“Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla, tmerrues për PAN-istët”, ky është skenari ndaj presidentes së Kosovës

Politika

“Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla, tmerrues për PAN-istët”, ky është skenari ndaj presidentes së Kosovës

Nga: N. H Më: 13 prill 2021 Në ora: 22:57
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Ditëve të fundit, ka filluar një “luftë” e ashpër ndaj të parës së shtetit të Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ndaj Vjosa Osmanit vërshuan reagime të shumta, pasi që kjo e fundit u akuzua për mospërmendje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në postimin për përvjetorin e Koshares si dhe betejës së Kaçanikut.

Presidentja Vjosa Osmani, reagoi pasi u kritikua se nuk përmendi askund UÇK-në kur foli për Betejën e Koshares. Ajo një video të publikuar në Facebook, tha se kundërshton atë që ajo e quan “luftë speciale e ndërtuar mbi të pa vërteta” kundër saj.

“Nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme”, tha Osmani.

Lexo edhe / Pjesa e parë e bashkëbisedimit: Rrëfimi i rrallë i analistit nga Gjermania: Ja si u përjashtua Vjosa Osmani nga LDK, babai saj kuadër i FARK-ut të Rugovës

Publicisti i njohur, Idriz Zeqiraj, në pjesën e dytë të bashkëbisedimit, që lidhet me “luftën speciale” që po bëhet ndaj të parës së shtetit ka thënë se karakteri i Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës ka shumë pika takimi me atë të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Zeqiraj konsideron se ata që fshihen prapa këtyre akuzave janë disa ndoca zyrtarë, që po përpiqen dhe duan të përfitojnë në karrierën e tyre.

Image
Idriz Zeqiraj

“Vjosë Osmani ngjiti shkallët e karrierës, me konsistencën e saj parimore, gjithnjë, e frymëzuar nga mësuesi i saj i mençur Rugovë. Ende nuk janë hapur arkivat, për ta parë rezistencën e Presidentit Rugova, për mbrojtjen e Kosovës, në kufijtë e saj të Kushtetutës të viteve ‘70-a. E habitshme, por e vërtetë se edhe disa miq tanë, “për kokë”, donin ta mbyllnin një proces, qoftë edhe në dëm të Kosovës. Janë ndoca zyrtarë, që duan të përfitojnë në karrierë, pavarësisht logjikës të fakteve. Kur një ditë shqiptarët ta mësojnë, këtë të vërtetë të hidhur, do të shokohen. Njëherësh, dashuria, respekti, adhurimi, falënderimi, mirënjohja, për Presidentin hyjnor Rugova, do të madhohen, deri në pakufi”, ka thënë Zeqiraj.

Zeqiraj në këtë bisedë për “Bota sot”, ka treguar se në vazhdimësi kanë paralajmëruar se nuk duhej injoruar nga ana e LDK-së dyshen Osmani-Gërvalla, mirëpo, ai shpjegon se si ishte bërë shpërfillja e vazhdueshme nga “klani” që udhëhoqi LDK-në.

“Sondazhet e bëra nga agjensi e media prestigjioze, tregonin epërsinë absolute të kandidates Vjosë Osmani, në raport me kandidatët tjerë, qofshin të vetëshpallur apo të tjerë të propozuar, nga dëshira individuale, grupore apo partiake. Diferenca ishte enorme; 80 % e popullit të Kosovës, e donin Vjosë Osmanin presidente, kurse tre kandidatët tjerë kandidatë për presidentë, ndanin atë 20 % e mbetur, edhe pse ishin figura publike dhe me pretendime hiç modeste. Megjithatë, pati ndër ata kandidatë, që ende ëndërronte postin e presidentit, duke pasur precedent zgjedhjen konspirative dhe banditeske të Hashimit president. Me gjithë paralajmërimet tona, si gazetarë, se nuk duhet injoruar Vjosa e Donika dhe duhet kërkuar ndjesë, sa nuk është bërë vonë. Por, shpërfillja nga lidershipi-klan, ishte, pothuajse, idioteske. P.Sh. Agim Veliu thoshte se “largimi i Vjosës as shenjë nuk na bënë”, ose akademik Isa Mustafa garantonte se “Vjosa asnjë votë nuk mund ta marri nga LDK-ja””, tregon Zeqiraj.

Kurse, sa i përket akuzave dhe kundërshtisë që po i bëhet në këtë kohë presidentes Osmani, Zeqiraj shpreh se krejt kjo kundërshti është veçse inatçore dhe artificiale, dhe e destinuar për dështim.

“I. “Prapa kalit të mirë, çohet pluhur”, - thotë një urtësi popullore, që shprehë pozitivitetin e njeriut të mirë, por, që smirëzinjtë e xhelozojnë. Dhe, në pamundësi përballje me atë, e përgojojnë me tepëri, edhe pse pa baza, pa të drejtë, por, duke besuar në moton klasike. “Shpif, shpif, se diçka mbetet.” Krejt ngjashëm po ndodhë edhe me kundërshtitë paushalle, ndaj presidentes sovrane e gjithë krenari e sharmë, Prof. Dr. Vjosë Osmani. Kundërshtia e opozitës, ndaj presidentes është sa e shpëlarë, aq edhe inatçore e artificiale, e destinuar për dështim. Sepse, inati në politikë është humbës, kanë thënë e përsëritur edhe të tjerët. Shkurt, kinse po bëjmë opozitarizëm, pa pasur asnjë fakt relevant”, shprehet ai për “Bota sot”.

“Hatërimi i opozitës, pse koalicioni LVV-Lista “GUXO”, mbajnë tri postet kryesore, tashmë, kjo ka ndodhur, duke u votuar secili, veç e veç, me votat e bollshme që kishte koalicioni në fjalë. Por, bashkimi i opozitës, me organizimin e Hashimit, përfshi edhe Listën Serbe, për rrëzimin e qeverisë-Kurti, ishte i vrazhdët dhe shumë armiqësor. Zotimi i Hotit kryeministër se “do të kujdesemi që LVV të mos vijë më në pushtet”, kulmonte me urrejtjen cinike, po të kemi parasysh moshën rinore të subjektit politik të LVV. Andaj, LVV nuk donte vartësinë, jo vetëm të Listës Serbe, por, as të subjekteve tjera shqiptare”, tha ai.

Ai është i mendimit se arsyeja e armiqësisë që po bëhet ndaj presidentes Vjosa Osmani, por, edhe Lëvizjes Vetëvendosje, e kanë burimin tek frika e drejtësisë.

“II. Dr. Vjosë Osmani, përpos që, meritueshëm, ia mori tej 100 mijë anëtarë LDK-së, ajo dhe LVV dëmtoi, po kaq meritueshëm edhe partitë-banda të PAN-it. NISMA-n “e nxorën nga loja”. Në prag të “skadencës” e sollën edhe AAK-në dhe tkurrën edhe më tej PDK-në. PAN-in, me akuzat bazike për krimin e organizuar vrastar dhe hajninë zyrtare, një sistem i drejtësisë funksionale, do ta ndëshkonte me paligjshmëri politike. Arsyeja e armiqësisë ndaj Vjosës presidente, por, edhe LVV, e kanë burimin tek frika e drejtësisë. Prioriteti, tashmë, i deklaruar i qeverisë-Kurti, për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, të shoqëruar me konfiskimin e pasurive të pa mbulesë, të grabitura brezave shqiptarë, janë tmerruese për PAN-istët”, mendon opinionisti Zeqiraj.

Zeqiraj ka shtuar gjithashtu se deklaratat e opozitës, kundër presidentes, janë “lehje në hënë”, pasi që sipas tij, Osmani është njohëse e shkëlqyer e ligjeve dhe e Kushtetutës, që e bënë atë të pagabueshme në ushtrimin e detyrës krye-shtetërore.

“Opozita është mjaft e çakorduar, sepse mbi një pjesë të saj, rëndon dyshimi i bazuar, për krimin e organizuar dhe krimin ekonomik, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Krejt njëjtë, siç kishte ndodhur me komunistët e Enver Hoxhës, të cilët, luftën çlirimtare, e konvertuan në luftë civile. Cinikisht, ishin kuadrot e Sigurimit Shtetëror kriminal të Enver Hoxhës, ata që themeluan SHIK-un e Kosovës dhe ushtruan bandat kriminale. Ato ekzekutuan ushtarakët e FARK-ut, përfshi edhe ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin si dhe oficerët tjerë luftë-bërës. Bandat e SHIK-ut, të organizuara në Dukagjin, Drenicë e Llap, ekzekutuan bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës dhe veprimtarët e LDK-së. Opozita po heziton, madje, ndonjë subjekt, edhe po refuzon pjesëmarrjen në delegacionin dialogues me Serbinë. Shpresat i kanë varur tek dështimi i dialogut, për rrjedhojë, rrëzimi i qeverisë. Kjo na kujton dhelprën, në pritje të rënies të “boleve të dashit.” E turpshme dhe kundra-kombëtare, për opozitën bastarde”.

Zeqiraj tutje në këtë bisedë ka theksuar se prishja e rehatisë të kriminelëve dhe kryehajdutëve, liderë të partive politike, ka ngjallur urrejtjen për presidenten dhe politikanen më të votuar dhe më të adhuruar, ndër shqiptarët e kudondodhur, Vjosë Osmani, e cila mori tej 300 mijë vota nga populli, madje, pavarësisht përkatësive politike.

“III. Shtrëngata Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, me nismën e tyre për reformim dhe ndryshim të politikë-bërjes në Kosovë, kanë trazuar shpirtrat e butakëve burokratë, nepotikë e korruptivë, profiterë dhe abuzues klasikë të pushtetit dhe të shtetit. E filluan me LDK-në, duke denoncuar paligjshmërinë drejtuese të partisë. Zonjat luftarake, Donika dhe Vjosa, përcjellin mesazhin e qartë, se edhe subjektet tjera politike, përtej dy dekadave, udhëhiqen nga kriminelë, cuba e hajna. Krerët e partive politike, janë dakorduar, konspirativisht, të votohen me aklamacion, sepse u mundësohet riciklimi i tyre, në krye të partisë, pafundësisht. Kështu veproi edhe profesori demagog, Hoxhaj, i cili refuzoi kërkesën e ligjshme të Lirak Çelaj dhe Xhevahire Izmaku, me shokë, futjen në votimin e fshehtë të kryesisë-bandë të PDK-së”, ka theksuar Zeqiraj.

Krejt në fund, analisti i njohur është i mendimit se lufta speciale që po bëhet ndaj të parës së shtetit po bëhet nga ata persona që janë ata profiterë të pacipshëm, që sipas tij, UÇK-në e përdorën si strehë të poshtërsive të tyre, për dy dekada radhazi.

“UÇK-ja është ideali më i madh, që kanë ndërtuar shqiptarët, është ushtria e popullit tim, është ushtria, e cila mbrojti pragun e shtëpisë”, - deklaron presidentja mençurake e dinjitoze, Dr. Vjosë Osmani. Për të vazhduar edhe më tej fjalën e saj në Kompleksin Memorial të martirëve në Koshare: “Ata që ranë në Betejën e Koshares, ndërtuan bazamentin e shtetit”. Dhe, çfarë duhej të thoshte më shumë Vjosa presidente? Megjithatë, horrakët kriminelë e hajna, të cilët, si hiena, përgjojnë këdo, që nuk është soji i tyre, duke pasuar me kritika dhe anatema, se kinse po harrohet UÇK-ja, po heshtet lufta, dëshmorët. Këta horrakë e profiterë të pacipshëm, UÇK-në e përdorin si strehë të poshtërsive të tyre, për dy dekada radhazi. Kritikët, hajna e abuzues të pushtetit politik, flasin në emër të luftës, e përvetësojnë dhe e privatizojnë ate, edhe pse kurrë nuk kanë qenë pjesë efektive e luftës. E gjithë kësaj i thonë: “Ma mbajë kopilin, sa t’i them kurvë””, tha në fund publicisti i njohur, Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat