Profesori kërkon largimin e këtyre ‘luanëve’ nga LDK-ja – tregon kush e shpëton këtë parti

Politika

Profesori kërkon largimin e këtyre ‘luanëve’ nga LDK-ja – tregon kush e shpëton këtë parti

Nga: A.Morina Më: 5 mars 2021 Në ora: 22:48
Lidhja Demokratike e Kosovës

Me 14 mars, priten të mbahen zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK po synon të reformohet dhe të ngritet në nivelet e saj të mëparshme, përmes zgjedhjes së një kryetari dhe kryesie të re.

Ndonëse, me dorëheqjen e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të LDK-së, kanë filluar disa anëtarë të synojnë këtë pozitë, ende asnjë prej tyre nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën për këtë post.

Profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar situatën e brendshme politike në LDK.

Kelmendi tha se konfliktet në LDK janë shumë të rrezikshme, madje ato mund të dërgojnë deri në dëme shumë të mëdha. Ai përmendi edhe ndarjen e Dacit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Konfliktet e brendshme partiake janë shumë të rrezikshme dhe mund të dërgojnë edhe deri në dëme shumë të rënda.

Të kujtojmë ndarjen e Dacit, ku LDK-së i kushtoi shumë kjo ndarje, nga ajo kohe kurrë kjo parti nuk arriti të reformohet”, deklaroi Kelmendi.

Ai tha se tash LDK ka një provë tjetër, prandaj asaj i duhen forca të reja udhëheqëse, pasi më këtë kryesi e ka shumë të vështirë të reformohet.

“Tash është prova tjetër për LDK-në, nëse shkohet nga konfliktet tjera për kryetar, ka mundësi që LDK të dëmtohet përfundimisht. Prandaj kësaj partie i duhen forca të reja dhe krejtësisht një udhëheqje e re, jashtë strukturës aktuale që ka.

Me anëtarët e kryesisë së kësaj partie, vështirë e ka të ndryshoj. LDK duhet të kërkoi kryetarin jashtë kryesisë dhe KP. Në kryesinë e tashme, anëtarët e saj, janë treguar vartës të dëmshëm dhe nuk e meritojnë udhëheqjen”, theksoi profesori.

Në fund, Kelmendi tha se ‘luanët’ e LDK-së, Haziri, Hyseni, po e dëmtojnë shumë partinë sa nuk po e lënë të marrë frymë. Ai u shpreh se vetëm një udhëheqje e re e shpëton këtë parti nga llumi ku ka rënë.

“LDK-së i duhet një udhëheqje e re dhe e cila di ta ruajë strukturën e saj të pandarë. Mendohet se luanët e saj, si Veliu, Haziri, Hyseni, Rugova etj., nuk do të ndahen nga Isa Mustafa. Ata do të dëmtojnë përfundimisht, LDK me ta nuk merr frymë. Nëse kjo nuk ndodhë, edhe nëse nuk ka ndarje tash, me këta njerëz LDK do ta pësoj shumë rëndë. Vetëm një udhëheqje e re e shpëton këtë parti nga llumi ku ka rënë”, përfundoi profesor Kelmendi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat