Skandali me subvencione, “Maja e Ajsbergut” e krimit dhe korrupsionit në Kosovë

Politika

Skandali me subvencione, “Maja e Ajsbergut” e krimit dhe korrupsionit në Kosovë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 mars 2021 Në ora: 07:59
Pamje nga aksioni për arrestimin e zyrtarëve në Ministrinë e Bujqësisë

Vjedhja e Thesarit të shtetit dhe së fundi afera korruptive në Ministrinë e Bujqësisë, ku u arrestuan 11 të dyshuar, po konsiderohen si dy nga skandalet më të mëdha që tronditën vendin brenda pak muajve.

Lidhur me skandalin në Ministrinë e Bujqësisë, Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për 11 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti.

Aferën e fundit, njohësit e fushës shpjegojnë se ky skandal ka filluar që nga koha kur qeveria, përkatësisht Ministria e Bujqësisë ka filluar të ndajë projekte për bujqit, të cilët kanë dashur të rrisin biznesin e tyre.

Pas këtij skandali, ata janë të mendimit se Vettingu duhet të ndodhë në të gjitha institucionet e vendit tonë, dhe kjo të bëhet më urgjencë duke u pastruar shteti nga lakmitarët dhe hajdutët të cilët sjellin përfitime për vete apo tjetrit, në të kundërtën do të mbesim të izoluar.

Analisti: Ky rast është bërë me qëllim të caktuar për të zhdukur gjurmët e ministrave të përfshirë

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, duke folur për skandalin në Ministrinë e Bujqësisë, ka thënë se skenari i këtij rasti ka qenë që të zhduken gjurmët e ministrave të përfshirë në aferën e “subvencioneve”.

Mehmeti për gazetën “Bota sot”, është shprehur se njëjtë sikurse afera me vjedhjen në thesarin e shtetit, ngjashëm do të përfundojë edhe ky skandal.

“Skandali në Ministri të Bujqësisë është vetëm Maja a Ajsbergut në krimin dhe korrupsionin e madh që ekziston në Kosovë. Ky rast është bërë me qëllim të caktuar për të zhdukur gjurmët e ministrave të përfshirë në aferën e “subvencioneve”. Por, kjo aferë shpejt do tretët në harresë, ashtu si afera e 2 milionëve në thesar. Fatkeqësisht, drejtësia është e kapur, prandaj s’ka të dënuar edhe pse ka shumë afera”, ka thënë analisti Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti, me tej ka thënë se rasti në Ministrinë e Bujqësisë është një paralajmërim se në vendin tonë duhet të ketë Vetting.

“Këto afera dëshmojnë se duhet krijohet Vetting në drejtësi, të shkundet shteti nga kapësit, vetëm atëherë mund të flitet për luftë ndaj korrupsionit. Aksione të tilla, si në MB janë spektakle, dhe si të tilla zhduken shpejt”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti.

Krasniqi: Kjo klasë politike ka ndërtuar standarde që ryshfeti të ekzistojë në çdo institucion

Image
Islam Krasniqi

Njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, lidhur me skandalin që ndodhi ditë më parë ka thënë se e gjithë kjo ka filluar nga koha kur Ministria e Bujqësisë ka filluar të ndajë projekte për bujqit.

Sipas Krasniqit, klasa politike në vendin tonë ka ndërtuar standarde që ryshfeti të ekzistojë në çdo institucion gjerë edhe në shkolla.

“Ky skandal ka filluar që nga koha kur qeveria, përkatësisht Ministria e Bujqësisë ka filluar të ndajë projekte për bujqit, të cilët kanë dashur të rrisin biznesin e tyre, ku në çdo grant është dashur të jenë përfitues edhe ata që kanë qenë për vlerësim në komisionin që i ka renditur përfituesit. Përgjegjësia penale duhet të jetë gjithmonë individuale, por përgjegjësi morale duhet të ketë që nga kreu i shtetit, ministri, drejtorët, menaxherët, duke i liruar ato pozita, e jo të pajtohen dhe të ngarkohet vetëm një nëpunës apo inspektor që është i përfshirë në një aferë drejtë për drejtë”, ka thënë Krasniqi.

Ai lidhur me pretendimet e Prokurorisë së Shtetit, thotë se ky institucion në të shumtën e rastin e ka vetëm sa për bërë bujë në media.

“Prokuroria në të shumtën e rasteve bënë nga një ‘show' medial me arrestime të tilla, e që pastaj çdo gjë mbetet aty, duke mos u ekzekutuar apo përfunduar asnjë lëndë deri në fund nga institucionet e drejtësisë, siç e dëshmon së në mesin e të arrestuarve ishte edhe një që ishte arrestuar për afera të njëjta para 3 vite e që si pasoj e mos veprimit të prokurorisë apo gjykatave ai ka vazhduar më atë avansin e vjetër”, tha ai.

Madje, Krasniqi shpjegon se prokurori i rastit duhet të hetojë rrjetin brenda të cilit kanë vepruar, pasi që një grup i tyre e bëjnë projektin dhe dokumentacionin për aplikim, me pagesë dhe për për qindje.

“Duhet të ngarkohet çdo nëpunës me përgjegjësi penale dhe morale duke i ndëshkuar të gjithë ata që kapen me afera që mos të kenë mundësi të jetë pjesë e asnjë institucion publik apo shtetëror. Si afera e 2 milionëshit kemi pasur gjithmonë, por që janë tejkaluar në heshtje, tek ne janë vjedhur edhe në dhomën e hetimeve, në polici e që askush nuk është penalizuar për këto veprime, e mos të flasim për veprime tjera. Këtu Vettingu në të gjitha institucionet duhet të bëhet më urgjencë duke u pastruar shteti nga lakmitarët dhe hajdutët të cilët sjellin përfitime për vete apo tjetrit, në të kundërtën do të mbesim të izoluar siç kemi mbetur për shkak të korrupsionit”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi.

Juristi: Luftimi i krimit të organizuar burimin e vet e ka në partitë politike

Image
Blerim Burjani

E, njohësi tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, duke folur për aksionin e Policisë së Kosovës, ka thënë se të tilla arrestime ka pasur edhe në të kaluarën.

“Po procese të tilla arrestimesh ka pasur edhe në të kaluarën. Nuk mund të flasim për diçka të re, mirëpo në esencë krimi i organizuar ka vazhduar, kur të merret parasysh se njerëzit e punësuar nga partitë politike janë pjesë një zingjirore që udhëhiqet nga qarqet politike partiake në shumicën e rasteve. Në pak raste ndodhë që veprat penale të janë të motivuara nga personat e administratës së shtetit, pra nuk shoh asgjë interesante derisa nuk ka arrestime të njerëzve që janë urdhërdhënës të akteve të tilla kriminale që vijnë nga ish partitë politike në pushtet e që ende vazhdojnë të mbajnë poste publikë ne administratën e shtetit”, ka thënë Burjani.

Tutje, juristi Burjani thekson se luftimi i krimit të organizuar burimin e vet e ka në partitë politike

“Pra, kjo është vetëm sa për të shënuar mediet një lajm. Luftimi i krimit të organizuar burimin e vet e ka në partitë politike. Asnjë person apo zyrtar i lartë politik nuk është arrestuar për nepotizëm, dhe punësim partiak pa kritere, mbi 90 për qind të të punësuarve nëpër ambasada janë nga partitë politike, duke filluar nga ambasadorët dhe nëpunës të ambasadave dhe posteve të ndryshme. Pra, kjo çka po ndodhë as nuk ka çka të përmendet, kjo është diçka që gjithmonë ka ndodhë në mënyrë të fragmentarizuar”, është shprehur me tej juristi.

Në fund, ai ka shpjeguar se shërbyesit civil paraprakisht duhet të nënshkruajnë deklaratën se nuk u takojnë partive politike.

“Pra, duhet shërbyesit civil të nënshkruajnë deklaratën se nuk u takojnë partive politike, shërbyes civil apo zyrtar publik të punësuar me taksat e qytetarëve nuk duhet të lejohen të punojnë për parti politike në poste të ndryshme civile dhe publike. Ata thjesht duhet t’i shërbejnë popullit, por jo të merren me politikë, pastaj keni sekretar të përhershme të gjithë politik, pra duhet depolitizim dhe reformim i administratës së shtetit siç e kërkon BE-ja”, tha në fund, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, Podujevës, Gjilanit, Istogut e Lipjanit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N., vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Nga kjo bastisje e realizuar janë konfiskuar: rreth 433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona, 8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat