Paralajmëron veprimtari nga Amerika: Ja kujt nuk duhet t’i jepet timoni i LDK-së në duar!

Politika

Paralajmëron veprimtari nga Amerika: Ja kujt nuk duhet t’i jepet timoni i LDK-së në duar!

Nga: A.Morina Më: 12 mars 2021 Në ora: 21:38
Foto ilustrim

Zgjedhjet e brendshme të 14 shkurtit, pritet të sjellin reformat e para brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila pësoi rënien më të madhe në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Deri tani, kandidatët zyrtarë për postin e të parit të LDK-së, janë: Besian Mustafa, Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri.

Ndërsa, veprimtari nga Amerika dhe njohësi i çështjeve politike, Ramazan Bekteshi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në LDK.

Bekteshi tha se zgjedhjet e brendshme në LDK u vendosën shumë shpejtë dhe pa përgatitje të duhur, që ka për qëllimi riciklimin e partisë nga ata që ia sollën humbjen e madhe në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Image
Veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi

“Kuvendi i 10-te i LDK-së më 14 mars, i vendosur me shpejtësi marramendëse dhe pa përgatitjet e nevojshme, ka për qëllim riciklimin e atyre që ia sollën partisë disfatat. Pa bërë reforma rrënjësore dhe pa i marr në përgjegjësi shkaktarët dhe vetëm me improvizime, ky mision bëhet i pamundur”, deklaroi Bekteshi.

Ai kritikoi disa nga kandidatët për kryetar të LDK-së, pasi sipas Bekteshit, ata nuk i kërkuan asnjëherë përgjegjësi Isa Mustafës, për poshtërimet dhe humbjet e mëdha që ia solli partisë. Veprimtari nga Amerika tha se askush nuk e ngriti zërin derisa ‘ania e pavarësisë’ (LDK), ishte jashtë kursit të navigimit të saj historik.

“Derisa, në LDK sorollatet Isa, derisa aty zvarritet kërraba e tij, derisa pretedentët për kryetar janë po ata që asnjë vërejtje s'ia bënë Isës kurrë, e as i kërkuan përgjegjësi pas aq shumë humbjesh, pas aq shumë poshtërimesh të partisë, edhe atëherë kur partia abuzonte duke i hequr zvarre gratë e saja, kur i përjashtonte, i linçonte ato më të guximshmet e saj. Askush s'e ngriti zërin derisa ‘ania e pavarësisë’, LDK-ja, ishte jashtë kursit të navigimit të saj historik. Tani a është reale që këta kandidatë që pretendojnë kreun e partisë por që njëkohësisht kontribuuan në tkurrjen e saj, të njëjtit protagonistë dështakë të marrin kreun e partisë, pra ky realitet është një mision i dështuar dhe i pamundur”, theksoi ai.

Në vazhdim, Bekteshi përmendi ‘plagët e pashërueshme” të LDK-së, siç janë: frika, interesi, oportunizmi. Ai madje tha se LDK nuk do të arrijë ta fitojë asnjë komunë në zgjedhjet lokale, pasi të njëjtit politikanë në zgjedhjet e 14 shkurtit i humbën edhe fshatrat nga vinin.

“Oportunizmi, frika, interesi, karriera, vasaliteti, mbeten plagë të pashërueshme te LDK-ja, dhe fatkeqësisht ajo në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk ka asnjë shanse të fitoj ndonjë komunë të vetme, sepse të njëjtit politikanë në zgjedhjet e 14 shkurtit i humbën edhe fshatrat nga vinin liderët e LDK-së, i humbën edhe komunat qe i udhëhiqnin ata.
 

Fatkeqësia e madhe e LDK-së është sepse edhe ata që ishin jashtë partisë heshtën, por duke shpresuar e lakmuar një pozitë a një mundësi nga Isa, duke mos e kundërshtuar e duke mos kërkuar asnjëherë përgjegjësi edhe atëherë kur tymi dilte nga të katër anët partisë. Por tani, pas humbjes së madhe, kur partia u bë e hendikepuar vetëm 12% aftë, asaj do ti duhen vite të tëra rehabilitimi, nëse do të rehabilitohet ndonjëherë”, nënvizoi ai.

Bekteshi tha se kritikat pas humbjes fatale në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk kanë asnjë kuptim, pasi erdhën në ‘minutën e fundit’. Ai parashtroi një pyetje: “A s’e kishin këta lider shumë më lehtë të parandalonin sëmundjen se sa t’a shërojnë tani?”

“Tani, pas humbjes së LDK-se, burra e gra si ‘sokola’ u çuan me kritika ndaj humbjes fatale. Por çfarë kuptimi na paskan këto kritika në minutën e fundit. A s’e kishin këta lider shumë më lehtë të parandalonin sëmundjen se sa t’a shërojnë tani, nga sëmundja progresive që mund të jetë edhe fatale, pra, pikërisht e shkaktuar nga ata që sot pretendojnë kreun saj dhe lejuan që gjysma e saj të iki përgjithmonë”, potencoi veprimtari nga Amerika.

Në fund, ai tha se asnjë nga kandidatë për kryetar të partisë nuk kërkojë përgjegjësi dhe llogari nga Isa Mustafa për çështjet si Fondi i Kosovës 3%, Çakorri, Zajednica, etj. Bekteshi u shpreh se në botën e civilizuar asnjëherë nuk ndodh që atyre që ia shkaktojnë disfatën e madhe partisë, edhe njëherë t’u jepet timoni në duar

“Asnjë nga pretedentët për kryetar të partisë nuk i ka kritikuar veprimet e mbrapshta të kryetarit Mustafa, asnjëri nuk i ka kërkuar falje diasporës për neglizhim e kjo i kushtoi më së shumti LDK-së. Asnjë kandidat nuk përmendi lëshimet dhe përgjegjësitë e Isës, duke filluar nga Fondi i Kosovës 3%, asnjëri në prononcimet e deritashme nuk foli për lëshimet që i kushtojnë Kosovës fort, si Çakorri, Zajednica, askush nuk foli si do të veproj me ndryshe nga Isa, si për gjenocidin, kërkim faljen dhe dëmshpërblimin nga Serbia etj. Askush nuk e tha se LDK-ja nën udhëheqjen e Isës e ka braktis rugovizmin. Fatkeqësisht, kjo tregon se agonia vjetër me fytyra të vjetra mund të vazhdoj.

Në botën e civilizuar, asnjëherë nuk ndodh që atyre që ia shkaktojnë disfatën e madhe partisë, që edhe njëherë t’u jepet timoni në duar, sepse ata mund të shkaktojnë një disfatë edhe më të madhe”, përfundoi Ramazan Bekteshi, veprimtari nga Amerika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat