“Shtrëngata” Osmani, testi i parë serioz për Abdixhikun - nga Amerika vjen thirrja për votimin e Vjosës presidente

Politika

“Shtrëngata” Osmani, testi i parë serioz për Abdixhikun - nga Amerika vjen thirrja për votimin e Vjosës presidente

Nga: A.Morina Më: 21 mars 2021 Në ora: 11:19
Vjosa Osmani

Një javë pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Lumir Abdixhikut, Lidhja Demokratike e Kosovës zgjodhi edhe Kryesinë e re të partisë.

Anton Quni, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri dhe Shqipe Mjekiqi janë zgjedhur nënkryetarë. Ndërsa, Imri Ahmeti është zgjedhur sekretar i partisë.

Mirëpo, ajo çfarë nxiti reagime të mëdha është mbetja jashtë kryesisë, e emrave si: Agim Veliu, Haki Rugova, Ismet Beqir, Driton Selmanaj, Arban Abrashi, etj.

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Bekteshi tha se me ‘stuhi’ u formua këshilli i përgjithshëm dhe kryesia e re e LDK-së. Ai përmendi edhe spekulimet se Lumir Abdixhiku është trashëgimtar i mësuesit të tij (Isa Mustafës).

Image
Ramzan Bekteshi, veprimtar nga Amerika

 

“LDK-ja i humbi zgjedhjet e 14 shkurtit pritshëm dhe me ‘stuhi’. Me ‘stuhi’ dhe pa përgatitje erdhi dhe Lumiri në krye te LDK-së, me ‘stuhi’ u formua këshilli i përgjithshëm dhe kryesia e re e LDK-së. Kur një pjesë e anëtarësisë së LDK-së u ngazëllyen me triumfin e Lumirit, si pjesëtar i një gjenerate të re, por pa karizëm, i ftohte akull, por një njeri i zgjuar, dhe këtë e vërtetoi gjatë qeverisë Kurti I, që ishte ministri më i suksesshëm së bashku me Vitinë.

Derisa, një pjesë e anëtarësisë ishin të zhgënjyer, me ardhjen e tij në krye të partisë, duke menduar se ai është trashëgimtar i mësuesit të tij, që e solli në parti, dhe fatkeqësisht u dha shkas të mendojnë kështu kur ai, me gojën e tij e shpalli, Isa Musafën kryetar nderi të partisë, atëherë kur pritej që Isa të shpallej persona non grata për dëmet e pariparueshme qe ia solli partisë dhe shtetit”, deklaroi Bekteshi.

Veprimtari nga Amerika, pavarësisht se e cilësoi Abdixhikun si menaxher i mirë, ai u shpreh se udhëheqja e një subjekti me histori të madhe është një barrë e rëndë për një politikan që nuk vjen nga akademia e LDK-së.

“Padyshim se Lumiri është një menaxher i mire dhe i konfirmuar gjatë pandemisë, por a mjafton vetëm të jesh i zgjuar dhe menaxher i mire që të udhëheqësh një parti të rraskapitur dhe të hedhur për toke, partinë më të suksesshme të Kosovës të ngritur nga Rugova, Agani e shumë dinjitarë të famshëm. A mos është kjo një barrë e rëndë për një politikan premtues por që nuk vjen nga akademia e LDK-së”, theksoi ai.

Tutje, Bekteshi përmendi mbetjen jashtë të disa figurave të vjetra të LDK-së, sic janë Agim Veliu, Ismet Beqiri, Haki Rugova, etj. Ai tha se kanë mbetur edhe një grup i përfituesve në LDK, që janë pa peshë, por pa zë.

“Lërja anash e pak individëve që personifikohen me humbjet dhe dëmet që ia shkaktuan partisë së bashku me Isën, është vetëm një gjysmë mase, kur të merret parasysh se në kryesi e këshill kanë mbetur edhe një grup oportunistësh që s’janë as mish-as-peshk si dhe ndonjë ‘emigrantë’ pa peshë por që zë vend”, potencoi ai.

Ndërsa, testin e parë serioz të Lumir Abdixhikut, Bekteshi e sheh takimin me ‘shtrëngatën’ Vjosa Osmani. Pasi, ky test mund ta ndihmojë apo dëmtojë atë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Të gjitha këto ngjarje i ndodhën stuhishëm kryetarit të ri, por ‘stuhia’ nuk ndalet këtu, ajo mundet edhe të avancohet në ‘uragan’ kur të takohet me ‘shtrëngatën’ Vjosa. Ky është testi i parë serioz për Lumirin se si u qaset problemeve dhe si i zgjedh ato, ky test mund ta ndihmojë apo dëmtojë atë në zgjedhjet e ardhme lokale, për një ngritje apo dhe rënie eventuale, e që do të ishte dhe fundi i tij dhe LDK-së”, nënvizoi analisti”, u shpreh ai, përcjell "Bota sot".

Në vazhdim, veprimtari nga Amerika tha se Abdixhiku pre e Isa Mustafës dhe Avdullah Hotit, pasi këta dy të fundit, LDK-ja pësoi humbjen dhe turpërimin më të madh.

“Lumiri ka një shanse të madhe tani, dhe mos të bie pre i Hotit dhe të ngjashëm si ai, sepse me të drejtë Hoti nuk do të duhej të kishte vend këtu pas atij grusht-shtetit të famshëm në kohe pandemie, por do të duhej të ishte pjesë e paketës së të larguarve sepse me Hotin kryeministër e Isën kryetar, LDK-ja pësoi humbjen dhe turpërimin e madh”, deklaroi ai.

Po ashtu, Bekteshi i kërkoi Lumirit të jetë racionale dh eta votojë Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës, pasi me këtë veprim ai do ta eliminonte rivalitetin e rrezikshëm ndaj LDK-së dhe do të eliminonte rrezikun permanent të quajtur Vjosa.

“Për vendime të rënda Lumiri do të duhej të jetë më racional se që ka qenë ndonjëherë, të votojë Vjosën presidente, dhe me këtë akt ai do t'ia eliminonte rivalitetin e rrezikshëm ndaj LDK-së, sepse Vjosa si presidente as që do të kishte kohë por as të drejtë të merret me punë partie, dhe kështu Lista Vjosa do ta ketë vështirë të rritet dhe ta rrezikojë LDK-në e udhëhequr nga një personalitet tjetër pos Vjosës.

Ky veprim vizionar do ti mundësonte LDK-së të shtendoste tensionet brenda elektoratit të saj dhe të eliminonte rrezikun permanent të quajtur Vjosa. Më në fund edhe Kosova do të fitonte një kandidate brilante për president dhe më të kualifikuarën për momentin”, tha ai.

Në fund, veprimtari Ramazan Bekteshi tha se Abdixhiku nuk ka aq fuqi, si pretendojnë me inat disa në parti, të dëmtojnë LVV. Dhe një tendencë e tillë do ta dërgonte vendin në zgjedhje dhe LDK-në do ta vinte në siklet për ta kaluar pragun

“ Lumiri është aty ku është, në kohë shumë të vështira, dhe ai e meriton shansin historik të ngrit partinë dhe vetë vetën me reforma të thella nga poshtë lartë, sepse ai nuk ka më shume fuqi se aq, si pretendojnë me inat disa në parti, të dëmtojnë LVV, dhe kjo është e pamundur sepse ajo në mënyre triumfale veç është udhës për një mision qytetar dhe kombëtar. Tendenca për një obstruksion institucional do ta dërgonte vendin në zgjedhje dhe LDK-në do ta vinte në siklet për ta kaluar pragun”, përfundoi Ramzan Bekteshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat