Shtrëngimi i masave sjell katastrofë ekonomike e sociale, fushata rrit rastet me Covid

Politika

Shtrëngimi i masave sjell katastrofë ekonomike e sociale, fushata rrit rastet me Covid

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 shkurt 2021 Në ora: 21:43
Foto arkiv, Prishtina gjate karantines

Viti që po lëmë pas dhe ky vit do të mbahen mend për situatën që e ka kapluar botën nga COVID-19.

Virusi i quajtur COVID-19 së pari përfshiu Kinën e duke vazhduar në gjitha vendet e tjera, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Rasti i parë i paraqitur në Kosovë ka qenë në muajin Mars, derisa vazhdon të jetë ende prezent e vaksinat ende nuk janë siguruar.

Kosova njihet si vend i vogël dhe sigurisht që masat u bënë më të rrepta në mënyrë që virusi të mos arrijë të kaplojë gjithë vendin. Por pavarësisht që masat arritën të merren në kohë të duhur e në këtë kohë edhe të izolohen qytetarët e vendit, prapë ky virus përfshiu gjithë vendin.

Virusi arriti të prek pothuajse të gjithë qytetarët e vendit duke marrë edhe shumë jetë.

Pavarësisht kësaj situate pandemike ajo që krijoi “tollovinë” në vendin tonë ishte edhe rrëzimi i dy qeverive duke sjellë kështu zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend arritën të lënë pas dore situatën me COVID duke iu vënë fokusin kryesorë fushatave parazgjedhore.

Subjektet politike duke mos pasur aspak parasysh gjendjen në të cilën po gjendej vendi, nuk ndalën tubimet për interesat e tyre, pra për mbledhjen e votave.

Këto fushata parazgjedhore u shoqëruan me tubime të shumta të njerëzve, të cilët nuk mbanin as distancë por as nuk respektonin masat e tjera anticovid. Si rezultat e tyre disa subjekte politike edhe janë gjobitur.

Në këtë kohë fushate, qeveria vendosi që t’i lirojë masat anticovid, duke larguar orën policore dhe zgjatur orarin për gastronominë.

Ky lirim i masave u kritikua mjaft, pasi që me mbajtjen e tubimeve, rritej edhe rreziku për mos arritjen e përballjes së virusi.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, nuk përfunduan rastet e reja nga COVID-19, përkundrazi ato po vazhdojnë të rriten, e që nëse bëjmë një krahasim para se të mbahe fushata parazgjedhore, atëherë mund të vërejmë se ekziston një dallim goxha i madh.

Rastet me COVID kanë qenë në ulje, mirëpo ato po vazhdojnë të rriten këto ditë e që shkas i tyre padyshim janë tubimet që u bënë nga subjektet politike.

Si pasojë e gjithë kësaj, ditë më parë është paralajmëruar që mund të ndodhë përsëri të ketë mbyllje të vendit, e që kjo mbyllje siç kanë cekur gastronomia nuk do ta respektojë.

Tolaj: Nëse rritet numri i të infektuarve me COVID-19, padyshim është pasojë e fushatës parazgjedhore

Infektologu Ilir Tolaj ka folur rreth situatës epidemiologjike të krijuar nga pandemia COVID-19, por edhe për mundësinë e mbylljes totale të vendit nëse në ditët në vazhdim do të kemi rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.

Image
Ilir Tolaj

Ai ka thënë se nëse numri i rasteve të reja me COVID-19 do të rritet në ditët e ardhshme, atëherë kjo është pasojë e sjelljeve të papërgjegjshme të politikanëve gjatë fushatës parazgjedhore.

Sipas tij, fushata parazgjedhore ka qenë shembulli klasik i shkeljes masive të masave antiCOVID.

“Fushata parazgjedhore ka qenë shembulli klasik i shkeljes masive të masave antiCOVID. Që situata të jetë edhe më e rëndë, ishin mu politikanët që i bënë këto shkelje dhe e provokuan, madje edhe i bënë thirrje popullatës që të mos i respektojnë masat antiCOVID. Nëse numri i rasteve të reja do të rritet në vazhdimësi në ditët e ardhshme, atëherë kjo padyshim është pasojë e kësaj sjellje të papërgjegjshme gjatë fushatës parazgjedhore”, ka thënë Tolaj.

Shahini: Nuk duhet të këtë mbyllje të vendit

Ndërsa, Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare për Bizneseve (AKB), në një prononcim për “Bota sot”, duke folur në lidhje me mundësinë e mbylljes së vendit apo shtrëngimit të masave, siç ka paralajmëruar qeveria, ka thënë se nuk duhet të ketë masa shtrënguese, kjo për shkak se ekonomia ka pasur një goditje të thellë dhe se një mbyllje tjetër mund ta dërgojë vendin në një katastrofë ekonomike e sociale.

Image
Agim Shahini

“AKB-ja vlerëson se nuk duhet ketë masa shtrënguese për shkak se ekonomia mund të ketë edhe një goditje të thellë dhe kjo do të mund të dërgojë vendin drejt një katastrofe ekonomike e sociale. Institucionet duhet të ngritin nivelin e respektimit të masave. Institucionet nuk kanë mundësi t’i mbulojnë shpenzimet operacionale për shkak të buxhetit apo fondeve”, është shprehur Shahini.

Ndër të tjera, ai thekson se mbyllja apo kufizimi I bizneseve do të ishte fatale, pasi që izolimi i fundit mbylli shumë biznese, la shumë të papunë dhe vështirësoi pagesën e pagave të punëtorëve nga sektori privat.

“Mbyllja apo kufizimi i punës së bizneseve do të ishte në përmasa fatale dhe kështu pandemia ka mbyllë mbi 10 mijë biznese me lënien të papunë të 50 mijë punëtorëve dhe ka vështirësuar pagesën e pagave për 150 mijë punonjës të sektorit privat”, tha Shahini për “Bota sot”.

Mehazi: Masat rigoroze do të duhej të vihen gjatë fushatave zgjedhore jo tani

Edhe profesori Sulejman Mehazi, ka kritikuar lirimin e masave në kohë fushate, ku sipas tij këto masa që po duan t’i marrin tash do të duhej të ishin në kohë fushate, në mënyrë që shëndeti i qytetarëve të mos rrezikohet.

Image
Sulejman Mehazi

“Kështu ndodh kur gjatë fushatës zgjedhore qeveria dhe partitë politike në plan të parë kishin interesat e veta partiake sesa ruajtjen e shëndetit të qytetarëve nga Kovid-19. Ministri i shëndetësisë në largim, Armend Zemaj, këto masa rigoroze është dashur t'i vë gjatë fushatës zgjedhore për shkak tubimeve të shumta elektorale për të ndaluar rrezikshmërinë infektuese të qytetareve e jo tani, pas zgjedhjeve, kur më nuk ekzistojnë grupe të mëdha të simpatizantëve partiak. Veprimet e Ministrit të Shëndetësisë Zemaj ishin e janë të papranueshme e në kundërshtim me shëndetin e qytetarëve, ai është dashur që këto masa rigoroze t'i merrte gjatë fushatës zgjedhore, për shkak tubimeve të shumta partiake e jo tani pasi numri i të infektuarve është rritur për shkak atyre masave lehtësuese të Zemaj gjatë tubimeve zgjedhore”, ka vlerësuar Mehazi.

Profesori në fund thotë se pajtohet me reagimin e Shpend Ahmetit, që pas fushatave zgjedhore nuk do të kemi moral t’i mbyllim sërish qytetarët.

Ai shton se para se të izolohen qytetarët, duhet që Zemaj të mbyllet në burg, për shkak se sipas profesori ai është fajtori për rritjen e të infektuarve.

“Përgjegjësinë e rritjes së infektuarve kush tjetër e ka, përveç Zemajt, pajtohemi me Shpend Ahmetin i cili gjatë fushatës zgjedhore tha: "nëse rriten shumë rastet me Covid, si do të kemi moral t’i mbyllim sërish qytetarët." Para se të mbyllen e izolohen qytetarët, duhet Armend Zemaj të mbyllet në burg për shkak se ai është fajtori kryesor për rritjen e përditshme e të të infektuarve”, ka përfunduar Sylejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat