Padia për gjenocid ndaj Serbisë, avokati tregon arsyet pro dhe kundër: Ekziston një dritë në fund të tunelit

Politika

Padia për gjenocid ndaj Serbisë, avokati tregon arsyet pro dhe kundër: Ekziston një dritë në fund të tunelit

Nga: M.H. Më: 11 maj 2021 Në ora: 08:30
Qeveria Kurti

Në javën që po lëmë pas, kryeministri Kurti ka paralajmëruar se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid të bërë gjatë luftës në vendin tonë.

Kjo sipas shefit të qeverisë do bëhet pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë të Holandës.

“Do të jetë një përgatitje gjigante sepse nuk guxojmë të dështojmë assesi në këtë rast pranë GJND-së”, tha Kurti.

Për këtë nismë ka pasur reagime pro dhe kundër, ndërsa që presidenti serb ka lutur që të mos bëhet një gjë e tillë.

Në lidhje me këtë, avokati Adrian Gjoshi në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për mundësinë e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.

Avokati shprehet skeptik në lidhje me pranimin e padisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kjo për faktin se ka pengesa procedurale dhe GJND-ja vështirë se krimet makabre të Serbisë ndaj Kosovës do t’i kualifikonte si gjenocid.

Image
Adrian Gjoshi

“Tashmë është e ditur se padia për gjenocid kundër Serbisë ka shumë gjasa të jetë e pasuksesshme për dy arsye. E para, ka pengesa procedurale dhe e dyta, praktika e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), vështirë se krimet makabre të Serbisë ndaj Kosovës do t’i kualifikonte si gjenocid. Fatkeqësisht, e drejta ndërkombëtare i ka caktuar standarde të larta plotësimit të figurës së kësaj vepre penale ndërkombëtare dhe rasteve kur shteti si aparat është fajtor”, është shprehur Gjoshi.

Avokati tregon rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 2007, kur i është refuzuar padia ndaj Serbisë për arsye se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ta vërtetuar gjenocidin.

Gjoshi ndër të tjera shton se pavarësisht kësaj, ekziston një dritë e dobët në fund të tunelit për Kosovën, pasi që Serbia është pasardhëse e ish-Jugosllavisë, e cila ishte nënshkruese e pa rezervë e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe mbi këtë bazë, potencialisht do të mund të paditej.

“Për ilustrim, në vitin 2007, GJND kishte vendosur se në Bosne-Hercegovinë ishte kryer gjenocid. Megjithatë, nuk kishte mjaft prova për të vërtetuar se gjenocidi ishte kryer sipas direktivave të Serbisë. Për më shumë, në vitin 2015, GJND ka refuzuar padinë e Kroacisë ndaj Serbisë, me arsyetimin se nuk ishin përmbushur standardet ligjore për t’i kualifikuar krimet e luftës si gjenocid. Për t’u kthyer te pengesat procedurale për depozitimin e një padie në GJND, vlerësoj se, pavarësisht kësaj, për Kosovën ekziston një dritë e dobët në fund të tunelit. Kjo, meqë Serbia konsiderohet si pasardhëse e ish-Jugosllavisë, e cila ishte nënshkruese e pa rezervë e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe mbi këtë bazë, potencialisht do të mund të paditej”, ka theksuar avokati.

Nga ana tjetër, ai përmend që në GJND ka gjyqtarë të shteteve kundërshtuese të shtetit të Kosovës dhe një padi e tillë është vështirë të pranohet.

“Megjithatë, duhet pranuar se një interpretim i tillë, vështirë se do të mund të bëhej dhe pranohej, meqë në përbërjen e GJND-së ka gjyqtarë të shteteve kundërshtuese të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Adrian Gjoshi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat