Profesori ndërkombëtar: Vjosa Osmani presidentja më legjitime pas Ibrahim Rugovës

Politika

Profesori ndërkombëtar: Vjosa Osmani presidentja më legjitime pas Ibrahim Rugovës

Nga: N. H Më: 9 prill 2021 Në ora: 23:47
Vjosa Osmani

Enver Hoxhaj, Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj të gjithë së bashku kanë 71 mijë e 521 vota më pak se sa Vjosa Osmani, presidentja e zgjedhur e Kosovës.

Vjosa Osmani, doli më e votuara në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Osmani që ishte numri dy në listën e VV-së, mori 300.788 vota

Por, përkundër se është më e votuara në vend, opozita nuk ndalet me kritika për të parën e shtetit të Kosovës.

Për gazetën “Bota sot”, lidhur me këtë çështje ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Profesori ndërkombëtar ka deklaruar se ka ardhur momenti kur opozita të ulë armët dhe ta pranojë faktin se Vjosa Osmani është presidente e Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Madje, ta pranojnë se ajo është presidente e unifikimit, e konsensusit dhe e unitetit. Sepse të tillë e ka bërë sovrani. Asnjë kryetar partie, dështak ose jo, nuk mund ta mohojë këtë. Ka ardhur koha të mblidhen, ta njohin dhe urojnë njëri-tjetrin, të shkëmbejnë mendime se si mund të përballohen së bashku sfidat që Kosova ka përpara”, ka thënë Prof. dr. Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka theksuar se presidentja aktuale e Kosovës është presidentja më legjitime pas presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

“Nuk shkohet as te nevojtorja e oborrit me inate dhe sjellje prej politikanësh të fillimit të shekullit XX. Presidentja është legjitime. Është e votuar nga qytetarët dhe nga parlamenti sipas ligjit. Madje është presidentja më legjitime pas Ibrahim Rugovës. Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë është për opozitën e sidomos për Kosovën”, tha profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat