Kërkohet unitet nga partitë politike për formimin e institucioneve të vendit

Politika

Kërkohet unitet nga partitë politike për formimin e institucioneve të vendit

Nga: M.H Më: 15 mars 2021 Në ora: 16:05
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Të dielën Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetari i ri i LDK-së.

Abdixhiku ka marrë shumicën e votave të delegatëve derisa dhe do ta udhëheq Lidhjen Demokratike për dy vitet e ardhshme.

Mirëpo, menjëherë pas zgjedhjes së tij, Abdixhiku mori ftesën për takimin me Kurtin dhe Osmanin për formimin e institucioneve, por i njëjti ka refuzuar ftesën.

Ai ka thënë se për shkak të rrethanave nuk mund të takohet me ta, por ka propozuar të premten si datë për takimin me Kurtin dhe Osmanin.

Ai i ka falënderuar të dy për ftesën, ndërsa ka thënë se kjo është qasja se si duhet të sillen.

“Tani për shkak të rrethanave të tanishme, gjëja e parë që do ta bëj nesër është që do të dal në zyrat e LDK-së. Unë e falënderoj konstruktivitetin e zonjës Osmani dhe Z. Kurti në lidhje me ftesën. Besoj që kjo është qasja e duhur se si duhet të sillemi, por e kam të pamundur për shkak të konsolidimit të organeve tona dhe konsultave të brendshme. Gjithsesi propozoj të premten si datë për takimin eventual në formatin e njëjtë siç është kërkuar”, ka shkruar Abdixhiku.

Se a do të mbahet takimi me LDK-në të premten mbetët të shihet. Në lidhje me refuzimin e Abdixhikut për të marrë pjesë në takim, “Bota sot”, ka kontaktuar me njohësin e çështjeve politike, Shemsi Jashari.

Jashari u shpreh se ky veprim i Abdixhikut është i drejtë dhe i arsyeshëm pasi ai është zgjedhur dje kryetar dhe ende nuk ka e zgjedhur kryesinë.

Sipas analistit, kjo ftesë ka qenë e qëllimshme, pasi që VV ka qenë në dijeni se ky takim nuk do të ketë mundësi të mbahet sot.

Image
Shemsi Jashari

“Veprimi i Z.Abdixhiku mendoj se është i drejtë dhe i arsyeshëm pasi vetëm dje është zgjedhur kryetar dhe ende nuk ka zgjedhur kryesinë e për të diskutuar për platformën dhe qëndrimet në lidhje me temat që e presin. Mendoj se ftesa e drejtuar LDK-së, ka qenë e qëllimshme për këtë datë pasi kuvendi i LDK-së për zgjedhjen e kryetarit ka qenë publik dhe LVV e ka ditur paraprakisht se ky takim nuk ka mundësi të mbahet sot”, u shpreh Jashari.

Ndër të tjera, analisti thotë se VV duhet të ndërtojë bashkëpunim dhe paqe me partitë opozitare dhe jo e kundërta, pasi që çdo presion do të jetë një shenjë arrogance e fituesit. Ai shtoi se vendimet e mëdha që kërkojnë miratimin e dy të tretave (2/3) janë shumë të rëndësishme ta kenë edhe pëlqimin e opozitës.

“Duke qenë parti fituese i takon LVV-së të kujdeset që të ndërtojë bashkëpunim dhe paqe me partitë opozitare dhe jo e kundërta prandaj çdo presion mbi opozitën mendoj që është shenjë e arrogancës nga fituesi i zgjedhjeve dhe nuk i takon ta bëjë. Kujtojmë se vendimet e mëdha që kërkojnë miratimin e dy të tretave (2/3) janë shumë të rëndësishme ta kenë edhe pëlqimin e opozitës pavarësisht ai ka numrat apo jo në Kuvend, sepse kjo do ta bënte jo relevate Listën Serbe të vendosë kushte dhe të pengoj proceset e mëdha”, përfundoi Jashari për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat