Pas Ibrahim Rugovës, Donika Gërvalla cak i akuzave dhe linçimeve të PDK-së

Politika

Pas Ibrahim Rugovës, Donika Gërvalla cak i akuzave dhe linçimeve të PDK-së

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 maj 2021 Në ora: 08:24
Donika Gërvalla

Me të marrë postin në kabinetin qeverisës të kryeministrit Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla filloi menjëherë me paraqitje dinjitoze të shtetit të Kosovës.

Si fillim, ishte paraqitja e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ajo mbrojti flamurin e Kosovës, para përfaqësuesve të Rusisë.

Derisa Gërvalla merrte përgëzime dhe lëvdata për paraqitjen e saj në Këshillin e Sigurimit dhe paraqitjen e saj në Bruksel, filluan menjëherë akuzat nga partitë opozitare, në veçanti nga PDK-ja.

Ata shpërfaqën një deklaratë të ministres Gërvalla, në të cilën ajo e përkrahte Gjykatën Speciale dhe kritikonte ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin.

Mirëpo, këto akuza dhe linçime të PDK-së, na rikthyen në kohën, kur presidenti Rugova pas sukseseve të tij, ishte cak i sulmeve të PDK-së.

Këto akuza ndaj Gërvallës dhe Rugovës, padyshim që e ka një pikë lidhëse, shkakun (sukseset e tyre) dhe kundërshtarin (PDK-në).

Lidhur me temën, se nëse PDK po tenton ta ndalojë Gërvallën njësoj si Presidentin Rugova për gazetën “Bota sot” kanë folur njohës të çështjeve politike.

Ata ishin të njëjtit mendim se ka ngjashmëri dhe lidhshmëri të akuzave ndaj Rugovës dhe Gërvallës.

Gjithashtu, ata u shprehen se assesi nuk duhet të ndodhë dorëheqja apo shkarkimi i ministres Gërvalla.

Zeqiraj: Jo, nuk dorëzohet Donikë Gërvalla, qendrestare parimore, si vet Rugova!

Image
Idriz Zeqiraj

Analisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj ka folur në detaje për akuzat dhe kritikat e PDK-së ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës dhe ngjashmërinë e tyre me sulmet e mëparshme ndaj Presidentit Ibrahim Rugova.

Ai këtë analizë e shpalosi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ku ndër të tjera theksoi që nuk është hera e parë që udhëheqës profesional dhe të besueshëm të shtetit, bien pre e kritikave të injorantëve dhe smirëzinjve.

“Nuk është hera e parë, që kuadro drejtuese kredibile, me integritet e profesional, siç është Donikë Gërvalla, smirëzinjtë, injorantë e fodullë, duan t`i pengojnë në punën e tyre fisnike. Kështu kanë vepruar edhe me Presidentin Rugova. Por, nisur nga shprehja: "Qentë lë të lehin, karvani lë të vazhdojë", i ka mundur të gjithë lehaqenët. Donikë Gërvalla dhe Vjosa Osmani, ashtu si dikur Sali Çekaj, Xhemajl Mustafa, Smajl Hajdaraj, me shokë, kanë përfituar shumë nga trashëgimia e Presidentit Rugova. Të matur, me drejtpeshimin e duhur, me vendosmërinë e pashoqe, sikur të ishin pjesë e familjes biologjike të hyjnorit Rugovë”, deklaroi Zeqiraj.

Gjithashtu, analisti tregoi edhe qëllimet kryesore të sulmeve të orkestruara të PDK-së ndaj krye diplomates Gërvalla. Njëra nga qëllimet potencoi se është frikësimi i dëshmitarëve dhe familjeve të viktimave të vrasjeve politike

“Sulmet e orkestruara të PDK-së, tashmë, në ndihmë edhe grupi minor i Molliqaj, në pritje NISMA dështake, kanë dy qëllime:

a) Të frikësojnë dëshmitarët, në përgjithësi, dhe familjet e viktimave të vrasjeve politike, në veçanti. Por nuk do të arrijnë kurrë. "Kërkoju falje atyre që janë në Hagë", - shantazhonte, rrugaçërisht, Abelard Tahiri, ministren e Jashtme, Donikë Gërvallën! Por, Donikë Gërvalla është stoike, e cila, kur është fjala për parime, nuk pyet as për jetën e saj. Ajo nuk lëvizë nga zotimi parimor, se krimi dhe kriminelët duhet luftuar, dhe nuk bënë asnjë kompromis me vrastarë e banda”, theksoi ai.

Sipas Zeqirajt, kërcënuesit e dëshmitarëve të Speciale, po shfrytëzojnë foltoren e Kuvendit për ta penguar ligjshmërinë në Kosovë.

“Ndërkohë, shantazhuesit dhe kërcënuesit, për dëshmitarët e Speciales, duke shfrytëzuar foltoren e Kuvendit, duhet të denoncohen, si mbrojtës të krimit dhe të kriminelëve, si pengues të ligjshmërisë në Kosovë. Ata meritojnë të zinxhirosën, si qentë, për ta pushuar lehjen. Turri i disa palo deputetëve të PDK-së, është i vrazhdët dhe skajshëm provokativ. Nëse nuk i vejnë fre gojës, një ditë do të "ndeshën në hundëlesh" dhe do të hanë dajak "si gomari në duhan!" PDK-ja, ajo pjesë e arsyeshme e saj, duhet t`i lidhë zagarët, të cilët zhurmojnë ç'akordueshëm”, nënvizoi ai.

Kurse, qëllimi i dytë i sulmeve ndaj Gërvallës, sipas analistit është suksesi i saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe vizita mbresëlënëse në Bruksel.

“b) Suksesi brilant i ministres së Jashtme, Donikë Gërvalla, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe vizita mbresëlënëse, e realizuar suksesshëm, në Bruksel, i hutoi e tërboi ndjellakëqijtë e PDK-së. Ata prisnin që Albini, refuzues klasik, të dështojë në Bruksel, të ndërhyjë ndonjë Grenell tjetër dhe të dorëzohet, të ikën Albini nga qeverisja! Por, ndodhi e kundërta”, vlerësoi Zeqiraj.

Në vazhdim, ai vuri në pah elementet e reja që dolën nga vizita e kabinetit të Qeverisë së Kosovës në Bruksel.

“Për më tepër, vizita në Bruksel, solli elemente të reja, madje, për herë të parë:

-Kosova të mos trajtohet si objekt, por, të jetë subjekt i barabartë në bisedime;

-Kosova të mos jetë "çështje", sepse kjo i përket viteve 1912- 13 dhe territori, kufijtë e saj janë përcaktuar, tej një shekulli më parë. Pavarësia e Kosovës është shpallur në shkurt të vitit 2008 dhe administrimi i Kosovës, u përket shqiptarëve, pa bosnjizim kriminal. Serbia nuk mund të bëhet hisedarë në sundimin e Kosovës”, deklaroi ai.

Tutje, analisti Zeqiraj iu rikthye përsëri sulmeve ndaj Gërvallës dhe tregoi edhe pse ajo u sulmua njëjtë si Presidenti Rugova.

Ai përmendi edhe deklaratën e ish-këshilltarit të kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, e cila më pastaj ishte arsyeja që solli shkarkimin e tij.

“Përsëri u kthehemi sulmeve rrugaçërore, të disa biçim kuadrove të PDK-së, për ta penguar në detyrën e saj fisnike, si ministre e Jashtme, Donikë Gërvallën, njësoj siç është penguar, dikur, Presidenti Rugova. Dhe, pse?

Kur këshilltari politik i Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi, tha se janë vrarë një mijë serbë dhe të pakicave tjera, pas luftës, ai tha një të vërtetë. Por, gaboi që nuk e sqaroi pse dhe kush i vrau ata. Përgjigja është: Hajna dhe kriminelë shqiptarë, shfrytëzuan katrahurën e krijuar pas luftës, vranë serbë, romë dhe ndoca të tjerë, për t`ua marrë pasurinë e patundshme”, potencoi ai.

Po ashtu, Zeqirja citoi edhe një deklaratë të një ambasadori britanik, me qëllim të ndërlidhjes së vrasjeve të shqiptarëve nga shqiptarët, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Një dëshmi të tillë bindëse sjell ambasadori britanik, mik e dhëndër i shqiptarëve: "Shqiptarët i vranë, pas çlirimit, gjyshërit e nuses time, thjeshtë, për t´ua marrë banesën në Prishtinë!"

Albin Kurti, i ndodhur para një hajke harbutërie të opozitës, për ta shkarkuar këshilltarin, Shkëlzenin e tij, me të njëjta akuza, "kundra UÇK-së", u dorëzua dhe bëri shkarkimin, kot se koti, madje, pa e konsultuar viktimën, që ishte një gabim i dytë i Albinit”, theksoi ai.

Në fund, Zeqiraj tha se PDK po tenton ta nxit kryeministrin Kurti ta shkarkojë ministres Gërvalla, njësoj siç bëri me ish-këshilltarin e tij, mirëpo një gjë e tillë sipas tij nuk do të ndodhë.

“Ky dorëzim i djeshëm i Albinit, pjesa horrake e PDK-së, mendojnë se do të funksionojë edhe tani, në rastin Gërvalla. Prandaj, Albini duhet t`ua bëjë të qartë, se atë "kokërr ulliri, nuk e hanë më!" Vërtet, ka folur për një ministre të suksesshme, por, për pisanjozët, aksidental në politikë, duhet thënë troç e prerazi, se nuk ka asnjë element bazik, që mund të bëhet fjalë, për shkarkim të ministres Gërvalla.

Jo, nuk dorëzohet Donikë Gërvalla, qendresëtare parimore, si vet Rugova!”, përfundoi Idriz Zeqiraj.

Mehazi: Dorëheqja e Donika Gërvallës do gëzonte jo vetëm të PDK-në, por edhe Vuçiqin e Brnabiqin

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur për sulmet e PDK-së ndaj Donika Gërvallës.

Mehazi tha se fushatat politike të PDK-së kundër ministres Gërvalla janë të ngjashme me ato ndaj Presidentit historik Ibrahim Rugova.

“Fushata apo kritikat e ashpra politike të PDK-së ndaj Donika Gervëllës nuk janë të sotme, PDK-ja kështu vepronte edhe ndaj presidentin dhe kryetarit të LDK-së Ibrahim Rugovës. Sjellja e PDK-së ndaj Donika Gërvallës është avazi vjetër i kritikave, ofendimeve e akuzave ndaj kundërshtarëve politikë. Veprimet e PDK-së nuk janë gjë tjetër përveç që ta degradojnë autoritetin e Gërvallës”, deklaroi ai.

Profesori u shpreh se Enver Hoxhaj dhe anëtarët e tjerë të PDK-së duhet ta drejtojnë gishtin kah vetja për formimin e Gjykatës Speciale dhe jo të bëhen sikur atë e ka formuar kryeministri Kurti me ministren Gërvalla.

“Hoxhaj e të tjerët e PDK-së në vend që ta kritikojnë vetveten e të marrin përgjegjësi për Gjykatën Speciale që e krijuan vetë, ata, veprojnë të kundërtën e bëhen sikur këtë gjykatë e ka formuar Donika Gërvalla e Albin Kurti. Më e keqja e sjelljes së PDK-së është se i vërsulen të bijës së Jusuf Gervallës pa fije etike politike duke i thënë fjalë të pamatura e të pakontrolluara që nuk zënë vend te qytetarët e Kosovës”, nënvizoi ai

Tutje, Mehazi potencoi se PDK do të duhet të kërkonte ndihmë nga Qeveria Kurti dhe ministrja Gërvalla për t’i shfuqizuar akuzat e Speciales ndaj ish-udhëheqësve të tyre, dhe jo të shpifte dhe ofendonte Gërvallën në këtë mënyrë.

“Të PDK-së në vend që të kërkojnë ndihmë nga qeveria e Kurtit e Gërvalla që të shfuqizojnë apo zbusin akuzat e Gjykatës Speciale të Hagës për të shpëtuar ish-udhëheqësit e tyre, Thaçin e Veselin, ata veprojnë të kundërtën duke kritikuar, shpifur, ofenduar Gërvallën ngarkojnë dhe më shumë me akuza ish-kryetarët e tyre në Gjykatën e Hagës”, theksoi ai.

Në fund, profesor Mehazi e tregoi qëllimin kryesor të akuzave dhe kritikave të PDK-së ndaj Donika Gërvallës dhe përmendi mundësinë e dorëheqjes së saj.

“Qëllimi i PDK-së ndaj Ministres Gërvalla është i qartë, si e qysh mundohen ta pengojnë që ajo mos të ketë sukses si Ministre e Diplomacisë së Jashtme të Kosovës. Aftësia e saj intelektuale, politike e diplomatike ju duket sikur i sulmon rëndë të PDK-së, prandaj dhe kritikohet, ofendohet e akuzohet keq e ashpër nga partia e Hoxhajt.

Jemi të sigurt se dorëheqja e Donika Gërvallës do gëzonte jo vetëm të PDK-së, por edhe serbët e Vuçiqit dhe Bërnabiqit”, përfundoi Sulejman Mehazi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat