Zgjedhja e presidentit nuk varet nga Hoxhaj, Abdixhiku dhe Haradinaj, ja nga kush

Politika

Zgjedhja e presidentit nuk varet nga Hoxhaj, Abdixhiku dhe Haradinaj, ja nga kush

Nga: A.Z Më: 25 mars 2021 Në ora: 09:32
Vjosa Osmani

Ambasadori amerikan Philip Kosnett ka thënë se SHBA nuk është duke kërkuar që opozita të votojë ndonjë individ të caktuar për president, por që duhet votuar presidenti dhe jo të shkohet në zgjedhje.

"Çka po kërkojmë është që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme dhe muaj të tërë të mosfunksionimit gjatë kohës së pandemisë dhe krizës ekonomike”, ka thënë ai. 

Por nga ana tjetër PDK, kategorikisht kanë dalë më qëndrim kundër, duke thënë se nuk kanë votë për Vjosa Osmanin. 

Lidhur me këtë, profesori dhe analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se për tu zgjedhur Osmani, presidente varet nga 120 deputetët, por jo nga Hoxhaj. 

Me këtë rast edhe ambasadori Kosnett kërkon që presidenti të zgjidhet nga deputetët në krye me Konjufcën, kështu që zgjedhja e Osmanit varet nga kryetari i Parlamentit për t’i siguruar votat Osmanit. 

“Të kota janë përpjekjet e PDK-së kundër Vjosa Osmanit për presidente, pasi ky post i lartë nuk varet prej partisë së Hoxhajt po prej 120 deputetëve në parlamentin e Kosovës, këtë e thotë edhe ambasadori amerikan, Kosnett, i cili nuk kërkon nga opozita të votohet presidenti, por këtë përgjegjësi të zgjedhjes së presidentit e kërkon nga deputetët e parlamentit të Kosovës në krye me Glauk Konjufcën. Pra, përgjegjësia e zgjedhjes së Vjosa Osmanit për presidente do të varet prej Kryetarit të Parlamenti të Kosovës se sa ai do të jetë i aftë të sigurojë dy të tretat e votave për Vjosa Osmanin e nuk varet prej Hoxhajt, Abdixhikut e Haradinajt”, ka thënë Mehazi.

Tutje, ai ka theksuar se edhe Kosnett kërkon që procesi të ecë përpara në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja. 

Sipas Mehazit, Konjufca si Kryetar i Kuvendit do të gjejë plus 11 deputetë, që do të jenë të mjaftueshëm për ta legjitimuar Osmanin për presidente. 

“Loja politike me deputetët për president të shtetit do bëhet brenda e prapa perdeve të fshehta të parlamentit e jo para partive opozitare që janë kundër Vjosa Osmanit. Këtë porosi e ka komentuar edhe ambasadori amerikan Kosnett i cili “kërkon që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme". Nëse PDK-ja ka dalë me qëndrim kundër Vjosa Osmanit për presidente nuk do të thotë se edhe deputetët e PDK-së do të jenë kundër Osmanit, përkundrazi. Nëse Konjufcën e zgjodhën Kryetar të Kuvendit të Kosovës me 69 vota, jemi të sigurt se Konjufca si i pari i Kuvendit të Kosovës do të gjejë plus 11 deputetë aq sa për ta legjitimuar Vjosa Osmanin për presidente të Republikës së Kosovës. Shkurt e qartë, presidenti i shtetit nuk varet prej Abdixhikut, Hoxhajt e Haradinajt, por prej atij që është në krye të Parlamentit të Kosovës, e në krye të kësaj detyre parlamentare është Konjufca së bashku me deputetët e Kosovës”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat