proces të përmbylljes të afatit gjashtë-mujor brenda të cilit mund të ushtrohet mandati nga ana e u.d së presidentit. Pra, konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe zgjedhja e presidentit janë procese të cilat nuk kanë kohë për të humbur do të duhej të përmbylleshin sa më shpejt. Tashmë është edhe kërkesë e faktorit ndërkombëtar që procesi zgjedhor të përmbyllet në mënyrë që të ruhet integriteti që të procedohet edhe me formim të institucioneve, mirëpo që kjo nuk duhet të bëhet në dëm të integritet të procesit zgjedhor si dhe saktësisë së rezultateve sepse është e domosdoshme që rezultatet e shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të jenë refleksion i vullnetit qytetarë dhe jo rezultat i ndonjë ngutie për shpalljen e rezultateve, megjithëse në këtë drejtim të gjitha subjektet politike e kanë kuptuar se kemi ardhur ngushtë, kushtimit me afate kohore dhe që procesi i certifikimit të rezultateve mund të marrë kohë sepse në të gjitha proceset zgjedhore deri tani është dashur dy-tri javë e më shumë, madje në zgjedhjet e fundit plot 53 ditë për certifikimin e rezultateve. Prandaj është e pritshme që një gjë e tillë ka pasur të ndodh edhe sivjet”, ka shtuar ai.

Kurse për anulimin e votave të ardhura nga diaspora, Cakolli vlerëson se ato të cilat janë anuluar, nuk kanë qenë për t’u nunëruar fare, vetëm ato brenda vendit sepse nuk kanë mundur ta kalojë procesin e auditimit.

“Ndërsa për votat jashtë vendit procesi i verifikimit të tyre merr kohë për shkak se në radhë të parë të kontrollohet se a kanë aplikuar të njëjtit, ai kanë përmbushur kriteret, e tek pas rregullimit të vërtetësisë së aplikacioneve në fjalë, eventualisht procedohet me numërimin e tyre. Sidoqoftë, pres që të ketë një numër të madh të aplikacioneve që do të aprovohen dhe aktualisht jemi brenda trendeve të zakonshme, ku 60 deri 65% të aplikacione të dorëzuara kanë qenë ato aplikacione të cilat kanë dërguar vota apo të cilat kanë pasur fletëvotime të vlefshme brenda tyre”, ka përfunduar Eugen Cakolli për “Bota sot”.

Burjani: SHBA dhe BE dëshirojnë që kjo të kryhet sa më parë ky proces, për shkak të rifillimit të dialogut me Serbinë

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot” ka thënë se, procesi zgjedhor nuk mund të përmbyllet para një muaji për shkak të ankesave e kontestimeve.

“Nuk pritet para një muaj e gjysmë të përfundoj ky proces, kjo dihet për shkak të ankesave, kontestime, rinumërimit dhe numërimit të votave me kusht, kjo nuk mund të ndodhë shumë shpejt, tash me rëndësi është që të përmbyllet jo më larg se një muaj e gjysmë nga dita e zgjedhjeve”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, SHBA dhe BE dëshirojnë që kjo të kryhet sa më parë ky proces, për shkak të rifillimit të dialogut me Serbinë.

“SHBA dhe BE dëshirojnë që kjo të kryhet sa më parë për shkak të fillimit, apo më mirë me thënë rifillimit të dialogut, që për bashkësinë ndërkombëtare është prioritet i parë ndërsa për Albinin i katërti, andaj kërkohet kohë për t‘u përgatitur për dialog, duhet edhe të gjendet një njeri për këtë punë me kredibilitet ndërkombëtar dhe i përgatitur mirë”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

Jashari: Ky proces është i ngadalshëm sepse duhet të bëhet verifikimi dhe saktësia e procesverbaleve edhe numërimin e votave për kandidatë

Image
Shemsi Jashari

Në anën tjetër, analisti politik Shemsi Jashari, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është proces i ngadalshëm, pasi përveç verifikimit të saktësisë së procesverbaleve, kemi të bëjmë edhe me numërimin e votave për kandidatë.

“Procesi i numërimit të votave pranë qendrës së numërimit, është proces bukur i ngadalshëm, pasi kemi të bëjmë përveç verifikimit të saktësisë së procesverbaleve edhe numërimin e votave për kandidatë. Pastaj edhe kur kemi parasysh edhe votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, kjo patjetër që merr kohë. Nëse i referohemi herëve tjera kur kemi pasur zgjedhje, ka zgjatur disa javë deri në certifikimin final të rezultateve, sidomos kur kemi parasysh se një numër i madh i vendvotimeve ka shkuar në rinumërim me kërkesë të QNR dhe vendim të KQZ-së”, ka deklaruar Jashari.

Më tej, ai thekson se shtetet mike bëjnë thirrje që sa më shpejt të themelohen institucionet dhe të marrë obligimet qeveria e re, pasi ka shumë procese të cilat presin kahje.

“Unë nuk besoj se ka ndonjë qëllim pas këtij procesi për të vonuar certifikimi e rezultateve pasi ajo nuk ndryshon rezultat dhe askujt nuk i konvenon të kemi vonesa në këtë proces. Shtetet mike dhe partnerët strategjik të Kosovës kanë bërë thirrje që sa më shpejt të themelohen institucionet dhe të marr obligimet qeveria e re pasi ka shumë procese të cilat presin kahje dhe si qeveritë e kaluara edhe kjo qeveri e re nuk mund t’i shmanget obligimeve që e presin sidomos ndaj dialogut Kosovë Serbi”, ka thënë Shemsi Jashari për “Bota sot”.

Ndryshe, kandidati për kryeministër Albin Kurti, partia e të cilit ka dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë se formimi i institucioneve do të bëhet së shpejti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat