Kuvendi përplot deputetë të pakualifikuar, shfaqën paditurinë e tyre

Politika

Kuvendi përplot deputetë të pakualifikuar, shfaqën paditurinë e tyre

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 maj 2021 Në ora: 08:29
Kuvendi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e popullit kanë bërë gabime drejtshkrimore elementare në Formularin për Broshurën Parlamentare, ku kërkohet plotësimi i disa të dhënave personale për t’u regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës. 

Nga regjistrat e publikuara në media shihet se shumë prej deputetëve nuk kanë ditur të shkruajnë fjalën “shqiptar”, por që ka pasur edhe të atillë që kanë shkruar gabim emrat e vendlindjeve, madje dhe vet postin që kanë.  

Ka pasur vërejtje edhe më herët për deputetët e Kuvendit të cilët nuk dinë as lexojnë fjalimet e tyre të shkruara dhe janë deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Mjerisht nga këta deputetë përfaqësohet vendi ynë. 

Kelmendi: Kuvendi i mbushur me deputetë të pakualifikuar, por të ndëgjueshëm për partinë 

Njohësi i çështjeve juridike dhe profesori Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se në Kuvendin e Kosovës kemi deputetë të zgjedhur nga partitë politike mbi planin e dëgjueshmërisë ndaj udhëheqjes dhe partisë që e përfaqëson. 

Image
Muhamet Kelmendi

“Kuvendi i Kosovës është i mbushur me deputetë të pakualifikuar, por të dëgjueshëm për partinë dhe udhëheqjen e saj. Në Kuvend kemi deputetë të zgjedhur nga partitë politike mbi planin e dëgjueshmërisë ndaj udhëheqjes dhe partisë që e përfaqëson. Faktet që dolën tash mbi paaftësinë me nënshkrime dhe në lexime apo në formulim të fjalive, provon vartësinë politike dhe zhveshjen personale të deputetit”, ka thënë Kelmendi. 

Ai rendit dy kritere për partitë politike të cilat caktojnë kandidatët. 

“Në partitë politike caktohen kandidatët në bazë të dy kritereve: 

1. Kriteri i dëgjueshmërisë ndaj partisë dhe udhëheqësit të saj dhe 

2. Kriteri i bazës ekonomike të kandidatit që del në vota. 

Këto kritere e dobësojnë shumë vet Kuvendin. Me këtë shkojnë kandidatët në Kuvend që nuk kanë përgatitje të kualifikuar”, ka deklaruar ai.

Në fund, Kelmendi thotë se, në Kuvend nuk bëhet fjalë për analiza politike, ekonomike, juridike, sociale e ndërkombëtare derisa kemi deputetë me kualifikime fillore ose me shkolla të mesme e me fakultete të kryera pa dije. 

“Ne kemi në Kuvend deputetë me kualifikime fillore ose me shkolla të mesme e me fakultete të kryera pa dije dhe këta kuptohet se gabojnë në drejtshkrim dhe kanë probleme në lexim. Këtu nuk bëhet fjalë atëherë për analiza politike, ekonomike, juridike, sociale e ndërkombëtare të çështjeve që kalon vendi i ynë. Aso analiza nuk dëgjon njeriu në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi ka deputetë te dëgjueshëm politikisht dhe të varur”, ka deklaruar Kelmendi për “Bota sot”. 

Mehazi: Historia politike ka treguar, se, qeverisjet degjeneruese vijnë nga deputetët analfabetë 

Edhe profesori Sulejman Mehazi ka kritikuar deputetët duke thënë se, çfarë të mire mund të presin votuesit nga deputetët e ish-ministrat që nuk dinë të shkruajnë emrin e mbiemrin e vetë? 

Image
Sulejman Mehazi

“Formularët e shkruara të deputetëve me përplot gabime fone-morfo-sintaksore e drejtshkrimore tregon nivelin e atyre që prezantojnë kërkesat e qytetarëve në parlamentin e Kosovës, shkurt e qartë, çfarë të mire mund të presin votuesit nga deputetët e ish-ministrat që nuk dinë të shkruajnë emrin e mbiemrin e vet, shkruajnë me shumë gabime vendlindjen, kombësinë, më e keqja dhe postin e deputetit e shkruajnë në shumës, në vend deputet pa (ë) e shkruajnë në shumës me (ë)- deputetë”, shprehet Mehazi. 

Ai deputetët e kuvendit i krahason me shokun Zylo të Dritëro Agollit, të cilët jo që nuk dinë të shkruajnë një letër të shkurtër, po s'dinë ta shkruajnë dhe vendlindjen e postin e tyre të deputetit. 

Ai shton se, sa të përgatitur janë shihet kur dy fjalë nuk mund lidhin gjatë të lexuarit. 

“Deputetët analfabetë të Kosovës mund të krahasohen me shokun Zylo të Dritëro Agollit, të cilët jo që nuk dinë të shkruajnë një letër të shkurtër, po s'dinë ta shkruajnë dhe vendlindjen e postin e tyre të deputetit. Janë deputetë të Kosovës e nuk dinë të lexojnë e kuptojnë nenet e ligjet e Kosovës, se sa të përgatitur intelektualisht janë vërehet edhe gjatë seancave parlamentare të cilët dy fjalë nuk mund t'i lidhin gjatë të lexuarit, e si do lexojnë e shprehen mirë, kur tekstin ua kanë bërë zotëri Remkot e Dritëro Agollit, ata s'dinë ta shkruajnë emrin e vet e ku më të lexojnë rrjedhshëm”, deklaron Mehazi. 

Tutje, ai ka thënë se kur të shkolluarit analfabetë e udhëheqin shtetin, atëherë qytetarëve ju vijnë kiameti. 

“Kur të paditurit udhëheqin shtetin, atëherë çfarë mund të presim përtej të keqes parlamentare, qeverisëse e shtetërore?, asgjë. Historia politike ka treguar, se qeverisjet degjeneruese vijnë nga deputetët analfabetë,  Çdo qeveri degjenerohet kur ju besohet deputetëve të pa lexuar, të pa ditur e analfabetë. Njëzet vjet radhazi në Republikën e Kosovës kanë dominuar tipat e deputetëve të tillë që nuk kanë ditur të shkruajnë edhe vetveten si duhet e jo më të bëhen deputetë. Kur të shkolluarit analfabetë e udhëheqin shtetin, atëherë qytetarëve ju vijnë kiameti”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat